Nga prodhimi i anijeve ushtarake, municioneve, mbrojta kibernetike, apo dhe mbështetja financiare për mbrojtjen civile, mbrojtja dhe siguria mbizotëruan marrëveshjet e nënshkruara këtë të enjte në Romë mes dy qeverive. Projekte të tjera bashkëpunimi përfshinë dhe shëndetësinë, energjinë e financat.

Në lidhje Skype, zëvendëspresidenti i Diasporës në Itali, Dritan Trimçe, tha në “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv se zhvillimi i mbledhjes së 2 qeverive në gjuhën italiane, pa nevojën e përkthyesve, përforcon faktin se miqësia mes 2 vendeve është unike dhe e vërtetë.

“Unë dëgjova siç keni dëgjuar edhe ju, konferencën për shtyp në fund të mbledhjes dhe më bëri shumë përshtypje sjellja e natyrshme e 2 liderëve, sidomos e Edi Ramës që është më i lirshëm se këta të tjerët në këto situata. E ka demonstruar dhe herë tjetër. Pozitivist gjithmonë. Më bëri shumë përshtypje që mbledhja ishte zhvilluar në gjuhën italiane. Kjo tregon gjithmonë një hap përpara”,- tha Trimçev.

Gjatë intervistës Trimçev veçoi marrëvshjen për pensionet, të arritur mes 2 vendeve më 6 shkurt 2024 në Romë dhe të aktivizuar nga 1 korriku i këtij viti. Ai i bëri thirrje shtetit shqiptar të ndërhyjë, pasi për shumë shqiptarë në Itali po vonohet përfitimi i pensionit për shkak të ngecjes së procesit në disa hallka.

“Tregojnë hyrjen e Shqipërisë në autostradën e Bashkimit Europian. Marrëveshjet kanë filluar që më përpara, vite përpara. Marrëveshja e fundit e këtij viti në shkurt, ishte ajo e pensioneve që ishte një sukses i jashtëzakonshëm do të thoja. Pas shumë e shumë vitesh vuajtje, përpjekje, më në fund u kurorëzua”,- tha Trimçev.

“Marrëveshja e pensioneve funksionon, ka vonesa. Ka njerëz që kanë bërë kërkesën në Itali të paktën që në korrik dhe akoma nuk kanë marrë përgjigje. Ka të tjerë që përgjigjen e kanë marrë. Do të thoja që në këtë rast, pala shqiptare të gjente një mënurë se si të mblidhte këto informacione”,- shtoi ai.