21 Janari, 19 dëshmitë që
implikojnë Berishën në vrasje

Gjashtë vjet më parë, në 21 Janar 2011, Grada e Republikës, nën urdhrat verbalë dhe jo verbalë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, ekzekutoi katër qytetarë të pafajshëm si dhe plagosi gjashtë të tjerë, në sheshin mes Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit.

Ajo që ndodhi natën e 21 Janarit në zyrat e Kryeministrisë dhe më pas në zyrat e Ministrisë së Brendshme, Gardës së Republikës dhe gjatë viteve të mëvonshme në sallat e gjyqit, është po aq e rëndë sa edhe vrasjet në bulevard. Manipulimi i provave të krimit, zëvendësimin gjatë natës i armëve të zjarrit, zhdukja e pamjeve filmike nga serveri i Kryeministrisë, tentativa për të blerë familjarët e viktimave, kërcënimi i gazetarit të plagosur, tentativa për t’ia faturuar vrasjet opozitës, kërcënimi i kryeprokurores dhe Presidentit, kërcënimi me jetë i kundërshtarëve politikë, mbajtja e vrasësve në Kryeministri, refuzimi për të zbatuar urdhër-arrestet e Prokurorisë, sajimi i grushteve imagjinare, sajimi i thikave me helm, çadrave-pistoletë etj., janë vetë një segment i filmit të veprimeve të pushtetit të atëhershëm pas 21 Janarit.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i akuzuar nga opozita e atëhershme si arkitekti i masakrës së 21 Janarit, sajoi disa alibi si dhe ndryshoi sipas rrethanave versionet për ngjarjen. Pas rënies njëra pas tjetër të të gjitha alibive, Berisha jo vetëm pranoi vrasjet nga Garda në bulevard, por deklaroi se mund të vriteshin edhe 30 apo 300 protestues. Ndërkaq, gjashtë vjet më vonë, ish-kryeministri hoqi krejtësisht maskën, teksa deklaroi planin për të vrarë edhe Edi Ramën në 21 Janar. Sipas tij, nëse kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, sot kryeministër nuk do të tërhiqej, sot nuk do të ishte gjallë.

Shqiptarja.com sjell në kujtesë 19 deklaratat kontradiktore të Sali Berishës, të cilat nëse një ditë do të rihapet dosjet e 21 Janarin, e veshin me përgjegjësi penale. Menjëherë pas vrasjeve, Sali Berisha doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se protestuesit ishin vrarë nga brenda turmës. Në funksion të këtij versioni, doli edhe një mjek i Spitalit Ushtarak, i cili tha se plagët e viktimave ishin shkaktuar nga afër. Por, vetëm disa orë më pas, kur u shfaq videoja e vrasjes së Ziver Veizit nga gardisti Agim Llupo, Berisha pranoi vrasjes, por shtoi se Garda kishte zbatuar ligjin, pasi demonstruesit ishin vrarë brenda rrethimit. Kur u vërtetua se protestuesit ishin vrarë jashtë rrethimit, Berisha tha se një prej protestuesve ishte vrarë me plumb rioshet, ndërsa për të tjerët nuk kishte autor. Alibinë e rikoshetit e ka shprehur në 7 shkurt 2011. Pjesë e alibive ishte edhe sajimi i puçit të shtetit dhe ngritja e komisionit hetimor, menjëherë pas vrasjeve. Gjithashtu, Berisha nuk lejoi as zbatimin e urdhrit të Prokurorisë për arrestimin e komandës së Gardës. Urdhrin e ish-kryeprokurores Ina Rama e konsideroi si pjesë të planit B të puçit.

Pamjet filmike të serverit të Kryeministrisë, si prova kryesore për të zbardhur ngjarjen dhe për të ngritur akuzën për përgjegjësit e vrasjeve, u zhdukën natën e 21 Janarit në ambientet e Kryeministrisë. Zhdukja e pamjeve filmike u vërtetua edhe nga FBI. Për zhdukjen e pamjeve filmike prokuroria akuzoi shefin e IT, Armando Kasa, por ky i fundit i shpëtoi drejtësisë, siç i shpëtuan edhe vrasësit. Për t’u shfajësuar për fshirjen e pamjeve filmike nga serveri i Kryeministrisë, në orën 01:00 të natës, duke u gdhirë 22 Janari, Berisha deklaroi në 23 Janar se kishte urdhëruar Sekretarin e Përgjithshëm Gjergj Lezhjan që t’i vinte pamjet në dispozicion Prokurorisë.
 
Bilanci i 21 Janarit
Të vrarët
Hekuran Deda
Ziver Veizi
Faik Myrtaj
Aleks Nikaj
 
Të plagosurit
Sokrat Gode
Fatos Mahmutaj
Ilia Papa
Erald Bisha
Ilia Qesku
Artes Dybeli

Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj kishin përgatitur dhe udhëzuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që të qëllonin protestuesit gjatë demonstratës së 21 Janarit. Plani i Bashës dhe Kuliçajt pasurohet në një raport sekret të SHKB. “Me shkresë Nr. 136/2, datë 21.01.2011, është bërë instruktazhi i trupave të FNSH 712,Tiranë. Në këtë instruktazh specifikohet që veprimet e trupave do të bëhen në grup, vetëm me urdhër të drejtuesve të shërbimit.

Armët e zjarrit personale do të sigurohen në Repartin 712, që të mos jenë të pranishme gjatë zhvillimit të demonstratës, si dhe efektivi të jetë i veshur me pajisje speciale ROBOKOP. Gjithashtu, ekipi i armëve speciale, i granatave me gaz, i fishekëve plastikë, të përdorë pajisjet vetëm me urdhër nga Drejtoria e FLO, si dhe gjatë përdorimit të tyre të kihet kujdes duke synuar gjymtyrët e poshtme.

Me Urdhër Nr. 143, datë 21.01.2011, Komandanti i Repartit FNSH 712, Tiranë, ka vendosur daljen me shërbim të efektivit”, thuhet në raportin e SHKB. Në raport flitet edhe për përdorimin e pajisjeve speciale kundër demonstruesve. Në raporte përshkruhet në mënyrë dinamike dislokimi i forcave pranë godinës së Kryeministrisë dhe ecuria e kryerjes së veprimeve deri në përfundim të shërbimit të FNSH 712, Tiranë. Në raportin e SHKB flitet edhe përdorimin e gazit lotsjellës.
 
Dëshmitë kontradiktore të Berishës për 21 Janarin
 
21 Janar 2011
“Të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura”.
 
Natën e 21Janarit 2011
“Opozita organizoi një skenar puçist, e paralajmëroi atë, organizoi skenarin tunizian. Përgjigje opozitës i dhanë familjarët e njërit prej viktimave, i nxorën jashtë ata: “Dil jashtë kriminel, na vrave vëllanë”. Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta”.
 
Natën e 21 Janarit 2011
“Mund t’ju bëj një pyetje: Ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre? Çfarë ndodhi me kamerat tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.”
 
22 Janar 2011
“Unë shoh një media që po me një tjetër çakall të Sigurimit bën po atë që bëri çakalli i Ramës me videon tjetër dhe përpiqet të bëjë dhe gjykatësin, dhe prokurorin dhe të gjitha. Kjo është zgjedhja e tij”.
 
23 Janar 2011
“Tentove më (Ramës) të rrethosh Kryeministrisë do gjesh vetëm atë që meriton banditi. Ky është qëllimi im para çdo shqiptari, morali im nuk pranon kurrë që unë të hedh gurin dhe te fsheh dorën, nuk kam kurrë një trashëgimi të tillë, nuk do të mund të tentojë më kurrë. Puçisti do të trajtohet si puçist dhe do të marrë përgjigjen e merituar”.
 
23 Janar 2011
“I kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh te vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat”.
 
24 Janar 2011
“Zonja që liron njeriun që u vërsul me pistoletë drejt gardistëve, të cilët e mbrojnë, duhet të ketë të qartë se ka hyrë në ujëra shumë të gabuara. Ndonëse puçistët vazhdojnë skenarin e tyre, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri”.
 
24 Janar 2011
“Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë!…”
 
25 Janar 2011
“Urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria e Përgjithshme për gjashtë drejtuesit e lartë të Gardës së Republikës, nuk do të zbatohen në mënyrë absolute, në bazë të Kodit të Procedurës Penale”.
 
25 Janar 2011
“Një gjë është e sigurt, në atë oborr ai që shkel apo guxon të shkelë, në rast se nuk largohet me të shtëna paralajmëruese nuk do të mund të largohet kurrë me këmbët e tij më. Ky është rregulli i çdo vendi demokratik. Shko ti shtyja portën një institucioni të huaj dhe do shohësh cili është reagimi, cila është përgjigjja që merr”.
 
2 Shkurt 2011
“Dua të theksoj edhe njëherë atë që theksoi Komisioni parlamentar, që një hetim parlamentar për tre-katër gazetarë nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë e tyre dhe unë ju garantoj për këtë, por ka lidhje me implikimet direkte, në urdhra direkte, të dhunës dhe puçit”.
 
7 Shkurt 2011
“Mirë njëri që ishte nga rikosheti, siç e botojnë vetë në media, po të tjerët. Jemi të interesuar për një hetim të plotë e të gjithanshëm të rrethanave në të cilën humbën jetën katër qytetarët. Kush ishte dora e zezë?”.
 
9 Shkurt 2011
“Pasi unë kisha ftuar ndrikullën e puçit të vazhdojë hetimin, tre orë mbrapa, kjo marrëveshje u shkel me urdhër që mori zonja Rama. Natyrisht, e bëri këtë me urdhër”.
 
19 Janar 2012
“Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshet të Gardës Kombëtare, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte”.
 
21 Janar 2012
“Pati 4 viktima, dhe asnjë prej tyre nuk u shkaktua nga policia. Jo! Kjo është një provë e pastër si kristal. Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshet të Gardës Kombëtare, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte”.
 
21 Janar 2012
“Sa për dijeni, truprojat e mia janë vartës së Komandantit të Gardës. Duhet ta dinë qytetarët se Komandanti i Gardës i ka në varësi të gjithanshme truprojat e mia. Komandanti i Gardës është Gjeneral, kështu që nuk merr urdhra nga asnjë person i vetëm, nuk mund të marrë urdhër nga asnjë person për të përdorur armën e zjarrit jashtë kushteve ligjore”.
 
9 Shkurt 2013
“Përgatiti një fjalim dhe mori një megafon me vete, u instalua në kullat për karshi, duke besuar se do mund të përshëndeste kryengritësit e tij. Pati 4 viktima. ishte përpjekje për të përmbysur një qeveri të zgjedhur me zgjedhjet të lira. Por, dështoi”.
 
21 Janar 2016
“Persona të pajisur me mjete dhune sulmuan barbarisht për orë të tëra ndërtesën e Kryeministrisë. Pra në këtë puç, u vranë 4 qytetarë. Zhvillimet e mëvonshme treguan se Edi Rama luajti me zjarrin me qëllimin që të merrte pushtetin”.
 
12 Dhjetor 2016
“Qëndrimi i tij më 21 Janar ka shënuar një pikë kthese në qëndrimin e jetës time sepse nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Unë deri atë ditë nuk e kisha konceptuar kurrë si armik. Por, të nesërmen, në qoftë se ai nuk do të përmbahej, ai nuk do të ishte më. Kjo ishte. Dhe ky do ishte vendimi më i dëshpëruar i jetës time”.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen