Me rastin e 14-vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancën solemne ku po flasin drejtues të shtetit dhe politikës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj ka thënë se Kosova edhe sot qëndron fuqishëm me aleatët e saj.
“Kosova fuqishëm edhe sot qëndron me aleatët e saj. Kosova nuk është e qershorit 1999 por as ajo e vitit 2008, liria jonë ende nuk është përmbushur, sot kujtojmë edhe të pagjeturit. Procesi i dialogut do të përfundojë me njohje reciproke, nuk do të lejojmë që ky proces të shkaktojë kokë-qarje, tërësia territoriale është e panegociueshme”, ka pohuar ajo.
Presidentja ka shtuar tutje se shteti ynë ka sfida, por që është shumë më i konsoliduar.
“Të ardhmen e kemi në duart tona, shteti është i yni, është atdheu ynë i vetëm. Urime Dita e Pavarësisë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, potencoi ajo.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se përkundër të gjitha padrejtësive që janë bërë, populli i Kosovës nuk është bërë kurrë sundues.
“Shpallja e pavarësisë ishte rezultat i lëvizjes sonë çlirimtare. Përkundër të gjitha luftërave dhe padrejtësive, populli ynë kurrë nuk u bë sundues, kurrë nuk kemi pushuar popuj tjerë. Ne kontribuojmë shumë për paqen dhe drejtësinë. Ne falënderojmë ata qe kontribuuan për këtë ditë”, deklaroi Kurti.
Kurti në fjalimin e tij ka përmendur edhe disa nga sukseset që ka shënuar Kosova gjatë këtyre viteve, teksa ka uruar qytetarët për përvjetorin e pavarësisë.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca ka deklaruar se përkulet para luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Konjufca është shprehur se pavarësia është një bimë e lirisë e cila kërkon ujitje për çdo ditë. Andaj sipas tij, ata do të kujdesen për të duke e përmbushur amanetin e të rënëve.
“Çdo njëri nga ne më 17 shkurt kaplohemi nga një gjendje e veçantë shpirtërore e cila e mishëron krenarinë me entuziazëm. Krenaria na vjen si sublimim i rrugës së gjatë e të mundimshme të popullit tonë për liri, kurse entuziazmi si vetëdije për arritjet e deritashme dhe si optimizëm për të ardhmen. Sot duke e kujtuar 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë para së gjithash i nderojmë dëshmorët e luftës për liri që nuk e kursyen as jetën për mëvetësinë e shtetit tonë. Përkulemi para sakrificës së tyre dhe të luftës së shenjtë dhe të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai.