TIRANE - Ish-zëvendës kancelari austriak, Erhard Busek, këshilloi Shqipërinë që të bëjë më shumë për rritur nivelin e njohjes së vendit tonë në Evropë. Ish-koordinator i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Busek mori pjesë në një konferencë mbi marrëdhëniet shqiptaro-austriake me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. “Ndonëse këto 100 vjet kanë qenë të vështira, ju mbijetuat”, - tha Busek, që e krahasoi prezencën e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtare me një urë mbi ujëra të turbullta. Dhe sipas tij, kjo është një histori suksesi që duhet të njihet.

“Nga ana tjetër Shqipëria nuk ka pasur konflikte si ato të vendeve të tjera të Evropës juglindore. Këtu nuk kemi konflikte mes Shqipërisë me të tjerët, mbetet me siguri problem marrëdhënia e Shqipërisë me të kaluarën e saj. Ju nuk keni probleme madhore me minoritetet në Shqipëri. Tregojuani këtë të tjerëve, është tejet e rëndësishme. Ju nuk keni probleme me besimet fetare sepse ka pasur gjithmonë tolerancë.”, u shpreh Busek.

Busek tregoi se një nga shqiptarët e parë për të cilët kishte dëgjuar të flitej që në fëmijëri ishte aktori Aleksandër Mojsiu, për të cilin e ëma i thoshte: është shqiptar, por është një aktor i jashtëzakonshëm vjenez.

Në aktivitet mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, që vlerësoi shumë mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë, sidomos në momente vendimtare të historisë sonë kombëtare.

Ndërsa gjatë fjalës së tij, ministri i Jashtëm Edmond Panariti theksoi se marrëdhëniet e larmishme mes dy vendeve nisin që me kërkimet akademike të albanologëve austriakë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)