TIRANE- Sot mbushen tre vite nga tragjedia e ndodhur para kryeministrisë kur Garda e Republikës vrau katër demonstrues të pafajshëm, të cilët kishin dalë për të ushtruar të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë, për të protestuar.

Si çdo vit familjarët e viktimave të pafajshme,Kryeministri Edi Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të PS-së, LSI-së dhe partive të tjera të koalicionit të majtë vendosën karafila të kuq në pllakat prej bronzi të vendosura në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë. Pikërisht aty ku u vranë Hekuran Deda, Ziver Veizi e Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.

Mes dhimbjes familjarët vazhdojnë të këmbëngulin për drejtësi dhe dënimin e autorëve dhe atyre që urdhëruan të qëllohej mbi turmën e demonstruesve. Thonë se kanë shpresë tek qeverisja e drejtuar nga Kryeministri Rama, asokohe në opozitë

Zabit Deda, vëllai i dëshmorit të 21 janarit Hekuran Deda kërkon që gjykata të mos tallet me gjakun e vëllait të tij duke dënuar një komandant Garde që qëlloi mbi turmën, me 1 vit burg. Njëherësh ai kërkon që kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha që dha urdhër të qëllohej mbi turmën e demonstruesve, si dhe vartësit e tij të shkojnë para drejtësisë.

Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtaj thotë se kanë kaluar tre vjet dhe nuk ka asnjë person të vendosur para drejtësisë.

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, vrasja e të cilit ka mbetur ende pa autor, thotë se ish kryeministri Berisha dhe Lulzim Basha, (i cili në 2011 mbante postin e ministrit të Brendshëm) janë përgjegjës. Ndërsa bashkëshortja e Aleksit kërkon: "Vetëm drejtësi"
 
VËLLAI I ZIVER VEIZIT: KËRKOJ IDENTIFIKIMIN E ATIJ QË URDHËROI VRASJEN
 
Në një intervistë për “A1 Report”, vëllai i Ziverit, Muhamet Veizi kërkon nga qeveria aktuale që të vendos drejtësi dhe të identifikohet autorit që shtiu mbi trupin  Ziver Veizit në 21 janar të 2011-ës.
 
“Kërkoj drejtësi nga qeveria aktuale për të identifikuar autorin dhe atë që urdhëroi vrasjen e tim vellai. Deri tani nuk është venë drejtësi. Shpresojmë që pushteti i tanishëm të vendos drejtesinë”, është shprehur Muhamet Veizi për “A1 Report”. Edhe në Gjirokastër në fshatin Zenelaj ku jetonte viktima, Ziver Veizi është organizuar një cermoni përkujtimore tek varri i tij. Në ceremoni kanë marrë pjesë familjarë miq, anëtarë e simpatizantë të PS-së në Gjirokastër.

MARK DHE RAJMONDA NIKA: TE ZBARDHET, BERISHA E BASHA FAJTOR
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, vrasja e të cilit ka mbetur ende pa autor akuzon ish kryeministrin Berisha dhe Lulzim Bashën, i cili në 2011 mbante postin e ministrit të Brendshëm, si përgjegjës.

“Përgjegjës janë Basha dhe Berisha. Me ardhjen e PS në pushtet kemi besim se do vendoset drejtë”- thotë Mark Nika i cili sot erdhi në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore që u zhvillua sot paradite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Edhe bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda kërkon drejtësi. “Përgjegjësit para ligjit”  thotë ajo .

mark nika
(Në foto: Familjarët e Aleks Nikës duke folur për mediat)



DJALI I FAIK MYRTAJ: PAS 3 VITESH ASNJË PERSON PARA DREJTËSISË
Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtaj thotë se kanë kaluar tre vjet dhe nuk ka asnjë person të vendosur para drejtësisë.
 
“Berisha në momentet e fundit ata njerëz që kanë kryer krimin i ka mbrojtur tepër mirë duke i larguar jashtë vendit, ndërkohë që sistemin e gjyqësorit e ka bërë si i ka dashur qefi, prandaj populli shqiptar, ashtu si dhe familja ime nuk ka pse të çuditen kur për këto vrasje nuk ka asnjë autor”, u shpreh Renato Myrtaj.
 
Djali i Faik Myrtaj thotë se beson se kryeministri Rama do të punojë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa thekeson se tani nuk “do më fjalë, por vepra”.
 
“Tani besimi im është vetem të kryeministri Rama. Është shpejt pasi me tre muaj nuk mund të bëhet gjë për të zbuluar autorët, pasi ai ka marë një qeveri që ishte komplet në humnerë. Kryeministri është shprehur se kjo do të zbardhet, por boll me fjalë, dua vepra”, vijoi Renato Myrtaj.