Ish-Presidenti i Italisë Giorgio Napolitano që ndërroi jetë sot (22 shtator) në moshën 98 vjeçare, ka vizituar dy herë Shqipërinë. Në mars të vitit 2014 në atë kohë President i Italisë ishte në Shqipëri në një vizitë zyrtare gjatë të cilës dekorua me Urdhrin e Flamurit, në një ceremoni, që në atë kohë u zhvillua në Pallatin e Brigadave.
Gjatë takimeve që Napolitano zhvilloi me krerët e politikës shqiptare, garantoi mbështetjen e Italisë për integrimin e Shqipërisë, duke i bërë apel për bashkim per këtë qëllim forcave politike shqiptare.
“Italia do të vijoje të jete avokat i Shqipërisë, duke qene i bindur se do te fitojnë kauzën për integrimin e vendit ne BE, njësoj si ndodhi edhe me anëtarësimin në NATO”, tha Napolitano gjatë konferencës me presidentin e asaj kohë, të ndjerin Bujar Nishani.
Napolitano theksonte në atë takim se kauza që mbështesin dy shtetet është përfshirja e Shqipërisë në familjen e madhe të BE-së.
”Jam kthyer pas pothuajse 17 vitesh me një kënaqësi të madhe, si një mik i vjetër që ka dhënë kontributin në 1996-1998 si ministër i Brendshëm i Italisë, për të thelluar bashkëpunimin mes dy qeverive e policive për të luftuar krimin e organizuar dhe për të rregulluar fluksin e emigrantëve drejt Italisë. Ishte një mision i kompletuar me shumë sukses, e shumë të tjera e pasuan. Askush nuk mund ta mohojë se Shqipëria ka bërë shumë rrugë ka ndërmarë reforma në shumë fusha. Një proces transformimi rrënjësor në ekonomiko-social. Jemi shumë të kënaqur për këto arritje dhe jemi krenarë që kemi mundur të japim kontributin tonë të shumëanshëm dhe në mbështetjen e Shqipërisë në integrimin e saj në NATO” - tha ai.
Kurse në 1996 Napolitano udhëtonte drejt Tiranës si ministër i Brendshëm i qeverisë së Romano Prodit. Atëherë në Itali numri i shqiptarëve që emigronin në mënyrë klandestine përmes detit ishte dyfishuar.
Italia ishte e shqetësuar dhe kërkonte marrjen e masave nga qeveria shqiptare. Brenda një viti nga 1995-1996 numri i emigrantëve që kishin zbritur në tokën italiane ishte dyfishuar. Në dhjetor 1995 numri i shqiptarëve në Itali ishte 30 mijë, ndërsa në dhjetorin e 1996, pra muaji, kur Napolitano viziton Tiranën kjo shifër kishte arritur në shifrën e 60 mijë shqiptarëve.
Kjo nxiti dhe nevojën mes dy shteteve për të forcuar bashkëpunimin policor dhe për të firmosur një procesverbal për takimin e parë të një komiteti të përbashkët Shqipëri- Itali në fushën e policisë.
Napolitano vizitoi Tiranën me ftesë të ministrit të atëhershëm të Brendshëm në Shqipëri Halit Shamata. Ky takim u pasua disa ditë më pas me shkuarjen e kryeministrit të atëhershëm Aleksandër Meksi në Itali për të takuar homologun italian Romanoo Prodi më 16 dhjetor
Mesazhi i atëhershëm i Napolitanës ishte: "Luftoni krimin e organizuar".
Lajmi kryesor: