2 mld euro kredi të riskeduluara, Gent Sejko: Mund të shtyjmë afatet për këstet përtej 3 muajve!

2 miliardë euro është niveli i kredive të shtyra deri më tani, pas vendimit të Bankës së Shqipërisë më 17 mars për shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për të gjithë bizneset dhe individët që do të përballen me vështirësi financiare për shkak të pandemisë Covid-19. Në konferencë për mediat guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se po analizohet situata dhe mund të ketë një shtyrje tjetër të këtij afati, për një kategori biznesesh.

“Ne po shikojmë situatën financiare të bankave dhe bizneseve, jemi duke parë shifrat, ndikimi që ka në sektor shtyrja e kësteve dhe mundësia e një reagimi nga Banka e Shqipërisë. Po marrim në konsideratë një reagim të dytë për të lehtësuar bankat në raport me ristrukturimin e kredive, mund t'u lehtësojmë, një ristrukturim më afatgjatë, por bazuar te cikli i bizneseve. P.sh turizmi një sektor më i goditur mund të ketë nevojë për një ristrukturim apo i fasonëve”, pohon guvernatori i Bankës së Shqipërisë.          

Një masë tjetër që mund të ndërmarrë Banka e Shqipërisë nëse situata vijon të rëndohet është edhe ulja e mëtejshme e normës bazë të interesit. Aktualisht norma bazë e interesit është 0.5% për uljes më 27 mars nga 1% që ishte. Ndërkohëguvernatori shtoi se në varësi të situatës mund të përdoren edhe instrumente të tjerë të kontigjencës, për të furnizuar ekonominë me likuiditet.

“Rreziqet e kahut të poshtëm burojnë veçanërisht nga:

- zgjatja e mundshme e pandemisë përtej tremujorit të dytë;

- krijimi i problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve mund të kërkojë një lehtësim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare”, shprehet Sejko. 

Sa i takon ndikimit negativ në ekonomi që do të ketë pandemia Sejko tha se do të jetë e shtrirë gjithë vitin.

“Në skenarin pozitiv, atë të një reduktimi gradual të masave të distancimit social gjatë tremujorit të dytë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet në territor negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021”, tha Sejko. 

Nga ana tjetër guvernatori Sejko u shpreh se deri më tani janë dhënë 1 miliardë lekë kredi me garanci sovrane për bizneset në mënyrë që të paguajnë punonjësit e tyre.

Garancia sovrane për biznesin akoma nuk është përfunduar, normalisht do të shikojmë efektin kur të prezantohet, për momentin bankat po operojnë me garancinë e parë sovrane për pagat e punonjësve. Kemi rreth 70 raste të aprovuara, 8.5 mln euro, por ka edhe 300 aplikime të tjera në proces. Është një garanci po elaborohet në sistemin bankar. E dyta do të shikohet kur të bëhet e vlefshme, edhe ne më pas do të kemi një ide më të qartë.

Ndërkohë masat e ndërmarra deri më tani për të parandaluar përhapjen e pandemisë sipas guvernatorit kanë sjellë ulje të konsumit, të eksporteve, të prodhimit dhe do të kemi rritje të papunësisë..

“Masat e distancimit social dhe rritja e pasigurisë kanë sjellë një ngadalësim të përgjithshëm të thuajse gjithë komponentëve të kërkesës agregate: eksportit të mallrave e shërbimeve, konsumit familjar dhe investimeve. Paralelisht me to, mbyllja e përkohshme e disa aktiviteteve të prodhimit e shërbimit, ka sjellë një rënie të mëtejshme të prodhimit. Kjo goditje e dyfishtë, kërkese dhe oferte, do të pasqyrohet në rënie të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020. Më tej, rënia e prodhimit pritet të shoqërohet me rënie të punësimit, rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave familjare dhe vështirësi financiare për bizneset. Dinamika afatmesme dhe afatgjatë e zhvillimit ekonomik, në Shqipëri sikundër dhe në botë, do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë”, tha Sejko. 

Sipas Sejkos do të merren masa nëpërputhje me realitetin dhe nevojat e tregut financiar shqiptar. Sa i takon recesionit ekonomik ai thotë se pritet të jetë aq sa është parashikuar nga FMN dhe BB, mbi 5%.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës