17-vjetori i masakrës së Krushës
  Ilir Meta: E pësuan dhe fëmijët 

17-vjetori i masakrës së Krushës<br />  Ilir Meta: E pësuan dhe fëmijët 
Kryeparlamentari Ilir Meta zhvilloi dje një vizitë në Krushë të Madhe të Kosovës, për të përkujtuar 17-vjetorin e masakrës ndaj popullsisë së të këtij fshati nga forcat pushtuese serbe.

“Jam këtu në prag të përvjetorit të masakrës së Krushës, sepse dihet që Krusha ishte ndoshta e para që vuajti hakmarrjen e okupatorit pas fillimit të bombardimeve nga ana e NATO-s më 24 mars. Një hakmarrje që e pësuan edhe fëmijët e Krushës, përveçse edhe vetë Ukshin Hoti”, tha Meta para nxënësve të Shkollës së Mesme të fshatit Krushë e Madhe, “Ukshin Hoti”.

“Shpreh kënaqësinë e veçantë edhe nderin që të jem në Krushë dhe në këtë shkollë që mban një emër shumë të madh, jo vetëm për popullin e Krushës e të Kosovës, por edhe për gjithë shqiptarët kudo ku janë. Emrin e profesorit, veprimtarit dhe patriotit të jashtëzakonshëm, Ukshin Hoti”, shtoi ai. Në këtë vizitë, Meta shoqërohej nga ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi dhe nga autoritetet më të larta lokale.
 
Gjithashtu, kryeparlamentari e cilësoi si pozitive zhvillimin e Kosovës në këto 17 vite.

“Kosova është një realitet i prekshëm, është në një progres të pandërprerë, pavarësisht se të gjithë do të donim që edhe Kosova edhe Shqipëria të ecin edhe më shpejt në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Unë natyrisht që do të ndaloja këtu për t’iu falënderuar juve, gjithë stafin tuaj për punën që bëni për të përgatitur këta të rinj me sa më shumë dije, për të përballuar sfidat e të ardhmes të cilat janë të mëdha për ju, për ne, për të gjithë, me të cilat në radhë të parë duhet të ndeshen dhe të përballen gjeneratat më të reja”, u shpreh Meta.

Kryetari i Kuvendit ftoi nxënësit më të mirë të shkollës “Ukshin Hoti” për një vizitë në Shqipëri në mënyrë që të vizitojnë disa nga qytetet shqiptare, të njihen me bashkëmoshatarët e tyre e të shkëmbejnë sa më shumë eksperienca. Më tej, ai vizitoi një fabrikë për përpunimin e perimeve të konservuara, e krijuar nga gratë që kanë humbur bashkëshortët dhe familjarët gjatë sulmeve serbe 17 vite më parë. Kryeparlamentari vlerësoi iniciativat sipërmarrëse të grave të Krushës së Madhe dhe shprehu nevojën për rritjen e shkëmbimeve dhe të partneritet mes dy vendeve.

Më tej, ai vizitoi Muzeun “Ukshin Hoti” dhe vendosi një buqetë me lule në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Krushë e Madhe.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor