100 vjet pavarësi
Diplomacia nis aktivitetet

100 vjet pavarësi<br />Diplomacia nis aktivitetet
TIRANË – Ambasadat shqiptare në 6 vende të ndryshme të botës kanë tashmë gati axhendën e aktiviteteve për 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë se vendit. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme janë janë konkretizuar aktivitetet e ambasadave shqiptare për 100 vjetorin në Itali, Bosnje Hercegovinë, Katar, Danimarkë e Zvicër.

AKTIVITETET KULTURORE

Romë
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë në bashkëpunim me Bashkinë e Romës, Këshillin Qytetar për Emigracionin dhe Gazetën “Bota Shqiptare”, në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë, nisën muajin e kulturës shqiptare me titull: “Vendi Përballë – Shqiptarët e Italisë Kremtojnë 100 vjetorin e Pavarësisë”, që vijon nga data 4 shkurt deri më 3 mars 2012, në Muzeun e Civilizimit Romak, Romë.
Gjatë këtij muaji do të shpaloset një mozaik i gjerë kulturor me ekspozita pikture dhe fotografike, ekspozitë me dokumente të rëndësishme që kanë shënuar lindjen e Shtetit shqiptar, konferenca, projektime filmash, përmes të cilave do të prezantojmë në Romë, Shqipërinë-vendi përballë.
Të ftuar në këto aktivitete janë përfaqësues institucionesh, intelektualë, shkrimtarë, regjisorë, muzikantë, piktorë dhe fotografë, student shqiptarë, arbëresh dhe italianë.  Synohet që këto aktivitete të prezantojnë momentet më të rëndësishme për Shtetin shqiptar si dhe aspekte të jetës e veprimtarisë së shqiptarëve dhe arbëreshëve në Itali.

Sarajevë, Bosnjë Hercegovinë
Me datë 23 janar 2012 në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sarajevë u organizua hapja e ekspozitës “Dimri në Sarajevë 2012”, e piktorëve shqiptarë, z.Buron Kaceli, Mustafa Arapi, Marjana Goxhabelliu dhe Fatmir Carkanji. Në hapjen e ekspozitës morën pjesë, Ministri i Turizmit dhe Ambientit të BeH znj. Branka Duric, ish presidenti i BeH, Stjepan Kljuic, përfaqësues të Presidencës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, trupi diplomatik i akredituar në Sarajevë, akademikë, profesorë të Universitetit të Bosnjë Hercegovinës, përfaqësues të komunitetit shqiptarë, media etj. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë, z. Flamur Gashi, theksoi se me këtë aktivitet fillojnë festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

Doha, Katar
Në datën 3 shkurt, nën kujdesin e Pallatit Mbretëror dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Katarit, u organizua mbrëmja e muzikës shqiptare në sallën e Teatrit Kombëtar, në Doha. Në këtë aktivitet, si i pari i këtij lloji, morën pjesë, Ministri i Kulturës dhe Artit i Katarit, z. Hamad Al-Kaëari, përfaqësues të familjes mbretërore, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Doha, përfaqësues të komunitetit të biznesit si dhe përfaqësues të bashkësisë shqiptare në Doha. Gjatë mbrëmjes, muzikantët shqiptar të kuartetit “Golden Music” performuan pjesë të muzikës instrumentale të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj si dhe kënduan këngë të muzikës së lehtë dhe popullore nga vendi ynë.

Danimarkë, Kopenhagen
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kopenhagen në datat 20-22 janar 2012, përfaqësoi turizmin dhe traditën shqiptare në Panairin ndërkombëtar të turizmit dhe udhëtimit "Ferie & Fritid" në Bella Center.Në stendën e saj, Ambasada prezantoi pamje, fotografi, video, muzikë, materiale informuese dhe pije tradicionale të Shqipërisë. Ajo prezantoi përpara publikut danez dhe vizitorëve të shumtë të panairit, në mënyrë dinjitoze, profesionale dhe kombëtare bukuritë natyrore të Shqipërisë, potencialet e saj turistike, trashëgiminë e pasur historike e kulturore dhe shpirtin bujar dhe mikpritës të shqiptarit.
Interesimi i vizitorëve për të mësuar më shumë për Shqipërinë ishte i jashtëzakonshëm gjatë të tre ditëve dhe befasia e tyre ndaj videoklipeve dhe bukurive natyrore të paraqitura shprehej nga qëndrimi i gjatë përpara stendës shqiptare dhe numri i madh i pyetjeve që ata bënin.

Bernë, Zvicër
Me datën 3 shkurt 2012 Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ambasadori i Republikës së Kosovës dhe Ambasadori i Republikës së Maqedonisë organizuan në Bernë një takim të përbashkët me gazetarë të medieve të gjuhës shqipe që punojnë në Zvicër. Ambasadorët u paraqitën gazetarëve projektin e veprimtarive që të tre ambasadat, duke bashkërenduar punën, mendojnë t’i realizojnë në kuadrin e vitit jubilar të 100-Vjetorit të Pavarësisë. Synimi i takimit ishte sensibilizimi i opinionit për ngjarjen e madhe dhe veprimtaritë në kuadrin e saj.

(aq/shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti (VIDEO)