SHBA - Kandidatët për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në dy ditët e fundit të fushatës zgjedhore ndërsa i ndan shumë pak diferencë në sondazhe. Republikani Mitt Romney do të zhvillojë takime në Ohio, Pennsylvania dhe Virginia ndërsa Barack Obama do të udhëtojë në New Hampshire, Florida, Ohio dhe Colorado.

Që të dy kandidatët ishin të shtunën në shtetet e lëkundura. Sipas sondazhit të fundit të realizuar nga ABC News dhe Washington Post rezulton se Obama dhe Romney kanë nga respektivisht nga 48% mbështetje. Votuesit e pavendosur në disa shtete të lëkundura janë shndërruar tanimë në objektivin primar të dy kandidatëve. Ish Presidenti Bill Clinton ishte sëbashku me kandidatin demokrat në Virginia ku tha se me misionin në krye të shtetit, Obama kishte qenë edhe zëri i tij.

Duke folur përpara 24 mijë njerëzve në Bristow të Virginias, Obama theksoi se tanimë i takon vullnetarëve që ta marrin në dorë pushtetin. Në takimin në Milwaukee, këngëtarja Katy Perry e veshur me një fustan ku shkruhej slogani demokrat "Forward" shërbeu maksimalisht për të karikuar të pranishmit.

Obama këmbënguli se amerikanët nuk duhet ta lejojnë Romneyn ta kthejë vendin në atë kohë kur Wall Street ishte e lirë të bënte çfarë të donte. Në krahun tjetër, në takimin e mbajtur në New Hampshire të shtunën, Romney kritikoi Obamën për deklaratat se votimi do të ishte revanshi ndaj republikanëve. "Të votosh për revansh? Me lejoni tu them se duhet të votoni për të mirën e vendit tuaj. Është koha ta bëjmë Amerikan një vend më të mirë", u shpreh Romney.

(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)