Viti 2015 për opozitën ka kaluar  në  disa faza, me aksione dhe protesta  të shumta kundër qeverisë. Muaji janar për opozitën nisi me miratimin e rezolutës së përbashkët  për dekriminalizmin  dhe ngritjen e komisioneve hetimore. Por kjo ishte një periudhë e shkurtë pasi debati politik u ndez ashpër në fillim të muajit mars.
 
Pas një deklarate të fortë të deputetit Tom Doshi për një skenar të mbetur në tentativë për vrasje ,  e që sipas tij ishte i porositur nga kryetari i Kuvendit, opozita  nisi aksionin  e parë më kërkesën për dorëheqjen e kreut të Kuvendit. Protesta të përditshme para kryesisë së Kuvendit dhe të enjteve para godinës së seancave plenare. Ndërsa opozita reagonte përmes protestave, hetimi për këto deklarata ishte ne proces . Protestat  kulmuan në 12 mars  ndërsa në Parlament u mbajt edhe seanca më e shkurtër kuvendore.
 
Demokratët pretenduan  se  kryetari i Kuvendit Ilir Meta manipuloi hetimin për këtë çështje.
 
Ndërsa demokratët vijonin të kërkonin  dorëheqjen  e kryetarit të kuvendit,  palët politike  po ndiznin motorët  për zgjedhjet  lokale të 21 qershorit. Në negociatat politike për koalicionet PDIU e Shpëtim Idrizit dhe PDK e Nard Ndokës u shkëputën  nga koalicioni opozitar për të kaluar në atë qeverisës. Negociatat ishin  të shumta me aleatët e  opozitës  e në mënyrë specifike  me Partinë Republikane , aleat i PD në 25 vjet. PR kishte një kërkesë konkrete,  kandidimin e Agron Dukës  në Durrës. Këto negociata vijuan deri në  limitet kohore por ndërsa PD e PR nënshkruan marrëveshjen për koalicion , në Durrës demokratët kandiduan Grida Dumën.
 
Kryetari i PD Lulzim Basha i kishte dhënë më herët sinjalet se nuk do të rikandidonte për drejtimin e bashkisë së Tiranës. Më 16 prill  u zyrtarizua  Halim Kosova në Tiranë, i cili në zgjedhjet e 21 qershorit humbi përballë kandidatit të maxhorancës  Erion Veliaj.
 
Por rezultati  i 21 qershorit   e nxori Partinë Demokratike  humbëse ne 46 bashki ndërsa fitoi vetëm 15 prej tyre , kjo sipas ndarjes së re territoriale.   Me rezultatet e para demokratët ishin optimist për fitoren  e këtyre zgjedhjeve, ndonëse denoncuan raste të kriminalizimit të procesit zgjedhor.
Por rezultati zgjedhor i 21 qershorit solli paqartësi në qëndrime të drejtuesve të PD, për pranimin e humbjes së zgjedhjeve.
 
Por për humbjen e zgjedhjeve ish kryetari i PD Sali Berisha kërkoi një analizë të plotë të  këtij procesi.
 
Ndërsa zgjedhjet u humbën nga demokratët , në publik po flitej për skenarë të rinj politik, edhe në kushtet e pakënaqësive mes PS e LSI për zgjedhjet në disa bashki ku kandidatët e LSI humbën përballë kandidatëve të djathtë. Kryetari i opozitës mohoi çdo skenar të mundshëm bashkëpunimi me partitë në pushtet. Basha siguroi se i vetmi skenar është largimi i dyshes qeverisëse ndërsa paralajmëroi një analizë të plotë të zgjedhjeve të 21 qershorit.
 
Në fillim të shtatorit kryetari Basha artikuloi  kërkesën për largimin e qeverisë, duke e bazuar këtë në keqqeverisjen, nivelin e lartë të kriminalitetit, situatën ekonomike
 
Në këto kushtet tetori ishte periudhë që kryetari i opozitës zbriti në takime me  qytetarët ndërsa u prezantoi edhe programin  e opozitës.
 
Por ndërkohë paralelisht degët e Partisë Demokratike sipas udhëzimit të kryetarit Basha nisën punë për analizën e zgjedhjeve. Ky proces u shoqërua me debate dhe replika mes kryetarëve të degëve dhe deputetëve demokratë. Ndonëse ende nuk  është konkluduar me rezultatin e kësaj analize, sekretari i përgjithshëm Arben Ristani  paralajmëroi ndryshime në numrin e degëve  dhe rishikim të mandatit të disa kryetarëve.
 
Pas këtij turi dëgjesash kreut të opozitës iu forcua bindja s e politikat e kësaj qeverie po rrënojnë ekonominë e shqiptarëve. Ndërsa  gatë kësaj periudhe zhvilloi takime intensive me ambasadorin e SHBA në selinë e PD, takime këto të fokusuar në dy cështje kryesore  dekriminalizmi dhe çështja CEZ. Basha artikuloi për herë të parë termin qeveri teknike.
 
Kërkesa e kryetarit të opozitës u përforcua në protestën e 8 dhjetori , ku kërkesa më kryesore ishte ngritja e qeverisë teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme. Mijëra qytetarë protestuan para godinës së qeverisë, duke hedhur edhe gurë, tymuese dhe vezë para godinës, ndërsa protestuesit iu drejtuan bunkerit të ngritur në krah të Ministrisë së Brendshme për ta vënë atë nën flakë.
 
Për protestën e opozitës reagoi jo vetëm kryeministri Edi Rama por edhe ambasada e SHBA dhe ajo e BE në Tiranë.
 
Një ditë më pas kryetari i PD paralajmëroi se beteja do të vijojë  ndërsa pas reagimit të ambasadës së SHBA për protestë të dhunshme kreu i opozitës tha se PD distancohet nga dhuna, por jo nga djegia e bunkerit.
 
 Në këto kushte protesta e radhës ishte ajo e 17 dhjetorit ku organizatorët e PD në Tiranë protestuan para godinës së seancave plenare për keqqeverisjen e në mënyrë të veçantë për buxhetin  e qeverisë.
 
Vala e protestave të opozitës për 2015 u mbyll me protestën e të rinjve demokratë para parlamentit me 21 dhjetor ndërsa kryetari Basha  paralajmëroi aksion të ashpër në muajin janar kundër korrupsionit.
 
Në këto kushte viti kalendarik për demokratët mbyllet me protesta  por edhe nisja e 2016-ës pritet t'i gjejë demokratë sërish në rrugë. Kërkesa pa kthim e demokratëve mbetet qeveria teknike dhe zgjedhjet e parakohshme. /REPORT TV/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)