TIRANË – Pak orë përpara largimit nga Tirana, dy raporterët e Këshillit të Europës, Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco janë takuar me kryeprokuroren Ina Rama.
Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë së përgjithshme, bashkëreporterët u interesuan mbi çështjet që lidhen me drejtësinë shqiptare, duke e vënë theksin tek lufta kundër korrupsionit, çështja e 21 janarit si dhe marrëdhëniet midis institucionit të akuzës me gjykatat dhe ekzekutivin.
Prokurori i Përgjithshëm, Ina Rama, duke trajtuar temat e ngritura për diskutim, bëri dhe një pasqyrë të punës së Prokurorisë Shqiptare si dhe të problematikës me të cilën ndeshet drejtësia në vend.
Lidhur me 21 Janarim, kryeprokurorja shpjegoi fazat e punës dhe vendosmërinë e prokurorisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, pavarësisht problematikës me të cilën është ndeshur gjatë hetimit institucioni i akuzës.
Duke ndarë qëndrime të përbashkëta me Prokurorin e Përgjithshëm, bashkëreporterët theksuan rëndësinë që ka konsolidimi i institucioneve të pavaruara të drejtësisë, jo vetëm për imazhin e Shqipërisë në BE, por edhe për mirëfunksionimin e demokracisë në vend.

(aq/shqiptarja.com)