Përfshirja e të miturve në konflikte fizike vijon të mbetet në nivele shqetësuese në qarkun e Fierit. Vetëm gjatë periudhës janar–tetor 2025, sipas burimeve policore janë regjistruar 12 konflikte mes të miturve, nga të cilët në 4 raste janë përdorur thikat e biçakët.
Kjo do të thotë se çdo muaj është shënuar të paktën një konflikt ku janë përfshirë djem te moshës 14-18 vjeç, që me pas kanë përfunduar në polici.
Po sipas të njëjtave burime, 18 të mitur janë proceduar penalisht gjatë kësaj periudhe, kryesisht për vjedhje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Sipas psikologes Krisalda Sauli, një sërë faktorësh ndikojnë në përfshirjen e të miturve në krime, që nga mungesa e mbështetjes në familje e shkollë, e deri tek tendenca e djemve për të pasur një status social të spikatur në grupet e tyre.
“Prindërit”- thotë ajo- “u kane dhënë liri të tepruar fëmijëve, ndërsa mësuesit janë gjithnjë e më neglizhentë ndaj sjelljes së nxënësve”.
“Shpesh, dëshira për t’u dalluar ekonomikisht i shtyn drejt lekut të shpejtë”- shton më tej, - “duke rrezikuar, të bien dhe pre e krimit”.
Ndikim të madh kanë edhe historitë e vështira familjare, që i ekspozojnë fëmijët ndaj sjelljeve të dhunshme ose i çojnë drejt shoqërimit me persona më të rritur, prej të cilëve marrin modele të gabuara.
“Shpesh këta të rinj kthehen në të njëjtat situata, bëhen përsëritës të veprave penale, ndërsa të tjerë përjetojnë trauma, ankth dhe frikë,” – shpjegon psikologia.
Sipas saj, mbështetja e familjes dhe shkollës është thelbësore për t’i ndihmuar të gjejnë një drejtim të ri, duke i përfshirë në aktivitete.
“Krimet e kryera nga të miturit janë një sinjal alarmi jo vetëm për Policinë e Shtetit, por edhe për familjen, shkollën dhe komunitetin,” – përfundon Sauli.
Komente







