Qyteti i Durrësit pati këtë të shtunë vizitorë mjaft të veçantë.

20-vjetori i themelimit të klubit Vespa Shqipëri mblodhi në qytetin bregdetar rreth 360 admirues të markës së famshme motorike italiane. Pjesëmarrësit ishin jo vetëm nga klubet shqiptare të Vespave, por kishin ardhur edhe nga shumë vende të Europës dhe botës.

Shëtitorja "Taulantia" u shndërrua sot në një paradë të vërtetë të këtyre mjeteve, një pjesë e konsiderueshme shumëvjeçare, që ngjallën kureshtjen jo vetëm të vendasve, por edhe të turistëve të huaj.

“Jemi këtu të grumbulluar për festën e 20-vjetorit të krijimit të Vespa Shqipëri. Një festë fantastike me një pjesëmarrje mbi 350 vespista, që në të vërtetë ishin mbi 400, që kanë ardhur nga të gjitha shtetet. Me vespat e tyre po udhëtojnë në rrugët e qytetit të Durrësit. Ne kemi që në vitin 2006 që marrim pjesë në vende të ndryshme të Europës. Për 20 vjetorin, vendosëm ta festojmë në Durrës, duke thirrur vespistë nga e gjithë bota. Ishte viti 2006 kur ne ishim në rini dhe kur pamë këtë lëvizje të madhe të vespistëve në Europë, vendosëm që ta krijonim me Gert Shabanin dhe Lulzim Tufin. E bëmë për të treguar që edhe populli shqiptar ka pasion ndaj vespës. Vespa Klub Shqipëria organizon aktivitete të shumta duke bërë xhiro si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Këtë vit do të bëjmë organizime në qytete të ndryshme të Shqipërisë”, tha Aldo Kazanxhi, President i klubit Vespa Club Shqipëri.

Marka e famshme e motorëve “Made in Italia” ka mjaft admirues edhe në vendin tonë, ku nuk mungojnë edhe modelet më të vjetra të këtyre motorëve. Një motorist nga Shkodra ka sjellë një Vespa Rally të vitit 1971, ndërsa një admirues i tyre nga Vlora e ka realizuar vetë me rezinë, koshin e famshëm të motorit.

Parades së sotme të motorëve tip Vespa i janë bashkuar edhe shumë italianë të ardhur në rrugë tokësore ose me traget në qytetin bregdetar, shumë prej të cilëve kanë motorë Vespa rreth 40-vjeçarë.

Pavarësisht kalimit të viteve, motorët janë ende mjaft funksionalë dhe shihen me mjaft kërshëri nga të gjithë të interesuarit.

20-vjetori i klubit Vespa Shqipëri ishte konceptuar jo vetëm si një ekspoze motorësh në një nga hapësirat më të frekuentuara të Durrësit, por edhe paradë në qytet dhe vizita në sitet arkeologjike dhe monumentet historike.