Vajza ka qenë vetëm në dhomë të gjumit kur ka marrë armën dhe ka qëlluar veten. Sajmir dhe Erisjaldo Gjuta kanë qenë jashtë dhe kanë dëgjuar të shtënat, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema.

Kur kanë hyrë të dhoma kanë parë vajzën të vetëplagosur dhe kanë thirrur edhe anëtarët e tjerë, Mirvete dhe Vladimir Gjuta dhe kanë vendosur që të pastrojnë vendin e ngjarjes, kanë marrë e fshehur armën, kanë larë gjakun ndërsa Mirvetja me Elvirin janë nisur me makinë për ta dërguar në spital dhe janë porositur të deklarojnë që "vajzën e kanë gjetur të shtrirë te rrethi i Ekonomikut".

Pas hetimit, rezultoi se vajza në fakt ishte vetëplagosur në hotelin e tyre. Më herët, 18-vjeçarja dyshohet se ka tentuar edhe herë tjetër për t'u vetëdëmtuar.

"Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. K., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri. E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç. Në vijim të veprimeve procedurale:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit V. Gj., 46 vjeç dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

-u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", njoftoi Policia. 


Lajmi kryesor:

Tiranë/ E dashura e nipit të Gjutajve plagoset në hotelin e familjes me armë! Policia nxiton: U vetëplagos! Arrestohet Vladimir Gjuta që ka fshehur ngjarjen, në kërkim i dashuri (EMRAT)