Një memorandum me 14 pika po negociohet mes SHBA-së dhe Iranit në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të hapur rrugën e një marrëveshjeje afatgjatë.
Sipas Axios, dokumenti po diskutohet nga të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, së bashku me zyrtarë iranianë, direkt ose përmes ndërmjetësve.
Edhe pse ende nuk ka marrëveshje finale, burimet thonë se palët nuk kanë qenë kurrë kaq afër një intese që nga shpërthimi i konfliktit. Në formën aktuale, memorandumi parashikon fundin e luftës dhe nisjen e një periudhe 30-ditore negociatash për një marrëveshje përfundimtare. Në qendër të diskutimeve janë hapja e Strait of Hormuz, kufizimi i programit bërthamor iranian dhe heqja graduale e sanksioneve amerikane.
Bisedimet mund të zhvillohen në Islamabad ose në Genevë. Sipas draftit, Irani do të pranonte një moratorium për pasurimin e uraniumit, me kohëzgjatje ende në diskutim mes 12 dhe 15 viteve. Teherani ka propozuar pesë vite, ndërsa Uashingtoni kërkon 20. Po ashtu, Irani do të hiqte dorë zyrtarisht nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe do të pranonte inspektime të përforcuara nga OKB-ja, përfshirë kontrolle surprizë.
Nga ana tjetër, SHBA do të angazhohej për heqjen graduale të sanksioneve dhe zhbllokimin e miliarda dollarëve fonde iraniane të ngrira jashtë vendit.
Dy burime të cituara nga Axios thonë se Irani ka pranuar edhe transferimin jashtë vendit të uraniumit të pasuruar në nivele të larta, madje një nga opsionet parashikon dërgimin e tij në Amerikë. Megjithatë, brenda administratës amerikane ka ende skepticizëm. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se marrëveshja nuk mund të shkruhet “brenda një dite” dhe kërkoi një zgjidhje të qartë diplomatike për çështjet ku Irani është i gatshëm të bëjë lëshime.
Rubio i quajti disa prej liderëve iranianë “të çmendur” dhe tha se nuk është i sigurt nëse ata janë realisht të gatshëm të arrijnë një marrëveshje.
Lajmi kryesor:
Lufta/ Trump pezullon papritur operacionin 'Liria' në Hormuz, Pakistani: Amerika dhe Irani pranë marrëveshjes! Çmimi i naftës zbret nën 100 dollarë/fuçi








