13 Qershori i Bashës, beteja për shishen e qumështit pas derës së Ramës

13 Qershori i Bashës, beteja për shishen e qumështit pas derës së Ramës

Bojkoti i Reformës Territoriale. Lënia e mandateve dhe braktisja e Kuvendit. Bojkoti i zgjedhjeve lokale. Xhirot boshe me molotov e ëndrra për zgjedhje të parakohshme. Pjesëmarrja me fotofinish në reformën zgjedhore. Piruetat e vazhdueshme me betejat politike. Caktimi i vonë i drejtuesve politik të fushatës dhe pesha e lehtë e tyre në terren. Nuk janë thjesht gabimet fatale të Lulzim Bashës por arsyet që më së shumti çuan tek humbja e pritshme e zgjedhjeve të 25 Prillit. Si të mos mjaftonin këto, fushata për rikonfirmimin në krye të Partisë Demokratike e ka bërë Bashën të çmontojë në vetëm pak ditë thuajse të gjithë retorikën e tij politike anti-qeveri.
 
Mendojeni për një moment sikur Edi Rama të caktonte datën e zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar me Lulzim Bashën! Çfarë do të ndodhte? Ja që Basha e caktoi datën e zgjedhjeve brenda partisë në mënyrë të njëanshme, duke shpërfillur rivalët e tij politik që kërkuan një tjetër kohë për zhvillimin e tyre.
 
Po sikur Partisë Demokratike të mos i vihej në dispozicion lista e votuesve dhe as të mos i jepej garanci për mënyrën se si shtohen e hiqen emrat prej saj në prag të votimeve? Çfarë do të ndodhte? Ja që Basha vendosi të mos ua vërë në dispozicion listën e votuesve demokrat rivalëve të tij politik me lehtësinë më të madhe e pretekstin qesharak se “lista mbart të dhëna personale”.
 
Gjatë gjithë fushatës u kërkoi votën shqiptarëve duke u thënë se 8 vjet mjaftojnë për të kuptuar se Edi Rama ka dështuar. Vetëm pak javë më pas, Lulzim Basha po u mbush mendjen demokratëve për të kundërtën, se 8 vjet nuk janë asgjë dhe se 12 vjet nuk janë ndonjë hata të rrish në karrige. Pra, 8 vjet mjaftokan për të kuptuar dështimin e Ramës por jo për të kuptuar dështimin e Bashës!
 
Kërkonte me ngulm “….zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm pa Edi Ramën Kryeministër….”. Është i njëjti Lulzim që sot u thotë rivalëve politik brenda partisë se nuk ka ndërmend të hyjë në garë si një kryetar i dorëhequr dhe zgjedhjet e lira e të ndershme mund të bëhen edhe në një parti të drejtuar prej tij. Në përgjigje të kërkesave të Shehajt, Harxhit e Kadillit, me fanatizëm mbrojtësit e tij deklaruan publikisht se Lulzim Basha nuk ka arsye të dorëhiqet por duhet të mundet me votë. Paradoksalisht, janë të njëjtët që deri dje thonin se Edi Rama duhet të largohet e se zgjedhje me Ramën në krye të qeverisë nuk mund të bëhen kurrë!
 
E fundit, por jo për nga rëndësia. Vendimi i Sekretarit amerikan të Shtetit për shpalljen “non grata” të ish-Kryeministrit Sali Berisha rezultoi një tjetër moment i sikletshëm. “…duke nënvizuar qëndrimin e z.Berisha, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim…”, u shpreh Lulzim Basha.
 
Një qëndrim në fakt në kontrast total me atë të mbajtur për raste të ngjashme kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën “non grata” Vangjush Dakon apo Tom Doshin. Nuk ka nevojë të analizosh në thellësi arsyet e SHBA që kanë çuar tek vendimet respektive, qëndrojnë apo jo ato, për të kuptuar se si Lulzim Basha dukshëm vepron me standard të dyfishtë. Pse në rastin e Vangjush Dakos apo Tom Doshit nuk paska nevojë për “transparencë të plotë” ndërsa tek Berisha u dashka?!
 
Pse në rastin e parë, akuzat publike të vet opozitës mjaftokan për të justifikuar legjitime shpalljen “non grata” madje duhet të ekzekutohen urgjent si pretenca prokurorie ndërsa në rastin e dytë pretendimet e ish-opozitës së djeshme, medias dhe opinionit publik nuk mjaftojnë për Sali Berishën?! Teksa Vangjush Dako nuk mbante asnjë pozicion politik, Lulzim Basha i dha vetes autoritetin të kërkojë deri dhe largimin e tij nga Kryesia e Partisë Socialiste apo fushata zgjedhore ashtu sikurse i mëshoi fort nevojës që Tom Doshi të lëshonte mandatin e deputetit.  
 
Në dritën e zhvillimeve të reja, Lulzim Basha ka dy rrugë: E para, të dorëzojë zyrtarisht një kërkesë në KQZ për të kërkuar mosdhënien e mandatit të deputetit Sali Berishës, të shpallurit “non grata” dhe të përjashtojë atë gjithashtu nga Kryesia e PD, ose e dyta, tu kërkojë ndjesë publike Vangjush Dakos dhe Tom Doshit. Për të ruajtur kauzën morale të opozitës, rrugë të mesme nuk ka.
 
Fushata për zgjedhjet e brendshme në PD na dha një tjetër arsye për të kuptuar përse prej 8 vitesh Lulzim Basha është kthyer në humbës serial zgjedhjesh. Edhe nëse kundërshtarët e tij brenda partisë do ta akuzojnë në 14 Qershor për “masakër zgjedhore”, nuk është çudi që Lulzim Bashës do ti mjaftojë çertifikimi i tyre si “të lira e të ndershme” prej vëzhguesit special Sali Berisha.
 
Ajo çka me siguri mund të thuhet është se në 13 Qershor, Lulzim Basha fiton betejën e tij për të mbajtur shishen e qumështit në rradhë pas derës së Kryeministrit, me shpresën se pas 4 vitesh do jetë rradha e tij. Gjithnjë, nëse edhe atëherë nuk do të fitojë Partia Socialiste.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj