Me rritjen e temperaturave, pickimet nga gjarpërinjtë dhe merimanga e zezë si dhe helmimet nga ushqimet janë vetëm disa nga rastet që kanë rritur ndjeshëm numrin e urgjencave në shërbimin e toksikologjisë në QSUT. Pickimi i gjarprit mund të jetë vdekjeprurës, thonë mjekët nëse pacienti nuk paraqitet për të marrë shërbim tek bluzat e bardha.

““Helmimet biologjike, që përfshin kafshimet nga gjarpri, kafshimet nga merimanga e zezë, insekte të tjera si krepi, merimanga kafe e izoluar, në bregdet mund të jetë peshku ranxh. Pickimi i gjarprit janë raste të zakonshme që vijnë në urgjencën toksikologjike. Pickimi i gjarprit me mundësi vdekjeprurëse nëse nuk vlerësohet, trajtohet nga mjekët.”, thotë Andrin Tahiri, shefi i toksikologjisë në QSUT.

Për mjekët metodat popullore që janë përdorur deri më tani nga pickimi i gjarprit siç është lidhja e një cope në vendin e pickimit apo çarja më shumë e asaj zone është e gabuar.

“Një lidhje e fortë me llastik, apo mjete tjera, do  të bëjë që dora të ndihet e fortë, duke mos qarkulluar gjaku. Aty mbetet edhe kafshimi dhe dëmet janë të pariparueshme nëse mbahet për një kohë të gjatë jashtë limiteve të caktuara. Ky afat kohor është maksimumi 1 deri në dy prë pas pickimit, ndërsa shenjat e para tek pacienti shfaqen rreth 30 minuta pas. Ka të tjerë që tentojnë të bëjnë inçizion me mjete prerëse, është e dëmëshme, sepse përveçse mund të dëmtosh indet e buta, por prish edhe rruazat e gjakut duke shfaqur më shumë mundësi për infeksione.”, thotë mjeku.

Por, si duhet të trajtohen pickimet nga insektet apo zvarranikët?

“Nëpërmjet fashos mund të tentohet që mbi vendin e kafshimit të bëhet një fashim. Në këtë mënyrë të jepet kohë të vish pranë Qendrës Shëndetësore apo spitalore.  Gjithashtu ekziston edhe një anti-helmi toksine, anti-helm kundër viperit. Shumë produktiv dhe mbështetet në njohjen e thellë të gjarpërinjëve të zonës gjeografike. Ka dhe diçka të tillë, ka rrisqe, ndaj duhet të praktikohet nga mjekët dhe stafi mjekësorë.”, thotë Tahiri.

Në të gjitha rastet, mjekët bëjnë thirrje qytetarëve që të kërkojnë ndihmë mjekësore pranë Qendrave Shëndetësore, pa pritur që gjendja e tyre të rëndohet.