“Gjatë kësaj periudhe është arritur që të kemi një legjislacion të plotë konform stamdarteve të Bashkimit Europian në të dy fushat e veprimtarisë sonë. Për herë të parë kemi vendime të komisionerit për çështje që lidhen me transparencën e autoriteteve publike, të cilat po ndryshojnë një mënyrë pune të kultivuar thellë, ku çdo akt i tyre nuk mund të ishte publik. Një akt i institucionit publik duhet të jetë patjetër transparent”, tha Besnik Dervishi.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi sot një takim me rastin e 10-vjetorit të themelimit të saj. Z. Besnik Dervishi në fjalën e tij përshëndetëse, përshkroi rrugëtimin e Zyrës së Komisionerit, duke theksuar sfidat dhe arritjet në këta 10 vjet.
Në këtë aktivitet u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Zyrës së Komisionerit. Në qendër të veprimtarisë së tyre, këto institucione kanë garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Kjo marrëveshje mundëson koordinimin më të mirë të punës mes dy institucioneve, si një detyrë e lënë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me fokus të veçantë, fushën e të drejtës për informim.
Gjithashtu, marrëveshja parashikon bashkëpunimin e palëve për zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e eksperiencës dhe praktikave më të mira.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO









