Erëra me intensitet uragani dhe stuhi të fuqishme kanë përfshirë Europën Veriore, duke shkaktuar 13 viktima, kaos në udhëtime, mbyllje shkollash dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike për qindra mijëra banorë. Të dhënat satelitore tregojnë se 80% e Europës është mbuluar nga dëbora, duke thyer kështu rekordin e vitit 2010. 

Valë e pazakontë acari, temperatura deri në -23°C dhe alarm në disa zona të Italisë

Italia po përballet me një valë të fortë të ftohti, e cilësuar nga meteorologët si një nga më të rrallat e këtij shekulli. Temperaturat kanë zbritur deri në -23 gradë Celsius në Asiagos, ndërsa në Alpet verilindore priten që temperaturat të zbresin deri në -20 gradë.

Sipas parashikimeve, kulmi i të ftohtit pritet mes së dielës dhe së hënës, me temperatura shumë nën mesataren sezonale në pjesën më të madhe të vendit. Në zonat alpine janë regjistruar vlera ekstreme, -20°C në Livigno, -15°C në Cortina, -14°C në Bolzano dhe -12°C në Trento. I ftohti është shtrirë deri në jug të vendit, me temperatura nën zero deri në Kalabri, ndërsa në Siçili bora ka zbardhur majat më të larta të Madonies.

Anglia Veriore dhe Skocia 'ngrin' së ftohti

Në Mbretërinë e Bashkuar, stuhia Goretti goditi rëndë Cornwall-in dhe pjesë të Uellsit, me erëra që arritën deri në 160 km/orë. Rreth 50 fluturime u anuluan në aeroportin Heathrow, duke bllokuar mijëra pasagjerë.

Dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji elektrike. Një burrë në të 50-at humbi jetën në qytetin Helston, pasi një pemë u rrëzua mbi karavanin e tij. 

Agjencia kombëtare e motit Met Office paralajmëroi për rrezik nga bora dhe akulli në pjesën më të madhe të vendit, veçanërisht në Skoci dhe Anglinë Veriore.

Stuhia “Goretti” lë pa energji qindra mijëra familje në Francë 

Në Francë, stuhia Goretti shkaktoi ndërprerje të energjisë për rreth 320 mijë familje, kryesisht në Normandinë Veriore. Të shtunën në mëngjes, sipas kompanisë Enedis, rreth 100 mijë banesa mbeteshin ende pa energji elektrike.

Në disa zona erërat arritën një shpejtësi deri në 216 km/orë, duke rrëzuar pemë dhe shkaktuar dëme në banesa. Shkollat mbetën të mbyllura në disa zona, ndërsa porte dhe rrugë u mbyllën përkohësisht. 

Paralizohet transporti në Gjermani 

Gjermania Veriore u përball me ndërprerje energjie, transporti dhe komunikimi për shkak të stuhisë Elli, e cila solli reshje të dendura bore dhe erëra të forta.

Shkollat u mbyllën në qytetet Hamburg dhe Bremen, ndërsa trafiku hekurudhor në distanca të gjata u pezullua. Operatorët njoftuan se disa linja do të rikthehen gradualisht, por lidhjet nga Hamburgu drejt Kopenhagës, Amsterdamit dhe Hanoverit mbeten të ndërprera.

Gjithashtu, disa fluturime u anuluan në aeroportin e Hamburgut dhe disa autostrada në Frankfurt u bllokuan.

Kaos në transportin ajror të Europës Qendrore dhe Lindore

Probleme serioze u raportuan edhe në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore. Trafiku ajror u ndërpre nga Çekia deri në Rusi, ku mbi 300 fluturime u anuluan në katër aeroportet që shërbejnë në Moskë.

Autoritetet meteorologjike anëembanë kontinentit kanë lëshuar paralajmërime për erëra “me forcë uragani” dhe reshje të dendura bore, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.