
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar 113 vjetorin e Pavarësisë. Në një postim në rrjete sociale, ish-presidenti shprehet se përulen me respekt dhe nderim para Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit dhe figurave të tjera që mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Ai shprehet se patriotizmi dhe sakrificat duhet të jenë drita që na udhëheq drejt një rruge të drejtë në mbrojtje të Shqipërisë.
"Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit më përbashkues, më të shenjtë dhe më të dashur për çdo shqiptar kudo ndodhet. Si çdo 28 Nëntor, përulemi me respekt dhe nderim të thellë para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, që me qëndresë, sakrifica sublime dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Përjetë mirënjohës Atit të Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemalit, i cili 113 vite më parë, së bashku me Etërit e Pavarësisë, shpallën në Vlorë më 28 Nëntor 1912 Pavarësinë e Shqipërisë. Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot pas moti shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëria jonë e dashur! ", shkruan Meta.
Lajmi kryesor:
Politika uron 113 vite shtet, Rama: Gëzuar Pavarësinë! Trump-Begajt: Urime popullit shqiptar! Mesazhe edhe nga Kosova, BE e NATO












