13 vjet nga shpallja e pavarësisë, figurat politike shqiptare urojnë Kosovën

13 vjet nga shpallja e pavarësisë, figurat politike shqiptare urojnë Kosovën

Flamuri i Kosovës dhe Shqipërisë

Kosova feston sot 13-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën, edhe figurat politike shqiptare kanë shprehur urimet e tyre.

I pari i cili uroi Kosovën përmes një fotoje të veçantë ishte kryeministri Rama, më pas edhe figura të tjera politike si Olta Xhaçka dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi shprehën urimet e tyre.

Në këtë ditë të rëndësishme për Kosovën, nuk munguan edhe urimet e kryetarit të kuvendit Gramoz Ruçi si dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:49
13-vjetori i pavarësisë së Kosovës, Ruçi uron Osmanin: Institucionet e reja do të përballojnë me sukses sfidat e mëdha

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka uruar Kosovën me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë.

Në një mesazh drejtuar homologes së tij Vjosa Osmanit, kryeparlamentari Ruçi nënvizon Kosova e pavarur, rezultat i Kosovës së lirë.

Ruçi shton se Shqipëria mbështet dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe se institucionet e reja do të përballojnë me sukses sfidat e mëdha.

“Me rastin e 13-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ju dërgoj urimet më të përzemërta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte kurorëzimi i përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të Kosovës për liri, sovranitet e drejtësi. Kosova e pavarur është rezultat i Kosovës së lirë.

Liria e Kosovës është rezultat i luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj e strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

Ne kemi besim se rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit do të prodhojnë institucione të forta e të qëndrueshme, të afta për të përballuar sfidat e mëdha e të vështira të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, sot e në të ardhmen.

Në këtë mision fisnik, Ju garantoj se Kuvendi dhe institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë, si edhe më parë,  mbështetjen e Kuvendit dhe institucioneve të Shqipërisë.

Shqipëria ka përshëndetur marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga ShBA, mbështet dialogun midis të dy vendeve,  ndërmjetësuar nga BE, si edhe qëndrimin e Presidentit Biden se thelbësore për ecjen përpara të të dy vendeve është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, drejt njohjes së ndërsjelltë, e cila do të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dyja shteteve dhe do të avancojë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Europian.:, shkruan në letrën e urimit  Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Ora 11:15
13 vjetori i pavarësisë, Basha uron Kosovën: Shqipëria do të jetë krah për krah me ju

Kreu i PD Lulzim Basha ka uruar Kosovën për 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë me anë të një videoje. Basha shkruan se Shqipëria do të jetë krah për krah me Kosovën në përmbushjen me sukses të sfidave dhe të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës.

"Të dashur motra dhe vëllezër nga Kosova. Në këtë datë, të dytën më të rëndësishmen të kombit tonë, dua t’ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Pavarësisë! Sot kujtojmë me nderimin më të thellë presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe mijëra bijat dhe bijtë e Kosovës që vunë në altarin e lirisë dhe pavarësisë jetët e tyre dhe gjakun e tyre.

Sot Kosova përballet me sfida të mëdha. Po unë jam i sigurt se qytetarët e Kosovës, forcat politike të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës kanë tashmë të gjithë përvojën, energjinë dhe vendosmërinë për ta çuar Kosovën përpara drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, drejt fuqizimit të ekonomisë së saj dhe prosperitetit për çdo qytetar të Kosovës.

Në këtë rrugëtim nuk do të jeni kurrë vetëm. Shqipëria do të jetë krah për krah me ju dhe unë ju garantoj se çdo ditë të jetës time, sot si kryetar i opozitës dhe nesër në krye të qeverisë, do të bëj gjithçka që Shqipëria të jetë në krah të Kosovës në përmbushjen me sukses të sfidave dhe të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës. Edhe një herë ju uroj nga zemra, Gëzuar Ditën e Pavarësisë", thotë Basha.

 

Ora 10:38
'Gëzuar ditën e pavarësisë së Kosovës', Kryemadhi: 17 shkurti i 13 viteve më parë, kurorëzoi aspiratat shekullore të saj për liri e pavarësi!

Në13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur urimet e saja.

Ajo shkruan se 17 shkurti, 13 vite më parë ka qenë kurorëzimi i aspiratave shekullore për liri, pavarësi, drejtësi e dinjitet njerëzor për të cilat bënë sakrificat më sublime mijëra djem e vajza.

“Në 13 vitet e pavarësisë, përparimi i Kosovës është mbresëlënës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, dhe në afirmimin si një partner serioz në rajon që i kontribuon paqes, sigurisë dhe integrimit të tij në BE”, shkruan ajo.

Kryemadhi në postim ka kujtuar edhe zgjedhjet e 3 ditëve më parë, ku sipas saj Kosova dha një shembull tjetër të respektit ndaj shtetit dhe vullnetit të qytetarëve të saj.

“Unë besoj dhe uroj që përballimi i pandemisë, zhvillimi i mëtejshëm ekonomik e social, përparimi me agjendën e integrimit në BE, si dhe marrëveshja e normalizimit me Serbinë që ka në thelb njohjen reciproke, janë sfida që Kosova do t'i përballojë në mënyrë të suksesshme.”, shtoi kryetarja e LSI-së.

 

Ora 09:56
Xhaçka uron Kosovën për ditën e Pavarësisë: Një ëndërr që për shumë breza dukej e pamundur, sot ka 13 vjet që është realitet!

Ministria e Jashtme, Olta Xhaçka përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook ka uruar Kosovën, për ditën e saj të Pavarësisë.

Ajo shkruan se dikur ka qenë një ëndërr që për shumë breza dukej e pamundur, ndërsa sot ka 13 vjet që është realitet.

Xhaçka përmes postimit të saj kujton me nderim edhe të gjithë ata që punuar dhe luftuar që Kosova të jetë sot e pavarur.

Ora 08:12
Dita e Pavarësisë së Kosovës, Rama uron me një foto domethënëse

Kryeministri Edi Rama e nisi mëngjesin e tij me një urim për ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama ka publikuar një foto shumë domethënëse, ku tregohet qartë lidhja shumë e ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Në foto është këngëtarja me origjinë shqiptare Dua Lipa me flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit