14.4 trilionë $ në duart e vetëm 3 mijë njerëzve në botë! Të taksojmë 'super të pasurit' është e mundur dhe më e nevojshme se kurrë

14.4 trilionë $ në duart e vetëm 3 mijë njerëzve në botë! Të taksojmë 'super të pasurit' është e mundur dhe më e nevojshme se kurrë

Berkeley– Vetëm 3,000 njerëz kanë grumbulluar 14.4 trilion dollarë pasuri, ekuivalente me 13% të PBB-së botërore. Ndërsa miliarderët e botës kontrollonin më pak se 3% të PBB-së globale në 1993, rritja e pasurisë së tyre dhe ndikimi politik është përshpejtuar që atëherë.

Siç u shprehën Ministrat e Financave të vendeve të G20-ës në deklaratën përfundimtare në konferencën e tyre në Rio de Zhaneiro më 25-26 korrik:

“Është e rëndësishme që të gjithë tatimpaguesit, përfshirë individët me një pasuri shumë të madhe, të kontribuojnë me pjesën e tyre të drejtë të pagimit të taksave.

Shmangia madhe e taksave mund të dëmtojë drejtësinë e sistemeve tatimore . Promovimi i politikave tatimore efektive, të drejta dhe progresive, mbetet një sfidë e rëndësishme dhe bashkëpunimi ndërkombëtar tatimor dhe reformat vendase mund të ndihmojnë në adresimin e saj.

Barazia fiskale mbështet demokracinë. Pa të ardhura të mjaftueshme tatimore, qeveritë nuk mund të garantojnë shërbime adekuate si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale, as nuk mund t'i përgjigjen problemeve shumë më të mëdha si kriza klimatike (e cila tashmë po destabilizon shumë vende në mbarë botën).

Duke pasur parasysh pasojat e tmerrshme të mosveprimit në këto fusha, është e domosdoshme që më të pasurit të paguajnë pjesën e tyre të drejtë të taksave. Deklarata e Rios është një moment historik i rëndësishëm. Për herë të parë që nga themelimi i G20 në vitin 1999, të gjithë anëtarët ranë dakord se mënyra se si taksohen mbi të pasurit duhet të rregullohet dhe ata u zotuan ta bëjnë këtë. Por ky konsensus nuk doli nga hiçi.

Mbrojtësit e drejtësisë tatimore, krijuan shumë terren në muajt përpara samitit. Brazili mban presidencën e radhës të G20 këtë vit. Në fund të muajit shkurt, Ministri brazilian i Financave, Fernando Haddad, më ftoi të flisja në një takim të nivelit të lartë në Sao Paulo.

Ai më kërkoi të shkruaj një raport mbi drejtësinë tatimore dhe taksimin e të pasurve të mëdhenj (fokusi i punës sime si themelues dhe drejtor i Observatorit Tatimor të BE-së me seli në Paris), të cilin e paraqita në fund të qershorit, në kuadër të diskutimeve në samitin e korrikut.

Në raport, unë shpjegova një propozim për një standard të ri tatimor efektiv, që përfshin një taksë minimale të koordinuar prej 2 për qind të pasurisë për individë të tillë. Pra për 3000 miliarderët kryesore të botës.

Ky standard do të sillte jo vetëm të ardhura të konsiderueshme (rreth 200-250 miliardë dollarë në vit); por do të korrigjonte edhe padrejtësinë strukturore të sistemeve tatimore bashkëkohore, ku normat tatimore efektive ndaj miliarderëve, janë më të ulëta se sa për njerëzit e shtresës së mesme.

Publiku e mbështet në shumicë taksimin e drejtë të super të pasurve. Sipas një sondazhi të kompanisë Ipsos në vendet e G20-ës, i publikuar në qershor, 67 për qind e njerëzve bien dakord me pohimin se ka shumë pabarazi ekonomike, dhe 70 për qind e të pyeturve e mbështesin parimin se njerëzit e pasur duhet të paguajnë norma më të larta të tatimit mbi të ardhurat.

Deklarata e Rios, sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në këtë aspekt. Udhëheqësit botërorë nuk mund të mbështesin më një sistem, në të cilin super të pasurit shmangin detyrimet e tyre proporcionale, duke paguar më pak taksa se ne të tjerët.

Ministrat e Financave, kanë rënë tashmë dakord për hedhjen e hapave të rëndësishëm paraprakë, me synim përmirësimin e transparencës tatimore, për të rritur bashkëpunimin në këtë fushë dhe për të rishikuar praktikat e dëmshme. Është e vërtetë, që nuk pati konsensus politik për të përfshirë në tekstin përfundimtar taksën minimale prej 2 për qind për miliarderët.

Deklarata duhej të miratohej unanimisht, dhe disa vende kanë ende rezerva për disa aspekte të projektit. Për shembull, ndërsa administrata e presidentit të SHBA-së Joe Biden mbështet vendosjen e një taksë minimale për miliarderët amerikanë, ajo ka ngurruar ta çojë përpara këtë kauzë në skenën ndërkombëtare.

Por nuk ka kthim pas. Tatimi minimal është tani në axhendë dhe duke parë historinë e negociatave ndërkombëtare të taksave, ka arsye konkrete për të qenë optimist për të ardhmen e propozimit.

 Në vitin 2013, G20-ja e pranoi problemin e shmangies së madhe të taksave nga kompanitë shumëkombëshe, duke nxitur vullnetin politik për ta adresuar këtë çështje.

Plani fillestar i veprimit, përfshinte përmirësimin e transparencës tatimore, rritjen e bashkëpunimit në këtë fushë dhe rishikimin e praktikave të dëmshme tatimore, i njëjti formulim që po përdoret tani në Rio. Më pas, në tetorin e vitit 2021, 136 vende dhe territore (sot 140) ranë dakord për një taksë minimale prej 15 për qind mbi korporatat.

Fatmirësisht, ne s’kemi nevojë që të gjitha vendet të miratojnë një taksë minimale prej 2 për qind për miliarderët (apo për centi-milionerët, nëse kjo është ajo që do të vendosin politikë-bërësit).

Ne kemi nevojë thjesht që një numër domethënës vendesh, të bien dakord mbi një sërë rregullash për të identifikuar dhe vlerësuar pasurinë e super të pasurve, dhe për të miratuar instrumente për të vendosur taksimin efektiv, pavarësisht nga rezidenca e miliarderëve për të paguar një barrë të drejtë tatimore.

Në këtë mënyrë, mund të shmangim një skenar ku super të pasurit arratisen drejt parajsave fiskale, duke i dhënë kështu fund garës midis vendeve që konkurrojnë për t’u ofruar miliarderëve normën më të ulët të taksave. Gjatë 10 viteve të fundit, bashkëpunimi ndërkombëtar mbi tatimet është përmirësuar ndjeshëm.

Për shembull praktika e shkëmbimeve automatike të informacioneve bankar, ka reduktuar shumë mundësinë e shmangies së taksave. Pra ne tashmë kemi mjetet e nevojshme për t'i bërë miliarderët e botës të paguajnë pjesën e tyre të drejtë të taksave. Tani u takon qeverive që të veprojnë me shpejtësi dhe më me efektivitet.

Gabriel Zucman, Profesor i Ekonomisë në Shkollën Ekonomike të Parisit dhe Universitetin e Kalifornisë./ Marrë nga “Project Syndicate”, përshtati shqiptarja.com

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • anna: 09/08/2024 11:55

    shume e drejte! ta degjoje edhe qeveria jone..ti taksoje oligarket ne menyre te drejte dhe progresive

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Përplasen rëndë dy tramvaje në Strasburg, 30 të plagosur (VIDEO)

Francë/ Përplasen rëndë dy tramvaje në Strasburg, 30 të plagosur (VIDEO)