Të dhënat që po bëhen sot publike ne media, ndodhen edhe në dosjen e Rovena Gashit pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ose shkalla e parë e procesit të Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët e sistemit shqiptar të drejtësisë. Këtij institucioni ka hetuar në lidhje me këtë çështje dhe pritet ti bëjë publike ato pas vendimit që pritet të mari ndaj saj.
Bëhet fjalë për 16 prona të cilat janë përkatësisht 14 apartamente në një pallat të vetëm në zonën e plazhit pranë Shkëmbit të Kavajës dhe për dy godina biznesi që ndodhen në lagjen nr. 14 në Shkozet të Durrësit.
''Këto prona as nuk janë deklaruar nga znj. Gashi siç ajo e ka detyrim ligjor për ta bërë këtë dhe madje ato nuk figurojnë as edhe të hipotekuara'', shkruaj Alpnews.al. Ndaj për këtë është ndjekur një rrugë e tërthortë alternative për të shkuar tek burimi i pasurisë.
Rruga e vetme që i kishte mbetur hetuesve, ishte që të gjurmonin kontratat e energjisë elektrike dhe ato të ujësjellësit, pasi të drejtën dhe detyrimin për ta bërë një kontratë të tillë e kanë vetëm pronarët realë të pronave, pavarësisht nëse ato janë te regjistruara, hipotekuara, apo jo.
Ndaj është dashur një bashkëpunim ndërinstitucional për të realizuar një investigim të tillë. Ka qene Operatori i Shpërndarjes së Energjisë ai që në këtë rast i është përgjigjur kërkesë së hetimit duke çuar në zbulimin të bujshëm se Nuredin Rexhep Gashi, i datëlindjes 7 dhjetor 1955 figuron të ketë plot 16 kontrata të lidhura me OSHEE, për furnizimin me energji elektrike të 14 banesave dhe dy bizneseve.
(Lista e kontratave të OSHEE me Nuredin Gashin, babain e Rovena Gashit)
Nuredin Gashi, është babai i Rovena Gashit, krahut të djathtë dhe bashkëpunëtores më të afërt të ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla, familjes së të cilit i është ndaluar hyrja në SHBA për shkak se siç tha sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson ai është përfshirë në raste të mëdha të korrupsionit në detyrë.
PROVE APO KEQKUPTIM?
Më poshtë keni të 16 kontratat me Oshee që janë lidhur në emër të babai i zonjës Rovena Gashi. Gjurmët e 14 kontratave të apartamenteve në plazh të çojnë tek shoqëria “Balkans Investment Group” me qendër në Rrashbull të Durrësit që është edhe vendi i origjinës së zonjës Gashi. Administrator i kësaj shoqërie figuron të jetë Fatjon Ushina. Ortak është Oliver Ushina, ky i fundit bashkëshorti i Ema Gashit, motra e Prokurores Rovena Gashi. Pra këto apartmanete janë në pronësi të kompanisë së kunatit të Gashit.
Nga verifikimet në Qëndrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania e Oliver Ushinës merret me ndërtime dhe me gjasë është kompania ndërtuese e 16 apartamenteve që përball OSHEE-së është përfaqësuar nga babai i Rovena Gashit. Mbetet e pakonfirmuar nëse babai i Rovena Gashit është punonjës i kompanisë “Balkans Investment Group” apo ka përfaqësuar këtë kompani për kontratat me OSHEE-në vetëm me status si familjar i pronarit.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se babai i Rovena Gashit, Nuredin Gashi figuron si i papunë në sigurimet shoqërore. Ndërsa nga kërkimet në Tatime rezulton se ka patur një licensë biznesi në vitet 2003 – 2006 i cili figuron i mbyllur si një aktivitet me humbje.
Kjo do të thotë se aktualisht është i papunë por që del pronari i 16 librezave të energjisë elektrike për 14 apartamente në zonën më të shtrenjtë të plazhit të Durrësit dhe dy godinave të tjera ku ushtrojnë aktivitetin e tyre biznese në fushën e fasonerisë dhe import exportit të mallrave të ndryshme me shumicë e pakicë për punime hidraulike dhe hidro- sanitare.
Por a janë 16 kontratat e energjisë elektrike prova se Rovena Gashi ka fshehur pronësinë mbi 16 apartamente pas emrit të babait? Apo është fjala thjesht për një keqkuptim dhe në fakt ato apartamente janë pronë e ndërtuesit-kunat të Rovena Gashit dhe babai i saj është përdorur vetëm për të regjistruar kontratat e energjisë elektrike, duke i bërë kështu një favor, jo Rovenës, por vajzës tjetër të tij, Ema? Komisioni i Vettingut do ta sqarojë këtë në ditët në vijim.
l.q/Shqiptarja.com









