21 janari, Berisha: Nëse do hynit
në kryeministri ju priste më e keqja

21 janari, Berisha: Nëse do hynit<br />në kryeministri ju priste më e keqja
TIRANË - 5 vjet nga protesta e 21 janarit e cila u përgjak me 4 jetë qytetarësh të pafajshëm, ish-kryeministri Sali Berisha thotë se nëse ndonjëri nga protestuesit do të guxonte të futej në godinën e kryeministrisë, do të përballej me të paimagjinueshmen.
 
Duke replikuar në Kuvend me deputetin socialist Erjon Braçe, Berisha u shpreh me besim të plotë se bëri më së miri detyrën e kryeministrit duke mos braktisur godinën për 5 orët e mbajtjes së protestës të cilën siç në vitin 2011, vijon ta quajë një puç për të marrë pushtetin me dhunë.
 
"21 janari ishte grushti i shtetit, i organizuar, i planifikuar nga Edi Rama në bashkëpunim me dy-tre drejtues të institucioneve të vendit. Sali Berisha bëri atë ditë atë që duhet të bënte çdo zyrtar i këtij shteti. Nuk u largua nga zyra as edhe një sekondë të vetme. E gjithë përpjekja e Edi Ramës ishte ngulur në ndërtesën karshi për të ardhur dhe për të mbajtur një fjalim në ballkonin e zyrës si çlirimtar, ishte shkaku më themelor i 4 të vrarëve, për të cilët atëherë kam shprehur ngushëllimet më të sinqerta, i kam shprehur atëherë dhe do t'i shpreh gjithmonë. Mendoj se bëra detyrën e një njeriu të detyrës, qëndrova në zyrën time dhe absolutisht, meqënëse kush e don dhe kush s'e don... Çdo njeri që do guxonte të hynte brenda ndërtesës do të përballej me më të keqen që mund të imagjinonte. Kjo pa asnjë ekuivok, nuk mund të ndodhte kurrë që unë të largohesha nga kati i dytë 5 orë pas sulmit. Ka vlerësime maksimale për policinë, për qëndrimin e saj, vlerësime maksimale nga të gjitha shërbimet dhe misionet e huaja në Shqipëri", - tha Berisha.
 
Nga foltorja e Kuvendit, socialisti Braçe tha se Berisha pranoi se "ka pasur urdhër që çdonjëri që do hynte brenda ndërtesës do të pushkatohej".
 
Berisha tha se Garda e republikës nuk mori asnjë urdhër nga ai apo ndonjë zyrtar tjetër për të qëlluar ndaj turmës, por se punonjësit e gardës kanë zbatuar ligjin.
 
"Garda funksionon mbi bazën e një ligji, e hartuar nga qeveria socialiste, e cila i thotë gardistit në këtë rrethanë do të qëllosh në ajër, në këtë rrethanë do të qëllosh në objekt, ta plagosësh në këmbë, në këtë rrethanë do të qëllosh direkt. Garda nuk funksionon me urdhra, funksionon me ligjin. Ju papagaj mjeran që dilni derdhni lot krokodili, ju komandantin e grupit të zjarrit, e grupit që kishte armët e zjarrit në rrethin e kryeministrisë, ju sot e keni kryetar të PS-së. Ka qenë oficer i rëndësishëm në gardë, pasi iku nga detyra ju e zgjodhët kryetar të PS. Unë nuk besoj se ju e keni përdorur atë për të dhënë urdhër për të qëlluar, s'kam pse ta besoj një gjë të tillë, se pastaj me turp të them se ai është një jago, një kriminel, por nuk kam asnjë të dhënë se ky oficer garde ka qenë i tillë.  E shtytë ju atë të jap urdhër të vriten njerëzit dhe të kishit një kartë? Nuk mund ta them, ai për mua ka bërë detyrën, është njeri me integritet, ka punuar në përputhje me ligjin dhe nuk kam asnjë të dhënë tjetër", - tha Berisha.
 
Nga ana tjetër, deputeti socialist Erjon Braçe u kundërpërgjigj:  "Boll hodhe baltë mbi të vrarët, mjafton që i ke vrarë. Nëse ke një dokument që i jep gardës të vrasë njerëz në mes të bulevardit nxirre këtu. prandaj vrisni se nuk njihni as ligjet". 


Ndërkohë, deputeti i PS Arben Çuko, i cili ka hartuar ligjin se kur duhet të ndërhyjë Garda e Republikës ndaj protestuesve, u shpreh se edhe nëse demonstruesit do të kishin hyrë brenda godinës së Kryeministrisë, kundërpërgjigjja e tyre duhej të ishte me gaz lotsjellës dhe jo plumba.
 
"Unë kam shërbyer shumë vite, dhe ligjin e hapjes së zjarrit dhe rregulloren e kam hartuar unë. as shteti më diktatoral në botë nuk ka ligj që të shkruajë të vriten njerëzit në bulevard. ju vratë 4 njerëz të pafajshëm me duar në xhepa në mes të bulevardit, shumë larg godinës së kryeministrisë. po ai ligj parashikon edhe po të futesh brenda dhe të jesh me gurë, dmth. guri me gaz lotsjellës, jo me plumb. vrasësit thonë pse nuk bëni drejtësi dhe pse nuk dënoni vrasësit. unë e kam me qeverinë time, me çdo kusht, me çdo mjet demokrat, të bëjnë atë reformën në drejtësi, që vrasësit të mos bredhin të lirë rrugëve", - tha Çuko.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shqiptari plagos me thikë italianin, 52 vjeçari përfundon në spital

Itali/ Shqiptari plagos me thikë italianin, 52 vjeçari përfundon në spital