105-vjetori i FA, Meta: Kuvendi
e qeveria t'i trajtojnë me kujdes

105-vjetori i FA, Meta: Kuvendi<br />e qeveria t'i trajtojnë me kujdes<br>
Presidenti Ilir Meta me rastin e 105-vjetorit të FA kërkon nga Kuvendi dhe qeveria që të trajtohen me kujdes të veçantë. Kreu i shtetit thotë se në këto çaste, një mirënjohje e posaçme u shkon ushtarakëve që po punojnë me përkushtim për t’u përballur me situatën e vështirë të përmbytjeve në vend.

Për Metën, angazhimi i Forcave të Armatosura dhe koordinimi i tyre me institucionet e tjera dhe autoritetet lokale është një garanci më shumë në ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve të pronës private dhe publike.

Mesazhi i Metës për FA
Mesazh i Presidentit të Republikës Ilir Meta me rastin e 105-Vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura të RSH! Të nderuar ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, 105-Vjet më parë, vetëm pak ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, u krijuan Forcat tona të Armatosura. Me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, si President i Republikës së Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam nderin e veçante që t’ju përcjell të gjithëve ju ndjenjat e konsideratës time më të lartë për përkushtimin dhe sakrificat tuaja në shërbim të atdheut dhe interesave tona kombëtare.

Një mirënjohje të veçantë kam për të gjithë familjarët e ushtarakëve tanë, sakrificat e tyre dhe forcën që ata gjejnë për të përballuar largësinë dhe mungesën e bijve, prindërve dhe bashkëshortëve të tyre. Në këtë përvjetor të shënuar historik ne kujtojmë me respektin më të madh të gjithë ata që kontribuan për krijimin dhe fuqizimin e Ushtrisë Shqiptare që nga Mehmet Pash Derralla deri në ditët e sotme.

Në mënyrë të veçantë përkulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Atdheut, të cilët dhanë jetën e tyre për lirinë e pavarësinë e vendit tonë. 105-Vjetori i krijimit të Forcave tona të Armatosura na gjen sot anëtarë të NATO-s. Ndaj një falënderim e mirënjohje të veçantë për të gjithë ushtarakët shqiptarë që kontribuojnë aktualisht përkrah forcave ushtarake të Aleancës në Afganistan, Detin Egje, Letoni, në Mali, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, e kudo në misione ndërkombëtare.

Në këto çaste, një mirënjohje e posaçme u shkon ushtarakëve të Forcave të Armatosura që po punojnë me përkushtim për t’u përballur me situatën e vështirë të përmbytjeve në vend. Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe koordinimi i tyre me institucionet e tjera dhe autoritetet lokale është një garanci më shumë në ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve të pronës private dhe publike.

105-Vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura të Shtetit Shqiptar më jep mundësinë të konfirmoj edhe njëherë mbështetjen e palëkundur për zhvillimin dhe modernizimin e tyre. Ky moment historik më nxit, gjithashtu që të inkurajoj Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë dhe gjithë aktoret e tjerë në vend që të vlerësojnë dhe trajtojnë me kujdes në rritje ushtarakët shqiptarë.

Gëzuar 105-Vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë! Lavdi të përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën në emër të Atdheut! Zoti i bekoftë ushtarakët shqiptarë, kudo ku ata shërbejnë në dobi të demokracisë, paqes, sigurisë dhe lirisë.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi me shpullë të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi me shpullë të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato