Rreth 200 foshnja me anomali të lindura marrin trajtim çdo vit në Shërbimin e Ortopedisë Pediatrike në Spitalin Universitar të Traumës. Ministria e Shëndetësisë ka publikuar pamje nga puna e përditshme e këtij shërbimi, ku fëmijët trajtohen me teknika bashkëkohore sipas standardeve ndërkombëtare.

" Rreth 200 fëmijë të moshës 0-1 vjeç trajtohen çdo vit me anomali të lindura, përmes teknikave operatore bashkëkohore dhe inovative, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke garantuar trajtim të sigurt dhe efikas për pacientët e vegjël" shkruan ministria në rrjete sociale

Prindërit thanë se falë profesionalizmit të ekipit mjekësor dhe përdorimit të metodave moderne të diagnostikimit dhe trajtimit, pacientëve të vegjël u ofrohet kujdes i specializuar, i sigurt dhe efikas, duke rritur ndjeshëm mundësitë për një zhvillim të shëndetshëm dhe cilësi më të mirë jete. Mes prindërve që ndanë eksperiencën e tyre ishte edhe nëna e një foshnje të diagnostikuar me “club foot”, një deformim i lindur i këmbës.

“Me këtë rast jemi njohur që në ekon e shtatzënisë. Tani po e ndjekim me procesin e gipsit dhe do të shohim më tej nëse do të jetë e nevojshme për një ndërhyrje kirurgjikale. Prindërit që përballen me këtë situatë ta marrin me qetësi se çdo gjë do kalojë. Doktor Edvini është një nga më të mirët në Shqipëri. Doktor Beni gjithashtu. Janë të dy profesionistë dhe jemi me fat që i kemi njohur”, tha ajo.

Mirënjohje për stafin mjekësor shprehu edhe një tjetër prind.

“Falenderoj të gjithë profesorët për shërbimin që po merr djali im”, tha ai.

Të tjerë prindër që kanë përfituar nga këto shërbime shprehënn mirënjohjen për përkushtimin dhe kujdesin e treguar nga stafi mjekësor, duke vlerësuar jo vetëm profesionalizmin e ekipit, por edhe mbështetjen njerëzore gjatë gjithë procesit të trajtimit dhe rikuperimit.