100 vjetori/ Konferenca e Paqes Paris 1919, ja beteja për të imponuar kërkesat e Shqipërisë

100 vjetori/ Konferenca e Paqes Paris 1919, ja beteja për të imponuar kërkesat e Shqipërisë

Menjëherë pas luftës së parë Botërore, pas bilanceve tragjike në fudn të saj, në vitin 1919, diplomacia botërore, e mbledhur në pallatin e mbretërve të Francës, do të rivendoste barazpeshat e mbas luftës në kornizën e ndryshimeve epokale historike që kishte pësuar kontinenti në luftën më mizore, me 16 miljon të vdekur e 20  miljon të plagosur e të gjymtuar.

Në këto kushte, kur Shqipëria ishte ende e pushtuar nga trupat e ndryshme të ushtrive të huaja, të cilat për më shumë se tre vjetësh kishin asgjësuar çdo lloj organizimi shtetëror të banorëve të saj, më 25 dhjetor 2018 u mblodh Kongresi i Durrësit me përkrahjen e Italisë, që pati si përfundim kryesor të tij zgjedhjen e një Qeverie e caktimin e një Dërgate, e cila do të mbronte çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes.

Se cilët ishin kushtet e punës së asaj Dërgate në Parisin e vitit 1919 dhe sa vështirësi e pengesa tejet të mëdha i u desh asaj përfaqësie për të siguruar mbijetesën e Shtetit shqiptar të Konferencës së Londrës, mund t’a kuptojmë mirë po të lexojmë dokumentet që po të botohen suplementin e përjavshëm “Rilindasi” të nxjerra nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”. “ Shqipnia përpara Konferencës së Paqes” është një përmbledhje dokumentash zyrtarë, të paraqitur nga Dërgata Shqiptare e Qeverisë së Përkohëshme, në një hark kohor të përcaktuar, nga 12 shkurti deri në 5 qershor 1919. Fakti që këta dokumenta i nënështrohen kësaj periudhe i detyrohet qëndrimit të Mustafa Krujës në Paris si sekretar i asaj Dërgate. Pas botimit të pjesës së parë të dokumenteve  në “Rilindasin” e datës 24 mars 2019,  vijojmë sërish me këtë grup të dytë  dokumentesh si më poshtë.

***

Kërkesat e Shqypnís.

Kombi shqyptar po del përpara Kongresit të Paqës duke umbështetun mbi nj’atê fuqi ideale qi ka bâmun të pamundshme ushtrít e kombevet liridashëse e qi ka shtrënguem anmiqt e tyne të lëshojnë armët prej dore; ay po shfaqet edhe plot me besim se parimet e kombsís, falë drejtësís së njerzvet të shquem qi janë mbledhun në Kongres, do të marrin zbatimin e plotë të tyne.

     Fara shqyptare, mâ e vjetra në Balkan, ka mundun t’a ruej, kombsín, shpirtin e lirís e të mëvetësís së vet, me gjithë qi Shqypnia herë pas here, nëpër kalimt e shekujvet, âsht bâmun fushë pushtimesh të hueja.

     Pas mâ se katër shekujve zotnimi të huej, po sa qe thirrun me jetuem si Shtet mëvete e kur po përpiqej edhe ndër të vështira qi s’i dahen përlindjes së popujvet, Shqypnia pa prit’e pa kujtuem, u gjind përpara luftës botnore. Asnjansín e saj, qi Fuqít e Mëdhaja i kishin garantisun, i a prishën ushtrít luftare e, si Belgjika, Shqypnia ka pamun gjithë tmerrimet e pushtimit.

     Populli shqyptar, as duke rënkuem nên thêmbrën e pushtuesit, nuk e harroi detyrën e vet kundrejt Kuptimit, i cili po ishte duke luftuem për parimet e kombsís dhe për të drejtën e popujvet.

     Shqyptarët, tue harruem shnderimet e tmerrimet të bâme motmot mâ para në Shqypní, e bânë njê detyrë për veten e tyne t’u ndihmojnë tepricave t’ushtrivet serbe qi po hiqeshin nëper Shqypní. Me të vërtetë, këto, të lodhuna e të mbarueme, pa armë e pa ushqim, kurrë nuk do të kishin arrijtun n’Adriatik po t’ishte qi shqyptarët, dyke u vûmun veshin Austriakvet, të mos ishin sjellun pas dashunís qi ndienin për Kuptimin si edhe pas gojdhânavet burrnore të tyne.

     Shqypnia, e pushtueme nên zgjedhë dhe e rrenueme, i mbështette shpresat e veta përmbi ushtrít mikesha të Kuptimit qi po shkelshin në Maqedhoní e në Shqypní të Poshtme; e rrjeshtat e tyne po shpejtojshin me zânë vênd pranë ushtrivet shpëtimtare për të marrë pjesë në luftat qi po bâheshin në sinisín balkanike kundra Mbretnivet Qêndrore. Sikur t’u ishin dhânë edhe shqyptarvet gjith’ajo mbështetje e gjith’ato lehtësina si kombevet tiera, do t’ishin drejtuem të tânë së bashku, si njê trup i vetëm, për të kapun armët, të gëzuem kreit nj’ashtu si vëllaznit e tyne të mbledhun nën flamurët e Kuptimit, nga të cilët shumë kanë mbetun në fushët të nderës. Por, edhe pa pasun ato ndihma e lehtësina, bânë gjithë ç’kishin në dorë për të vështirsuem punën e anmikut, duke i sjellun ndalime n’ushqimin e tij e duke mos e lânë, për nji periudhë të gjatë të marrë e t’apë me nji Shtet balkanik qi mundohej të merrej vesht nëpër Shqypní me Komandën anmike për dâmt të Kuptimit, e kur Besararët e mblodhën me marrë turrin në Balkan, shqyptarët u çuen peshë kundra ushtrivet austriake e lehtësuen përparimin e ushtrivet të Kuptimit në Shqypní gjithmonë me kontingjentet shqyptare në ballë.

     Shqyptarët, të lumë për shërbimin e vogël qi kanë mundun t’i bâjnë çâshtjes së lirís, po vjinë sod, me besim të plotë, të shtrojnë përpara botës kërkesat e drejta të tyne. Çâshtjet toksore të sinisís balkanike nuk do të jenë zgidhun me të drejtë, në qoftë se çdo Shtet nuk do të ketë përmbledhun ndër kufijt e tij ato krahina ku elementet e farës së vet formojnë shumicën e popullsís. Bash në faktin qi s’ka qênë nderuem ky parim në Shqypní, e gjêjnë shqyptarët, e me arsye, shkakun e mjerivet e të vuejtjevet të tyne. Parimet e aqpeshimit e të statu quo-it qi formojshin bazën e kongresevet në kohnat e kalueme, s’mund, t’ishin veçse nji mynxyrë për Shqypnín, si vênd pa projtje e i lakmuem prej fqîjvet të vet grek e slav të mbështetun mbi projtës të fuqishëm.

     Kështu pra qe qi Kongresi i Berlinit më 1878 përpara dhe Konferenca e Londrës më 1913 mbasandej vêndosën cungllimet e tokës kombtare të Shqypnís për fitimin e Malit të Zi, Serbís e Greqís, cungllime aqë mâ tepër të padrejta kur në viset e sakrifikueme lêjshin pa farë garantie grumbuj shqyptarësh qi formojshin nji shumicë të madhe.

     Le të na ipet lêjë të vêmë n’oroe, këtu duke kaluem, se syproria e qytetnimit grek dhe slav, për të cilën fort shpesh âsht bâmun fjalë, rrin keq me salvimet sistematike, me rrenimet e të djegunat e sa tjera tmerrime të shkaktueme prej Grekvet e Serbvet kundra popullsivet paqtore të Shqypnís: fakte këto të njohuna prej Fuqivet të Mëdhaja, sa nuk lânë nevojë për me u treguem këtu hollë e gjatë.

     Mbas si ky Kongres s’ka mâ në shpirt formula të thata, por parime të vërteta të drejtësís qi po kërkon gjithë bota, shpresa po përtrîhet me arsye të drejtë në zêmrat e shqyptarvet.

     Kërkesat qi kombi shqyptar i paraqet Kongresit, përmblidhen në trí kategorí; do me thânë t’i këthehen Shtetit Shqyptar, mëvetesía e të cilit âsht njohun e garantisun prej Konferencës së Londrës më 1913:

     1°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Malit të Zi me vêndimet e Kongresit të Berlinit e me ato të Konferencës së Londrës 1913;

     2°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Serbís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913;

     3°) Viset shqyptare qi i janë dhânë Greqís me vêndimet e Konferencës së Londrës 1913.

Kur Shqypnia po kërkon kështu të drejtën e bukur të saj, po vijnë për qark disa lajme, pak t’errta âsht e vërtetë, pas të cilavet disa nga këta Shtetën balkanas po nxjerrin pretesa të reja përmbi vise qi gjinden ndër kufîjt e Shtetit Shqyptar mëvete, ndër nj’ata kufîj qi janë caktuem me aktet e Konferencavet të Londrës e Firencës, të cilat akte edhe kishin bâmun nji padrejtësí të sheshtë duke mos marrë para sŷsh të drejtat e ligjëshme të popullit shqyptar. Duket e tepër me dëftyem se sa të padrejta do t’ishin këto pretesa, por me gjithë këtê âsht edhe e nevojshme me shkuem për sŷsh pak argumentat, me të cilët’anmiqt t’anëkishin me dashun t’u provojnë drejtësín atyne pretesave.

     Serbët kanë vûmun para, në kohnat e kalueme, nevojën për me dalun në det nëpër tokën Shqyptare. Tash kjo arsye s’âsht mâ sod, tue qênë se Serbia nuk do të jetë mâ pa limane n’Adriatik; por, si do me qênë, nji aso nevoje tregtare nuk do t’ishte e atillë natyre sa t’i epte të drejtë Serbís për nji grabitje si ajo qi thamë.

     Të gjitha statistikat qi kanë paraqitun Grekët për me mbështetun kërkesat e tyne në Shqypní, kanë njê bazë të gabueme. N’aktet e lindjes të Qeverís Turke të gjithë të krishtênët ortodoksë të mbretnís ishin quejtun rumë (grekë). Ky gabim rridhte nga fakti qi të gjithë këta të krishtênë vareshin fetarisht te Patrikata e Stambollit. Por kjo nuk donte me thânë aspak se të gjithë këta të krishtênë ishin prej farës greke. Tuke qitun si Grekë të gjithë këta të krishtênë pra, e vetëm kështu, Qeveria Helenike po arrin me gjetun njê farë shumice në disa pjesë të Shqypnís. Por mbas atij hesapi duhej me besuem se nuk ka as nji Shqyptar ortodoks në Shqypní.

     Nuk janë pra cungllime të reja ato qi kombi shqyptar pret, por, për kundras fare, ay pret të përtânsohet në kufîjt e tij etnikë, pret qi t’i këthehen në gjît të vet ata grumbuj qi i ishin këputun me përdhûnë në kohnat e shkrueme e qi t’i njihet e bukura e drejtë e tij; e, bash kjo çâshtje e shêjtë âsht qi ay do t’i vênë krahat përpara Kongresit të Paqës me anën e përfaqsuesvet të tij, të cilët as nji kongres në kohnat e shkueme s’ka dashun t’i a ndëgjojë.

     Sikurse do të shihet nga karta gjeografike ngjitun këtu, kufini etnik i Shqipnís fillon prej gjînit të Spicës (në verit të Tivarit), këthehet drejt nord-estit duke marrë mbrênda Tuzin, Hotin, Grudën, Triepshin, Podgoricën, dhe, duke ndjekun kufinin e Malit të Zi qi ka pasun përpara motit 1912, përmbledh Pejën, Gjakovën, Mitrovicën (pjesën lindore), Prishtinën, Gjilanin, Ferizovikun, Kaçanikun, nji pjesë të kazás së Shkupit, Tetovës, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, për me arrijtun te “Mali i Thatë” ndërmjet liqêjvet t’Ohrís e të Prespës. Qy nga kjo pikë kufîni ndjek vijën e 1913-s deri te maja e malit Gramoz e vazhdon drejt sudit për me dalë afër gjînit të Prevezës. Të gjitha viset qi gjinden në Perëndim të këtij kufîni përbâjnë Shqypnán etnike e historike.

     Mbrênda ndër këta kufîj qi caktuem mâ sipër, jetojnë afër 2.000.000 Shqyptarë, nga të cilët mâ pak se gjymsa ndër kufîjt e shënuem në Konferencën e Londrës dhe tjerët n’ato vise qi u ishin lânë, po n’atê Konferencë, Malit të Zi, Serbís e Greqís.

     Pas rrokullimesh qi kanë ngjamun në Shqypní këto vjett e fundëm: vrasa të gjithmbarshme e shpërngulje e tjera, do t’ishte njê guxim me u çuem për me dhânë statistika të preme përmi gjinden e sodshme. Por mund të thuhet, pa u larguem prej së vërtetës, se në viset e lëshueme Shtetënvet qi u përmêndën mâ sipër, popullsia shqiptare përbân nji shumicë 80% mbi elementët slav e grek. Në disa nga këto vise, për shêmbëll në kazát e Pejës, Gjakovës e Prizrêndit në Nord e në Krahinën e Çamërís në Sud, elementet slav e grek formojnë nji pakicë fare të vogël.

     Nuk po kërkojmë kurrgjâ qi s’âsht shqiptare. Kurrë s’kemi pasun në shpirt të përmbledhim në Shtetin shqiptar grumbuj qi u përkasin tjera kombsive, të cilët, për me qênë mandej të bashkuem me vëllaznit e tyne, do të mundeshin me na shkaktuem turbullime qi na kemi interesë me i larguem prej vetes me të tâna mënyrët.

     Po kërkojmë me u bâmun të zott e vêndevet shqiptare qi na janë këputun me traktatin e Berlinit e me Konferencën e Londrës; po kërkojmë mëvetesín e tânsín toksore të Shqipnís e respektimin e të drejtavet syprane të kombit shqiptar. Po kërkojmë edhe shpërblime ekonomike për nji numër të madh katundesh të djeguna nga ana e Grekvet n’anën e poshtme të Shqypnís e për rrenimet qi kanë bâmun ushtrít e Mbretnivet Qêndrore sa kanë mbajtun vêndin nên pushtim të tyne. Tue pasë qênë vêndi i pushtuem, tue pasë mbetun pa qeverí, s’ka pasun deri sod se si me e çmuem në nji mënyrë të preme shumën e këtyne dâmeve. Qeveria e Përkohëshme Shqyptare, qi âsht zgjedhun me 25 dhetor 1918, âsht tue punuem për me bâmun gati listën, e cila ka me u paraqitun në Kongres sa mâ shpejt.

     Kombi shqiptar deshiron të punojë në paqë për me zhvilluem pasunít e vêndit të vet; të bâhet nji element mbarsie në sinisín balkanike e të marrë radhën e tij ndër kombet e tjera të qytetnueme.

     Vêndimet e padrejta të kohës së shkueme e kanë shtuem mâ tepër lakmín e guximin kundra të dobtëve edhe kështu janë bâmun shkaku i shumë mjerimeve e vuejtjeve. Kongresi i sodshëm, duke fshimun padrejtësít e kalueme e duke i dhânë secilit atê qi i përket, do të ketë hudhun themelët e nji paqe të qêndrueshme në sinisín balkanike, ku turbullina të herë-pasherëshme u kanë qitun gjithmonë punë të vështira e të mërzishme kanqellarivet të Fuqivet të Mëdhaja.

Paris, 12 Shkurt 1919

(Nênsh.) TURHAN

Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare” Kapitulli  “Shqypnia përpara Konferencës së Paqes”

Parashtruemja e Kërkesavet Shqiptare përpara Këshillit të të Dhetvet.

     Shqiptarët e mbështesin të tânë shpresën e tyne më drejtësín e kësaj Mbledhjeje të Naltë. Ata shpresojnë se parimi i kombsivet, qi âsht proklamuem aqë naltas e me aqë bujë si nga ana e kryetarit Ëilson ashtu edhe prej shokvet të mëdhâj të tij, nuk ka me qênë nji fjalë e kotë e se të drejtat e Shqipnís qi kanë qênë marrë deri sod nëpër kâmbë kanë për t’u nderuem në këtê Kongres, i cili ka marrë mbi vete misionin e naltë për me begatun njerzín me nji paqë qi, për me qênë e qêndrueshme, duhet të jetë ngrehun vetëm mbi të drejtën e drejtësín.

     Ay qi nuk i ka njohun mâ s’pari të drejtat e kombit shqiptar ka qênë Kuvêndi i Berlinit. Arsyet e kësaj mosnjohjeje shkoqiten me fatin qi Shqipnia s’ka pasun kurrë projtës ashtu si kombet e tjera të Balkanit. Shkoqiten edhe me situatën gjeografike të Shqipnís qi ka tërhekun gjithmonë lakmít e fqîjvet të vet.

     Traktati i Berlinit i ka këputun Shqipniës Tivarin, Hotin, Grudën, Triepshin, Kuçin, Podgoricën, Plavën e Gucín për Malin e Zi, edhe nji pjesë nga ana e poshtme ndërmjet gjînit të Prevezës e lumit Kalamas për Greqín. Mbi këtê padrejtësí Shqiptarët formuen Lidhjen patriotike të Prizrêndit qi i u kundrështue me armë lëshimit të Plavës, Gucís, Hotit e Grudës. Fuqít e Mëdhaja i dhanë at’here Malit të Zi, si shpërblim të këtyne viseve, limanin e Ulqinit. Edhe ky shpërblim mundi të vêhet në veprim vetëm me njê “demostratë navale”, qi njihet mjaft mirë me êmnin “Demostrata Navale e Ulqinit”.

     Nga ana e poshtme Lidhja qêndroi gjithashtu gallsisht. Komisioni ndërkombtar qi kishte vajtun në Prevezë për me i dhânë Greqís ato vise shqiptare, hasi në qêndrimin e popullsís e duel e shkoi pa qênë i zoti me e mbaruem misionin e vet. Mbi raportën e këtij komisioni Mbretnít e Mëdhaja u shtrënguen t’i a njohin karakterin shqiptar asaj krahine qi deshën t’i japin Greqís dhe e zbritën kufînin e kësaj te lumi i Nartës.

     Me arsye të drejtë âsht thirrun traktati i Berlinit “traktati i vorrimit të Shqipnís”. Me gjithë këtê cungllimet q’i ka bâmun traktati i Berlinit Shqipnís munden me u quejtun gërvishtje, po të përkrahasohen me ato q’i ka bâmun Konferenca e Londrës më 1913. Kësaj Konference nuk i mjaftoi via e Kalamasit si kufî, të cilën Shqiptarët, sikur u pa, e kishin prishun e çuem në Nartë, por i dha Greqís gjith’ atê krahinë prej gjînit të Prevezës e deri në Kep Stilos. Kjo krahinë, qi shtrihet deri më 30-40 kilometra thellë, ka pasun, para luftës balkanike nji popullsí të përgjithëshme 63.000 shpirtësh, nga e cila 40.000 Shqiptarë musulmanë, 14.000 Shqiptarë të krishtênë e 9.000 Grekë.

     Në Nord e n’Est i ka falun Malit të Zi e Serbís Krajen, Anën e Malit e bajrakët e Hotit e Grudës, Plavën, Gucín, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, Prishtinën, Gjilanin, Ferizovikun, Kaçanikun, Shkupin, Prizrêndin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Dibrën, Strugën e Ohrin. Në këto vise, qi gjinden në dy vilajetet e hershme të Kosovës e të Monastirit, popullsia shqiptare formon nji shumicë 80% mbi elementin slav. Kërkojmë pra të gjitha këto vise qi na janë këputun me Kuvêndin e Berlinit e me Konferencën e Londrës.

     Kosova qi Serbvet u pëlqen t’a quejnë “Serbia e Vjetër” ka qênë heret e vonë vênd i populluem me Shqiptarë. Serbët kanë shkelun aty më të shtattin shekull, por s’kanë mundun kurrë të zânë vênd si prej kryengritjeve të Shqiptarvet si prej bashklakmís së Bullgarvet.

     Mbipeshimi serb në krahinët e Kosovës kurrë ndo njê herë s’ka ngjatun; Shqiptarët kanë formuem gjithmonë shumicën e madhe të popullsís së saj, me gjithë të ndrydhunit e salvimet qi kanë psuem prej Serbvet. Popullsia serbe qi âsht futun mbasandej nuk formon mâ tepër se 15%.

     Shqiptarët kanë bâmun në kohnat e fundme e sidomos më 1910, 1911 e 1912, sa kryengritje për me fituem lirín e tyne. Më 1912, 18.000 Shqiptarë prej Kosove, pas nji lufte të fortë kundra ushtrís turke, pushtuen qytetin e Shkupit, duke shtrënguem Turqín qi t’u bânte konqesina.

     Qeveria turke qe gati për t’u njohun Shqiptarvet të drejtën për sa kishin kërkuem e për të formuem nji administratë autonome, e cila do të përmblidhte tre vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës edhe nji pjesë të vilajetit të Monastirit. Shtetënit e Balkanit duke kuptuem dobsín e Turqís qi s’po mundte me i shtruem Shqiptarët e duke pasun frigë se po formohej nji Shtet vetqeverimtar shqiptar n’ato vênde qi lakmojshin prej sa kohe, shpejtuen me i shpallun luftën Turqís e prandej Shqiptarët nuk mundën të nxjerrin ndo nji fitim nga konqesít qi kishin fituem me armë në dorë.

     Në të damen e vêndevet të Balkanit më 1913, atdheuynë u bâ flia e fqîjvet për me mos i u dhânë shkak njê lufte europiane. Por tashti qi kjo luftë u bâ edhe âsht tue marrë fund me triumfin e të drejtavet të gjithë popujvet, besojmë plotësisht se ato krahina të gratëshme thjesht shqiptare, pa të cilat Shqipnia as nuk mundet me jetuem, kanë për t’i u këthyem mâmës-atdhè.

     Ndonse âsht e vërtetë qi do të hyjnë disa pakica të hueja në kufîjt e Shtetit shqiptar, do të ketë edhe grumbuj të mëdhâj Shqiptarësh qi kanë për të mbetun jashtë.

     Konferenca do e mos do t’a shohë ndryshimin qi gjindet ndërmjet deshirit t’onë të drejtë për me futun vëllaznit t’anë në familjen shqiptare, e lakmivet të padrejta të fqîjvet t’anë, të cilët, duke mos u ngîmun me aqë vênde thjesht shqiptare qi na kanë këputun me përdhunë, vijnë përsëri me i kërkuem qi të na këputen të tjera.

     Greqia kërkon nji pjesë të Shqipnís së Poshtme, të quejtun Epir i Veriut, duke prumun si argument se në këtê krahinë ka njê popullsië prej 120.000 Grekësh e 80.000 Shqiptarësh. Na i qesim të padrejtë këta numra e thomi qi popullsia greke në këtê krahinë nuk i kapërcen 20.000 shpirtë. Këta 20.000 shpirtë rrijnë në fushët të Dropullit e të Vurkut të Delvinës. Janë të gjithë bujqë, pa tokë e pa shtëpí, qi punojnë dhenat e Shqiptarve.

     Thuhet edhe qi të tânë Shqiptarët ortodoksë duhet të quhen Grekë, pa u marrë para sŷsh kombsia e vërtetë e tyne.

     Kjo davà e kotë e ka shtymun natyrisht priftnín greke me e bâmun fenë nji vegël të ndrydhuni e tiraníe.

     Lidhja e Prizrêndit i pati këputun Turqís lêjën me hapun nji shkollë shqipe në Korçë. Priftnía greke mallkonte ata prindën ortodoksë qi dërgojshin fëmijët në këtê shkollë e i paditshin te qeveria turke si kospiratorë kundra njësís së Shtetit. Kjo manovër ka shkaktuem mërgimin e burgimin e shumë krenëve familjesh shqiptarë e mbërrîni deri në të mbyllunit e shkollës.

     Nga ana tjetër, qeveria turke duke i shtrënguem gjithashtu prindnit musulmanë për me mos i lânë të dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe, kishin, në këtê rasë, me priftnín greke njisí qëllimesh e bashkpunim të plotë ndërmjet tyne.

     Tue i marrë Shqiptarët ortodoksë për Grekë, po qitet mêndimi qi s’do t’ishte punë e drejtë me i shtruem nji pakice mâ pak të qytetnueme nji shumicë me njê qytetní mâ të naltë. S’mundet me u bâmun fjalë për ndryshim qytetníe ndërmjet bijvet të nji fare qi jetojnë bashkë pa ndryshim konditash, qi flasin nji gjuhë pa ndryshim zakonesh. Në qoftë se Shqiptarët ortodoksë janë mësuem në shkolla greke, Shqiptarët musulmanë e katolikë, të cilvet u ishte ndaluem e drejta me u mësuem në gjuhë kombtare, kanë kënduem në shkolla turke, italiane, frênge, hinglize e amerikane.

     Po merren për shkak ndîesít filogreke të Shqiptarvet ortodoksë. Këtij mêndimi i vêmë kundra atê të Lord Hobhouses qi ka shoqnuem Lord Byronin në Shqipní e qi shkruente në fillim të shekullit të nândëmbëdhetë mbi popullsít e Epirit otoman:

     “Vetëm Shqiptarët e kanë ndîesín e kombsís; as nji prej popujvet tjerë të mbretnís otomane s’ndîen tjetër gjâ përveç fesë”.

     Z. Abaret, delegat i Francës në Komisionin e Rumelís Lindore, në nji mêndore q’i ka paraqitun komisionit më 13 Gusht 1880, ka thânë:

     “Shqiptarët rrojnë në nji harmoní të plotë; para ç’do sêndi tjetër janë Shqiptarë. N’âsht e vërtetë qi katolikët janë të lidhun me gjithë zêmër mbas fesë së tyne, s’âsht mâ pak e vërtetë prap se për ata, si edhe për bashkatdhetarët e tyne musulmanë, ndîesía kombtare, dashunia për vêndin e vet e nderimi i zakonevet të vjetra janë sênde qi kanë mâ të madhen rândësí e qi dalin përmbi të tâna tjerat”.

     Qe edhe se çë shkruen Z. Vaucher, në “L’Ilustration” të 7 Prillit 1917, mbi kazán e Korçës:

     “Shqipnia e Shqiptarvet, kjo âsht kryefjala e të tânë ndêjësvet të kësaj fushe pjellore të Korçës.

     “Qyshë sod dy muej qi âsht formuem republika e Korçës, Shqiptarët po na e provojnë se janë të zott me jetuem në harmoní njêni me tjetrin. Ngatërresa fetare s’ka mâ, përse s’ka mâ se kush t’i nxisë”.

     Anmiqt t’anë kërkojnë nga Shqipnia bash nj’atê krahinë qi çetat gjeritase të Zografit me ushtarë grekë të shndërruem, nên urdhën t’oficerve grekë, e kanë djegun vetë me dorë. Asht çudí me pamun qi Grekët të munden me i quejtun të tyne këto vise, mbas si i rrenuen e i rrafshuen krejt për tokë. Mbi këtê, Z. Vaucher, korrespondenti i Illustration-it shkruen:

     “E gjithë kjo krahina e Kolonjës âsht rrenuem prej çetavet greke më 1913. Emnat qi gjinden mbi kartët s’janë mâ tjetër veçse kujtime. Mbi dhé s’kanë tjetër shêj veçse disa gërmadha të paforma qi dëftejnë vêndet e katundevet musulmane”.

     Duket se tue kërkuem Epirin e Epër, Grekët s’kanë qëllim tjetër veçse me frigsuem Shqiptarët e me i bâmun të hekin dorë nga kërkesat e drejta të tyne n’Epirin e Poshtër e sidomos mi Çamërín qi âsht thjeshtë shqiptare.

     Kur kundrëthânsit t’anë bâjnë davá se Shqiptarët ortodoksë t’Epirit t’Epër do të kishin dëshirë me u bashkuem me Greqín, Vëlleht e Pindit, qi e kanë njohun mirë administratën greke, po lypin bashkimin me Shqipnín.

     E si munden me u pajtuem këto dy mêndime? Si mundet me u pranuem qi të ketë Shqiptarë me mohuem vëllaznit e vet, kur njê element i huej, si Vëlleht, s’po kërkon tjetër veçse bashkimin me Shqiptarët?

     Shqipnia qi ka vuejtun shumë të këqia, po sa të jetë përngrehun, do t’a bâjë detyrë të veten me jetuem në bashkim të plotë e me nji shpirt tolerance sa mâ të gjânë, duke u dhânë pakicavet të hueja të gjitha të drejtat qi u njihen në vêndet mâ të përparuemet në qytetnim.

     Kufîni i Shqipnís në Sud duket si me qênë caktuem prej natyre: âsht vargu i malevet të Gramozit e Pindit. Vetëm ky kufî mundet t’u përgjigjet nevojavet projtorake e ekonomike të nji vêndi kaqë të pafuqishëm si Shqipnía.

     Po të kishte pasun Shqipnía lirië në veprimet e saj, do t’ishte vûmun do e mos në shërbim të Kuptimit me i ndihmuem me të tâna fuqít e veta. Deri ditën kur âsht pushtuem prej anmiqvet, të gjitha mjetet qi ka pasun në dorë, i ka vûmun në shërbim të Kuptimit, duke u dhânë ndihmë e ushqim ushtrivet serbe në të tërhekunit e tyne nëpër Shqipní.

     Shërbimet e bâme ushtrivet serbe marrin njê rândësí mâ të madhe, kur të kujtohen barbarít e plojet sistematike të bâme po prej këtyne ushtrive serbe, sidomos kundra popullsivet shqiptare të Kosovës në luftat e pas luftash balkanike, si edhe të djegunit e shumë katundeve shqiptare të raportueme në kohët të vet nga ana e të tânë korrespondentavet të shtypit europian.

     Shqiptarët u kanë bâmun mâ të mëdhajat shërbime ushtrivet italiane e frênge qyshë se ato kanë arrijtun në Shqipní, e, nga ana tjetër, s’kanë ndëgjuem me formuem trupa ndihmëtarë në Shqipní të Poshtëme, me gjithë zotimet qi Austriakët, bashkë me nji Shtet balkanik, nuk prâjshin tuke u bâmun.

     Konferenca âsht duke u kujdesuem për me hudhun themelet e nji paqe të qêndrueshme. Kjo paqë s’mundet me u bâmun pa u marrë para sŷsh të drejtat e kombsivet.

     Për sa i përket Shqipnís, në qoftë se Kongresi, kundra këtij parimi, kishte me i pëlqyem cungllimet e bâme aqë fatkeqsisht më 1878 e më 1913, vêndi i ynë kurrë ndo nji herë s’ka me e gëzuem atê qetësí q’i duhet për zhvillimin e tij ekonomik; ky do t’ishte edhe krijimi i krizave periodike në Greqí e në Serbí, të cilat s’janë aspak të zôjat me përtypun njê shumicë Shqiptarësh aqë madhështorë për mëvetësín e tyne e aqë të lidhun mbas gojdhânavet kombtare. Kjo situatë âsht e atillë natyre me shkaktuem turbullime të padame për të gjatë gjithë kufîjvet të Shqipnís.

     Padrejtësít e plojet e bâme kundra popullsivet shqiptare qi banojnë krahinat e zaptueme nga ana e Shtetënvet të sipërêmnuem, bâjnë me pasun frigë prej fatit qi po i pret, këto popullsí, të cilat s’kanë me njohun paqë veçse në hikë ase në vdekë.

     Kjo do të sjellë në kujtim fjalët e Taqitit: “Ubi solitu dinem faciunt, pacem appellant”

Paris, më 24 Shkurt 1919

Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”

Kapitulli “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Partia anti-Berisha: Keqardhje për vendimin e Kushtetueses! Deputetët do zgjidhen nga kryetarët e jo qytetarët! Ne do zbatojë listat e hapura, të tjerët të na bashkohen

Partia anti-Berisha: Keqardhje për vendimin e Kushtetueses! Deputetët do zgjidhen nga kryetarët e jo qytetarët! Ne do zbatojë listat e hapura, të tjerët të na bashkohen