Anri Sala na befasoi të gjithëve në kinema Millenium. “1395 ditë pa të kuqen” ishte një film prej 45 minutash, që foli shumë, pa u thënë ndonjë fjalë. Artisti, ka gjetur një tjetër mënyrë për të komunikuar me publikun dhe për të treguar katër vitet e luftës së Sarajevës: hapësirën, muzikën dhe kohën. 

Ngjarjet zhvillohen në Sarajevë, dhe ashtu sikurse vetë artisti i tregoi publikut, janë dashur disa ditë për filmimet. Filmi na jep historinë e njërës prej artisteve të Orkestrës Filarmonike të Sarajevës, akthit të qytetarëve të atij vendi shprehur nëpërmjet saj, për të vazhduar jetën mes luftës. Për të treguar më së miri kontekstin historik, artisti Anri Sala ngjarjet i kishte vendosur në rrugë të zbrazura, me fare pak njerëz, në një kohë të lagësht, por duke dhënë edhe një fije shprese. Një djalë i ri, në hapje të filmit dhe mbyllje të tij, dukej se tregonte se jeta në këtë qytet do të vazhdonte. 

E vetmja aktore e huaj (jo nga Sarajeva) është spanjollja Maribel Verdu. Si personazhi kryesor i filmit tregon akthin qe vjen nga frymëmarrja e zërit (me shumë ulje e ngritje) dhe melodisë që luan në kokë të “Patetikes” së Çajkovskit, që është edhe muzika e vetme në film. Verdu, duhet të kalojë rrugën e këmbësorëve, nëpër qoshet e pallateve, pikërisht në ato vende që janë targetuar nga Snajperat. Nuk është e vetmja, me të dhe disa qytetarë të tjerë, por ajo duhet të përshkruajë qendrën e qytetit, duke luajtur në kohë të njëjtën muzikë që është vendosur në një vend tjetër të qytetit, ku dirigjenti Ari Benjamin Meyers, është i vetmi që thotë disa fjalë gjatë dirigjimit të orkestrës. 

E ndërkaq, mjeshtërisht, artisti kishte zgjedhur që frymëmarrja e saj, duke ecur apo vrapuar në rrugët e zbrazura të Sarajevës, të kishte një përputhshmëri të plotë me tingujt e muzikës së “Patetikes” që luheshin nga Orkestra e Sarajevës, ku një tjetër akth jepet nëpërmjet ngritjes dhe uljes së notave muzikore të tingujve të orkestrës.
Një element që më së miri përshkroi luftën, ishin vetëm tre krisma snajperash që regjistrohen në film duke dhënë me “kaq pak” tablonë e luftës në Sarajevë. Frika, ankthi, tmerri se kush do ta kishte radhën ndërkohë që kalon rrugën për t’u qëlluar nga snajperat, të mban pezull dhe pa frymë pothuajse gjatë 45 minutave të filmit. 

Në një bashkëpunim të suksesshëm me Liri Begeja, autore dhe regjizore franceze me origjinë shqiptare, dhe me dirigjentin Ari Benjamin Meyers, Anri Sala solli për publikun shqiptar një film emocionues, i cili nuk është pa zë, duke qenë se muzika dhe frymëmarrja e aktores Verdu shoqërojnë gjithë minutazhin.
Filmi nuk mund të ishte një gjë e paparashikuar në pritshmërinë për atë që prodhon Anri Sala. Befasues, i vërtetë dhe i shtrirë jo në një hapësirë të madhe veç qendrës së Sarajevës, Anri të mban në ankth për 45 minuta që në kinema, duket sikur janë një jetë.