Hoxha paraditen e së hënës ishte duke montuar mekanizmin një bombë me celularë. Në momentin kur ndodhi shpërthimi thanë burime nga Policia për Report TV, Gentjan Hoxha po lidhe detonatorin me kapsollat përcjellëse. Pikërisht një incident ka ndodhur gjatë këtij momentit duke sjellë shpërthimin e detonatorit në tavolinën ku po punonte Hoxha.
Gjithashtu në dyqanin e Gentjan Hoxhës është gjetur edhe pluhur i bardhë, që dyshohet se ishte tritol, por po i nënshtrohet kontrolleve. 34-vjeçari i janë sekuestruar edhe disa celularë të vjetër të markës Nokia, që mendohet se do t'i lidhte me mekanizmin shpërthyes.
Po kështu janë gjetur edhe mikroskop të vegjël që përdoren për montimin e bombave. Rreth 2 mijë euro dyshohet se i shiste Gentjan Hoxha bombat me celularë që përgatiste. Menjëherë pas urdhër arrestit, Gentjan Hoxha mbahet në vëzhgim nga 4 oficerë police në Spitalin e Traumës.
Një ditë pas shpërthimit në rrugën “Qamil Guranjaku”, janë ende në tokë xhamat dhe dërrasat. Dëshmitarë gjatë momentit kur ndodhi shpërthimi pranë Ambasadës Amerikane, tregojnë situatën si u nxor nga servisi Gentjan Hoxha.
“Pati shpërthim, e ndjeva që ishte dinamit. Hynë këta tre burrat e tjerë, e nxorën. Ai ishte sterrë i zi, gishtat e duarve i kishte të prera, e ndonjë copë të varur”, tha dëshmitari. Hetuesit kanë tentuar ta marrin në pyetje Hoxhën, por ai ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas policisë, Gentjan Hoxha kishte marrë porosi për përgatitjen e bombave me celularë dhe më pas do t'i shiste ato.
Njoftimi i policisë për arrestimin e pronarit të dyqanit ku ndodhi shpërthimi:
Në vijim të ngjarjes të ndodhur me datë 12.03.2018, rreth orës 10:30, në rrugën "Qamil Guranjaku", u arrestua në flagrancë shtetasi Gent Hoxha, 34 vjeç, banues në Tiranë.
Pasi nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se në ambientin dyqan riparim celularesh të ndodhur në përdorim nga ana e tij, dyshohet se po prodhonte një lëndë plasese me fitila detonati, kapsolle në një celular ku dhe ka shpërthyer, si pasojë është vetëdëmtuar rëndë shtetasi i mësipërm dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Materiale proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" parashikuar në Nenin 278/5 i Kodit Penal.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO









