TIRANE - Plot 17 profesorë që kanë qenë të pranishëm në këtë mbledhje kanë shkuar edhe më tej në qëndrimin e tyre. Ata i kanë dërguar një letër rektores së universitetit të Mjekësisë, Jera Kruja, ku i kërkojnë që të anulojë “këtë proces antiligjor dhe fyes ku drejtuesit e këtij këshilli patën guximin të detyrojnë këshillin e profesorëve një kandidaturë pa alternativë”.

“E nderuar zonja rektore, ne besojmë se është jo vetëm detyra funksionale e rektorit për të ndërhyrë në vijim të shkeljeve të vazhdueshme të ligjit por edhe të rivendosjes së dinjitetit të këshillit të profesorëve  e në përgjithësi të institucioneve tona.

Kjo farsë, sikundër edhe jeni vetë dëshmitare, e parapërgatitur nga një pjesë me interesa të dyshimta në fakultet, shkoi aq larg sa nuk vlerësoi as qëndrimin kritik dhe mos aprovimin tuaj. Certifikimi i “rezultatit” me një nxitim të pajustifikuar, pa transparencë, kuorum dhe falsifikim të rezultatit, kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të qartë nga ju si një hap vendimtar për të vendosur ligjin dhe rregullin në universitetin Mjekësor”, - përfundon letra me emrat dhe firmat e 17 profesorëve.