E lindur në vitin 1956 në Tinaquillo, në Venezuelën qendrore, Cilia Flores u rrit në lagje punëtore të Karakasit perëndimor. Me profesion juriste, e specializuar në të drejtën e punës dhe atë penale, ajo u përfshi shumë herët në lëvizjen e Hugo Chavez dhe ofroi asistencë ligjore për të dhe oficerë të tjerë ushtarakë pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 1992.

Gjatë asaj periudhe ajo u njoh me Nicolas Maduro, me të cilin ndërtoi një partneritet politik dhe personal që zgjati më shumë se 30 vjet. Paralelisht, Flores ndërtoi karrierën e saj politike, duke u zgjedhur deputete në Asamblenë Kombëtare në vitin 2000 dhe sërish në vitin 2005.

Në vitin 2006 ajo u bë gruaja e parë që drejtoi parlamentin venezuelian. Mandati i saj u shoqërua me kritika, përfshirë ndalimin e gazetarëve në sallën plenare dhe akuzat për punësimin e familjarëve në administratën parlamentare, të cilat ajo i mohoi si shkelje ligjore.

Mes viteve 2009 dhe 2011, Flores shërbeu si nënkryetare e dytë e Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës, ndërsa në vitin 2012 u emërua Prokurore e Përgjithshme nga Hugo Chavez. Ajo ishte pjesë e rrethit të ngushtë të udhëheqjes edhe gjatë muajve të fundit të jetës së Chavez-it.

Pas ardhjes së Maduron në pushtet, profili i saj publik u zbeh disi. Presidenti e quajti atë “luftëtarja e parë”, duke shmangur termin “zonja e parë”, të cilin e cilësoi si aristokratik. 

Sipas aktakuzave të prokurorëve amerikanë, Flores akuzohet se në vitin 2007 ka pranuar qindra mijëra dollarë ryshfet për të organizuar një takim mes një trafikanti të madh droge dhe Nestor Reverol Torres, në atë kohë drejtor i Zyrës Kombëtare Kundër Drogës në Venezuelë. Sipas të njëjtave burime, trafiku i drogës do të siguronte kalim të lirë për avionë të ngarkuar me kokainë, kundrejt pagesave mujore prej 100 mijë dollarë për çdo fluturim, një pjesë e të cilave dyshohet se përfundonte tek Flores.

Reverol Torres u akuzua në vitin 2015 në Nju Jork për vepra penale të lidhura me narkotikët dhe vijon të jetë në arrati. Hetimet amerikane e paraqesin Flores si pjesë të një rrjeti ndikimi që, sipas tyre, ka garantuar mbrojtje institucionale për trafikun e drogës.

Emri i saj u përfshi në hetime ndërkombëtare që prej vitit 2015, kur dy nipërit e saj u arrestuan dhe më pas u dënuan në Shtetet e Bashkuara për komplot për trafik droge. Ata u liruan në vitin 2022 në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish mes Uashingtonit dhe Karakasit.

Ndërkohë që ajo pritet të përballet zyrtarisht me akuzat në New York, përkrahësit dhe kritikët bien dakord vetëm për një gjë: Cilia Flores është e pandashme nga figura dhe pushteti i Nicolas Maduro-s, dhe roli i saj ka qenë thelbësor për regjimin venezuelian dhe bashkëpunimin me kartelet e drogës, të cilave Presidenti Donald Trump u ka shpallur luftë të hapur.