Merkatoja e kësaj vere ka qenë tejet intensive për futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit. Plot 12 lojtarë kuqezi kanë ndryshuar skuadër, duke zgjedhur aventura të reja në kampionate të ndryshme evropiane dhe jashtë Kontinentit të Vjetër.

Një prej transferimeve më të bujshme është ai i kapitenit Berat Gjimshiti, i cili i dha fund pas plot 10 vitesh aventurës me Atalantën. Mbrojtësi shqiptar do të vijojë karrierën në Arabinë Saudite, ku do të mbrojë ngjyrat e Al Diriyah.

Në futbollin saudit do të luajë edhe Nedim Bajrami. Mesfushori është larguar nga Rangers për t’iu bashkuar Al Taawoun, duke nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ai i Kristjan Asllanit. Pas aventurës me Interin, mesfushori kuqezi ka zgjedhur të transferohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të luajë për Al Jazira.

Në Serie A do të vijojë të luajë Mario Mitaj, me fanellën e Genoas. Ndërkohë, Ylber Ramadani ka lënë kampionatin italian për t’u transferuar në Superligën turke, ku do të jetë pjesë e Corum FK.

Ndryshim skuadre ka bërë edhe Bujar Pllana, i cili është transferuar te Grasshopper në kampionatin zviceran. Në Zvicër do të vijojë karrierën edhe portieri Simon Simoni, pas largimit nga Eintracht Frankfurt për t’iu bashkuar Luzern.

Luis Hasa do të jetë pjesë e Frosinones në Serie A, ndërsa Mirlind Daku mbetet në kampionatin rus, por do të veshë tashmë fanellën e Spartakut të Moskës.

Një aventurë të re ka nisur edhe Taulant Seferi, i cili është bërë pjesë e Kayserisporit në kampionatin turk.

Në Spanjë, Marash Kumbulla do të vazhdojë të luajë në La Liga, por këtë herë me Rayo Vallecanon. Ndërkohë, Indrit Tuci do të vijojë karrierën në Slloveni, ku do të mbrojë ngjyrat e Olimpija Ljubljanës.