100-vjetori kryeqytet, Veliaj nderon familjet tiranase: Bibliotekë dhe Teatër i ri Kukullash 

Me rastin e  100-vjetorit të shpalljes si Kryeqytet, Bashkia e Tiranës nderoi sot me medalje mirënjohje disa nga familjet më të nderuara tiranase, të cilat kanë kontribuar ndër vite për qytetin.  
 Në ceremoninë e dedikuar kësaj ngjarje të rëndësishme të kombit shqiptar, merrnin pjesë  deputetë, anëtarë të qeverisë, kryetarë bashkish nga vendi dhe trevat shqiptare, personalitete të klerit dhe të kulturës shqiptare si dhe pasardhës të familjeve të vjetra të zonës.  

Kreu i Bashkisë u shpreh se në këtë 100-vjetor, Tirana vjen si një kryeqytet me aspiratën për t’u bërë një qytet modern dhe evropian. “Unë ndihem i përkëdhelur, i privilegjuar nga fati që më takoi mua, më rastisi mua të jem kryetari i Bashkisë kur mbushen fiks 100-vite nga momenti kur qeveria e Sulejman Delvinës, hyri në Tiranën që u bë kryeqytet në atë kohë. Jam i lumtur që jemi sot të gjithë bashkë në këtë ditëlindje të parë të shekullit të  parë të Tiranës kryeqytet. Tirana nuk është perfekte, por megjithatë ka një aspiratë të bëhet një qytet modern dhe ëpian dhe shumë punë na pret përpara në këtë drejtim.  Ta gëzojmë 100-vjetorin e Tiranës dhe le të endim në jetët e të tjerëve një monument që vlen më shumë se çdo monument guri dhe që është dashuria dhe respekti që kemi për njëri-tjetrin”, theksoi ai. 

Veliaj nënvizoi se klasa politike ka për detyrë që të plotësojë atë kohë të humbur që ka ndodhur me Tiranën në disa raste në këto 100 vite. “Historia e Tiranës nuk ka qenë gjithmonë pozitive në aspektin politik, ka pasur ulje, ngritje, hone, kodrina që sot na bëjnë të reflektojmë, si i kemi shpenzuar 100 vitet e para në Tiranë. Si klasë politike kemi detyrë që na duhet të plotësojmë atë kohë të humbur që ka ndodhur me Tiranën në disa raste në këto 100 vite. Gjithsesi mendoj se modele pozitive si ngjarje që na bëjnë krenarë dhe na frymëzojnë në këto 100 vite në Tiranën kryeqytet janë të shumta. Ju kujtoj duke filluar nga vitet e para ku Mbreti Zog solli moderizimin e Tiranës, me ideimin, projektimin, ndërtimin e kompleksit të ministrive dhe bulevardit në vitet ’20-’30; Epopeja e luftës për çlirimin e Tiranës, etj”, shtoi kreu i Bashkisë. 

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se Tirana sot është jo vetëm epiqendra politike, kulturore, sociale, por edhe fuqia ekonomike. “Sot mund të themi me plot gojën se Tirana kryeqytet ishte stolia më e bukur dhe vendimi më i drejtë dhe largpamës që buroi nga Kongresi i Lushnjës. Jam i lumtur që të gjithë jemi sot këtu bashkë në këtë ditëlindje të parë të shekullit të parë të Tiranës kryeqytet”, deklaroi Veliaj. 

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky është edhe një moment për të parë atë që është bërë në këtë një shekull dhe për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen. Teksa nënvizoi nevojën për më shumë bashkëpunim, Veliaj theksoi se është koha për të marrë vendime të drejta për ta çuar Tiranën përpara. “Teksa futemi në një shekull të ri të Tiranës, ka ardhur koha që të shohim përpara dhe të marrim disa vendime. Në dallim me shekullin që kaloi do duhemi më shumë apo do urrehemi më shumë. Do punojmë më shumë apo do pengojmë më shumë, do respektojmë më shumë apo do fyejmë më shumë. Ju pyes edhe pse pyetjet janë retorike por janë pyetje që secili do të duhet t’i përgjigjet ne e kemi vetë në dorë avancimin apo pengimin e këtij qyteti, mallkimin apo bekimin e këtij qyteti. Unë besoj se do të marrim vendime të drejta, që Tiranën ta çojmë përpara”,  tha Veliaj.  

Kreu i Bashkisë deklaroi se në respekt të historisë,  godina ku u mblodh  Këshilli Kombëtar që ishte njëkohësisht edhe parlamenti i parë shqiptar që sot shërben si Teatri i Kukullave do të kthehet në një shtëpi muze. “Në 27 Mars 1920, pra pak më shumë se një muaj nga shpallja kryeqytet, u mblodh Këshilli Kombëtar, që është njëkohësisht edhe parlamenti i parë shqiptar në godinën ngjitur që sot shërben si Teatri i Kukullave dhe shumë shpejt do ta rikthejmë në një shtëpi muzë të Parlamentin shqiptar, për ta transferuar bashkë me kryeministrin Teatrin e Kukullave në një ndërtesë tjetër moderne dhe për t’u siguruar që në shekullin e dytë kthejmë kokën pas për të kujtuar atë pikë reference të Parlamentit shqiptar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se që në ditët e para një nga vendimet e para ka qenë dhe themelimi i Bibliotekës Kombëtare. Ai dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për themelet e godinës së re të Bibliotekës Kombëtare që do i shërbej studiuesve por edhe të pasionuarve pas librit e dijes.  “Një shtëpi mund të prishet, një makinë mund të përplaset, një gjë që ke në xhep, një celular mund të humbasë, e vetmja gjë që nuk ikën është dija. Etërit e kombit tonë, dinin diçka që institucionin e parë që themeluan pas Parlamentit, ishte institucioni i Librit. Unë besoj që nuk ka gjë që jehon më shumë nga shtetformimi i ditëve të para, se akti i parë i Parlamentit, si themelim të Bibliotekës Kombëtare si një nga institucionet kryesore. Dhe lajmi i mirë për të gjithë ata që ende e kanë librin një udhërrëfyes dhe një standard jetesë në jetën e tyre, është që qeveria shqiptare dhe kryeministri sapo ka konfirmuar ngritjen e Bibliotekës së re Kombëtare dhe si një shenjë mirënjohjeje për të filluar shekullin e dytë ashtu siç e filluan të parët tanë shekullin e parë me librin dhe Bibliotekën Kombëtare”,  deklaroi Veliaj.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gazetarja italiane arrestohet në Teheran

Gazetarja italiane arrestohet në Teheran