TIRANE- Nertila Qafzezi përleshet me disa persona që donin të bashkoheshin me grevën e urisë. Pavarësisht se kanë 10 ditë pa ngrënë, të shkarkuarit nga administrata që janë futur në grevë urie kanë demonstruar forcën e tyre duke u përleshur me personat që donin të bashkoheshin me ta. Arsyeja e përplasjes është fakti se ata ishin nëpunës të shkarkuar nga Bashkia e Tiranë ku në krye është Lulzim Basha.

Sherri nisi mesditën e ditës së djeshme, kur ish-nëpunësit e Bashkisë shprehën nismën për t’u bashkuar në çadrat e vendosura përbri Kryeministrisë, në mbështetje të grevës së urisë të nëpunësve të larguar nga administrata publike. Por situata është përshkallëzuar deri në dhunë fizike mes palëve, kur kryetarja e Shoqatës së të larguarve nga administrata, Nertila Qafzezi, ka dalë nga shiriti i rrethimit të grevës dhe i është drejtuar një ish-nëpunëseje të larguar nga Bashkia duke tentuar ta tërheqë nga flokët, por është ndalur nga forcat e policisë. 

Edhe pasi është rikthyer në çadër nga grevistët e tjerë, Qafzezi ka dalë sërish dhe është ndalur për së dyti nga forcat e policisë. Krahas Qafzezit, edhe ish-punonjësi në Sigurimet Shoqërore Gjirokastër, Agron Dervishi ka përdor një gjuhë banale ndaj ish-nëpunësve të larguar nga Bashkia e Tiranës, ndërsa për një moment ka shtyrë me forcë dy gra të larguara nga Basha, të cilat shprehën dëshirën për t’iu bashkuar grevës. Grupi i të larguarve nga Bashkia nuk u pranua fillimisht në çadrat e grevës së urisë me akuzat se ishte provokim, ndërsa vazhdimisht i etiketuan si komunistë.

Por duket se një tjetër çadër urie do të ngrihet, dhe këtë radhë para godinës së Bashkisë së Tiranës, nga disa ish-nëpunës të larguar nga ky institucion. Kështu kanë deklaruar për mediat kjo përfaqësi pasi u refuzuan të bëhen pjesë e grevës përbri Kryeministrisë.

Akuzat
Pas qetësimit të situatës, kryetarja e grevës, Nertila Qafzezi e cilësoi afrimin e të shkarkuarve nga Bashkia e Tiranës si një show mediatik të inskenuar nga kryeministri Rama. “Ishte gjithçka e inskenuar nga Kryeministri, kjo u kuptua, unë kam muaj që bëj thirrje t’i bashkohen kauzës. Ai që prej 10 ditësh ka një sjellje antihumane, nuk është e vërtetë ne vuajmë këtu pa bukë. Ndërkohë kryeministri në vend që të na mbështesë, dhe nuk do të ja dijë, ndërkohë sot kemi një show mediatik, duke bërë këtë inskenim, duke treguar se janë të larguar nga Basha. Kjo nuk përbën lajm se ne i ftuam të vijnë në çadër. Ata nuk donin por ishin të inskenuara nga kryeministri për një vend pune”, tha Qafzezi.

Grevistët
Greva e urisë kaloi dje ditën e saj të dhjetë dhe duket se do të vijoj edhe në ditët në vijim. Për shkak të shiut të rëndë, çadrat kishin futur ujë dhe grevisti Sokol Ukperaj ishte nisur në spital për shkak të një ftohje. Krahas kësaj, gjatë ditës së djeshme është nisur për në spital edhe Ismail Elezi, ish-drejtori i krimit ekonomik, pas gjendjes së rënduar shëndetësor. Në ambientet pranë grevës gjenden 2 ambulanca në gatishmëri 24 orë për tu ardhur në ndihmë grevistëve. Numri i personave aktualisht në çadër janë 16 persona ndërsa vlen të theksohet se në këtë grevë urie janë 6 ish-efektivë policie.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)