Rreth 100 fermerë janë bashkuar në qendër të Pukës në panairin 'Puka Agro Fest' duke bërë që kjo fundjavë të jetë krejt e veçantë për këtë zonë të fshehur të alpeve të veriut.
Produktet bio të prodhuara nga dora e vetë fermerëve janë ekspozuar për dhjetra qytetarë dhe vizitorë duke i dhënë jehonë kulturave të cilat deri tani kanë qenë pjesë e traditës ndërsa tashmë shihen si një mundësi biznesi dhe zhvillimi ekonomik.
Kryetari i Bashkisë Pukë Gjon Gjonaj në fjalën e tij tha se ka ardhur koha që fermerët e zonës të kuptojnë potencialin real dhe interesin e shtuar të tregut për produktet bio.
Nëse në thuajse të gjithë Shqipërinë fermerët nuk shfaqen optimistë, krejt e kundërta ndodh me fermerët dhe kultivuesit e kulturave të ndryshme në Pukë. Ata thonë se janë mbështetur nga shoqata 'Agropuka' ndërsa nga dita në ditë shohin frytet e punës së tyre e cila lidhet drejtpërdrejt me dashurinë për tokën natyrën e kulturat bujqësore të zonës.
"Puka Agro fest" e kthyer tashmë në traditë organizohet nga shoqata "AgroPuka" në bashkëpunim me organizata jo fitimprurëse, Bashkisë Pukë dhe Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.