20 vjet nga fillimi i luftës amerikane në Irak

20 vjet nga fillimi i luftës amerikane në Irak

Të dielën mbushen 20 vjet që kur presidenti amerikan, Xhorxh Bush urdhëroi pushtimin e Irakut. Forcat amerikane janë ende të pranishme në Irak, jo si forca të armikut siç ishin në vitin 2003, por tani si një partner kyç. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb bën një bilanc mbi humbjet e të dyjave vendeve për shkak të luftës.

“Në këtë orë, forcat amerikane dhe të koalicionit janë në fazat e hershme të operacioneve ushtarake për të çarmatosur Irakun, për të çliruar popullin e tij dhe për të mbrojtur botën nga rreziku i madh”, tha presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush kur dha urdhërin për nisjen e sulmit ndaj Irakut.

Sulmet ajrore mbi Bagdadin filluan 20 vjet më parë.

Ushtria amerikane përmbysi regjimin e Sadam Huseinit dhe më pas e kapi diktatorin.

Irakianët që përjetuan sundimin e tij thonë se jeta ishte e tmerrshme.

“Është diçka që nuk mund të imagjinohet. Është njësoj si të flasësh për Stalinin apo Hitlerin. Ai dhe regjimi i tij ishin të pamëshirshëm”, tha Ahmed Alsuhail, gazetar irakian që u largua nga vendi i tij për në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Xhorxh W. Bush e shpalli operacionin në Irak “mision të kryer” më 1 maj 2003, por lufta u zvarrit ndërsa mbështetësit e mbetur të partisë Baathiste të ish udhëheqësit irakian dhe kryengritësve të tjerë vazhduan të luftonin kundër forcave të SHBA-së dhe aleatëve.

“Ambicia dhe urrejtja janë të mjaftueshme për të bashkuar Irakun dhe al-Kaedën, aq sa Al-Kaida mund të mësojë se si të ndërtojë bomba më të sofistikuara, të mësojë se si të falsifikojë dokumente dhe t'i drejtohet Irakut për të marrë ekspertizën për armët e shkatërrimit në masë”, paralajmëroi ish Sekretari amerikan i Shtetit, i ndjeri Colin Powell.

Armët e shkatërrimit në masë të Irakut nuk u gjetën kurrë ndërsa u rrit numri i viktimave irakiane dhe ushtarëve amerikanë.

Kritikët, përfshirë ish-Sekretarin e Shtetit të administratës Obama, Jim Steinberg, e quajnë ndërhyrjen e SHBA-së në Irak “të pamatur”.

“Ka dy lloje kritikash: njëra, që nuk kishte asnjë justifikim për ta nisur luftën dhe kritika tjetër se, kishte një justifikim, por vetëm nëse do të ishe në gjendje të sigurohesh që rezultati i luftës nuk do krijonte një situatë më të keqe se ajo që ishte më parë”, tha ish-sekretari amerikan i Shtetit, Jim Steinberg gjatë një interviste të dhënë në mars të këtij viti.

Presidenti Barack Obama tërhoqi forcat amerikane nga Iraku në fund të vitit 2011, për t'u rikthyer në vend tre vjet më vonë për të luftuar një kryengritje të Shtetit Islamik në mes të trazirave politike.

Shteti Islamik mori kontrollin e Mosulit dhe disa zonave të mëdha të Irakut përpara se t’i humbiste përfundimisht më 2017.

SHBA-ja e përfundoi zyrtarisht misionin e saj luftarak në Irak në vitin 2021. Rreth 2,500 trupa amerikane qëndruan për të këshilluar irakianët se si të luftojnë më mirë atë që ka mbetur nga Shteti Islamik.

“Ndërsa ISIS-i është degraduar ndjeshëm në Irak dhe Siri, grupi ka aftësinë për të kryer operacione brenda rajonit dhe ka dëshirën për të goditur jashtë tij”, theksoi Gjenerali Erik Kurilla, udhëheqës i Komandës Qëndrore të SHBA-së.

Duke folur për kanalin televiziv Alhurra, presidenti i Irakut tha se qytetarët irakianë tani kanë më shumë liri nga sa kishin në epokën e Sadamit.

“Pas tejkalimit të vështirësive të dy dekadave të fundit, irakianët po shijojnë paqen dhe stabilitetin dhe qeveria po fokusohet në përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës në vend”, tha presidenti irakian, Abdul Latif Rashid.

Por Samah Azeez, e cila u largua nga Iraku thotë se irakianët po vuajnë ende

“Është me të vërtetë e njëjta gjë, ajo që po ndodh në Irak tani nuk është e ndryshme nga ajo që ndodhte në kohën e Sadam Huseinit”, tha refugjatja nga Iraku, Samah Azeez.

Më shumë se 4,000 trupa amerikane vdiqën në Irak, së bashku me dhjetëra mijëra civilë irakianë./VOA

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 18/03/2023 16:26

    Tani nuk jane okupatore por miq keshtu po i quani ju lepiresat apo jo ? Amerika e masakroi popullin Iraken per 20 vjet kundra rezolutes se kombeve te bashkuara dhe asnje nuk mori masa kundra ketij shteti terrorist kurse tani ju i ngrini levdata si djepi i demokracise se leshit , turp te keni o te shitur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI