21 janari, Rama: Berisha
tentoi të blinte vdekjen

21 janari, Rama: Berisha<br />tentoi të blinte vdekjen
TIRANË- Në heshtje, me lot dhe lule qindra qytetarë zhvilluan sot paradite protestën homazh për të kujtuar Ziver Veizin, Aleksa Nikën, Faik Myrtajn dhe Hekuran Dedën, të cilët mbetën të vrarë si sot një vit më parë para kryeministrisë.
Kortezhi homazh nisi në orën 11:00 nga selia PS dhe më pas në heshtje vazhdoi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për tu ndaluar pikërisht aty dhe ku mbetën të vrarë 4 protestuesit, dhe ku sot ishin vendosur fotografitë e tyre. E gjithë protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore, e mbikqyrur nga njerëz të cilët ishin angazhuar nga PS për mbarëvajtjen e protestës. Ndërsa forca të shumta të policisë kishin rrethuar kryeministrinë. Janë parë dhe forca të FNSH-së të armatosur të cilët ishin vendosur mbi godinën e piramidës dhe të kryeministrisë. Më pas përfaqësuesit e opozitës dhe qytetarët kanë vazhduar në këmbë drejt Akademisë së Arteve, ku u mbajtën e fjalime në kujtim të ngjarjes së një viti më parë.

ORA 13: 24  4 VIKTIMAT NDEROHEN SI QYTETARË NDERI
4 të vrarët janë shpallur Qytetar Nderi nga autorietet lokale ku ata banojnë. Aleks Nika është shpallur Qytetar Nderi nga këshilli i komunës Kolsh, Hekuran Deda mori titullin Qytetar Nderi nga komuna Kalaja e Dodës, Faik Myrtaj nga këshilli I qarkut Fier dhe Ziver Veizi nga Këshilli I qarkut Gjirokastër. Ata janë shpallur qytetar nderi me motivacionin “për figurën e pastër morale, dhe të njeriut i cili u ngrit në protestë paqësisht për liri dhe të drejta të pamohueshme”

ORA 13: 10  RAMA: BERISHA KËRKOI TË BLINTE VDEKJEN
Në fjalën e tij gjatë takimit - homazh në Akademinë e Arteve, kryesocialisti Rama  pohoi se Berisha ka ofruar para në familjen e Hekuran Dedës, në kërkim të fotos së vrasësit.
"Pa mbështetjen e SHBA edhe sot nuk do të shiheshin shumë të vërteta. Urdhëruesi për të qëlluar u kapërdis mbi Kushtetutën dhe coi në mesnatë hijen e tij te familja e Hekuranit duke premtuar edhe fotografinë e vrasëssit,  madje në madhësinë e gomës së fuoristradës. Provat e pakundërshtueshme të FBI do të hedhin dritën mbi korrupsionin e gjykatave të pushtetit. Mirënjohje SHBA që po na tregojnë se e vërteta mund të mos jetë e lehtë të kërkohet paqësisht, por paqësisht mund të ndërtohet. Një valixhe me para për të pritur kryeministrin në shtëpi dhe në këmbim foton e të vëllait. Por, lajmi që Arvizu u dha shqiptarëve për angazhimin e përfunduar të FBI u ka dhënë atyre shpresën e humbur:, tha Rama.
Ai e cilësoi si një dhimbje të pakapërcyeshme në ato familje të këputura përtokë me plumba e fjalë, duke i cilësuar si familje si të zgjedhura enkas nga dora vrastare për ti çuar një mesazh atyre që zgjodhën të jetonin në fshat, mesazh nënave të tretura nën shamitë e vjetra.
“Mesazh, pleqve, burrave të rropatur në papunësi e braktisje sociale, mesazh të gjitha familjeve shqiptare që të bien në gjunjë, të mbledhin ëndrrat në krodhën e bukës dhe as të mos bëzajnë ndaj qeverisë, e jo më të ngrënë krye...sepse Qeveria të merr ç’të dojë, dinjitetin, ëndrrat shpresën dhe jetën, madje edhe dinjitetin, kurse në Athinë Londër, Paris e kudo ngrenë bomba molotov nuk cenohen, jetën ua ruajnë si gjënë më të shenjtë dhe nëse në kushtet e vetëmbrojtjes reale, jo si mbrojtja kriminale e Saliut zyrtari shkarkohet menjëherë, zhvishet, e polici fatkeq përfundon pas hekurave të burgut. Kryeministri Europian kërkon ndjesë popullsisë dhe kërkon ndryshim të edukimit qytetar në shkollë, kjo nuk ndodh me protestuesit shqiptar”, u shpreh kryesocialisti.

Sipas tij, në Shqipëri, qeveria nuk ka duar, për të përkëdhelur familjarët e viktimave, por Shqipëria ka vetëm gojë për të gënjyer e kaluar radhën si dhe për ti mbajtur njerëzit në rreshtat e frikës.

““Të gjithë ta marrin vesh njëherë e mirë, qeveria të merr ç’të dojë, shpresat, ëndrrat, shpirtin, të merr dhe jetën kur ia sjell në majë të hundës. Dhe as nuk e ndëshkon kush, pa çka se jemi në shekullin e 21. Kur në Evropë protestuesit djegin e shkatërrojnë, se u shkrepet të ngrejnë krye për liritë e tyre, policia i qëllon vetëm me shkopinj gome, me plumba kauçuku në rastin më tek keq, por jetën ua ruan si gjënë më të shtrenjtë",  tha kryesocialisti.



ORA 12: 30 - FAMILJARET: DUAM DREJTËSI
Në takimin e zhvilluar në sallën qëndrore të Akademisë së Arteve familjarët e viktimave të 21 janarit kanë akuzuar kryeministrin Berisha si autorin e vrasjes së të afërmve të tyre.

Ora 12 40 MBESA E HEKURAN DEDËS: BERISHA NA OFROI PARA E FOTOGRAFINË E VRASËSIT
Ndërsa mbesa e vogël e Hekuran Dedës në emër të familjarëve dëshmoi se: “Qeveria na ka vrarë dy herë kur na ka ofruar para për të mos reaguar. Na kanë ofruar para që të pijë tek ne kafen e mortit. Sali Berisha na ofroi fotografinë e vrasësit të vëllait tonë. Për me u tregu burri i mirë. Turp i mirë për Sali Berishën. Le të shkojë me fotografinë e tij tek prokuroria dhe të tregojë pse e ka bërë këtë vrasje. Prandaj ne e quajmë Sali Berishën fajtor për vrasjen e Hekuranit”.
Më pas recitoi një poezi dhe ka mbajtur një fjalim të shkurtër, por tronditës.

ORA 12: 37 VAJZA E ZIVER VEIZIT POEZI PËR HUMBJEN E TE ATIT: ZEMRA QAN 
Vazja e Ziver Veizit, Ana duke u dridhur nga dhimbja recitoi dhe vjershën që ia kishte kushtuar të atit të saj. “Fshati im, në mes të maleve fushave dhe kodrave, aty gjendet fshati im!/ Ai fshat nuk ka më gjelbërim, sepse trimin ja vranë/Ai kishe shkuar në luftë, jo me armë, por me fjalë./Ai fshat ende jeton, por mban një shtëpi bosh/ Zemra qan për ata që e vranë, një zemër qan për atë që e vranë, /një zemër qan, që gjallë nuk ma lanë.

ORA 12: 35 E SHOQJA E FAIK MYRTAJ: BERISHA MË VRAU DY HERË, DREJTESIA TË VIHET NË VEND
Për familjen e Faik Myrtaj nga Fieri dhimbja është dyfish, pas vetëvrasjes së djalit të tij të ri, Bardhoshit pak muaj pas vrasjes së të atit. Mes lotëve e shoqja e Faik Myrtajt akuzoi kryeministrin seii vrau dy njerëzit e dashur, Faikun, e djalin e saj, Bardhoshin.
“Berisha më ka vrarë dy herë. Kam varrosur burrin dhe djalin që i dha fund jetës pasi Berisha ia quajti të atin e vrarë në mes të Tiranës, kokëpalarë. Drejtësia të shkojë në vend për të 5 dëshmorët. Nuk kam mundësi dhe as fuqi ndaj ju kërkoj juve të na vini drejtësinë në vend, tha e shoqja e Myrtajt.

ORA 12: 20 BASHKËSHORTJA E ALEKS NIKËS: DUAM SHPAGIM DHE DREJTËSI
“Si sot një vit Aleksi erdhi në shtëpi për drekë. Na tha se do shkonte në demonstratë në Tiranë. Na tha se do kthehej në drekë. E kam parë më pas në koma. Por ora jonë ka mbetur tek ajo mbasdite kur ai u nis nga shtëpia. Që atëherë Amelia, vajza jonë trevjeçare më pyet ku është babi. I them babi ka ikur në Itali për të blerë rroba për të. Por ora e së vërtetës po afron edhe për Amelian. Ndoshta ajo do e kuptojë vetë çka ndodhur me babain e saj. Falënderoj të gjithë ata që na kanë ndenjur pranë në këto ditë të tmerrshme. Solidariteti na ka ndihmuar. Por dhimbja ime është e njejtë me atë të prindërve dhe motrave të Aleksit. Ne jetojmë me kujtimin e tij.
Kam dëgjuar kryeministrin të tregojë me gisht të vrarët dhe jo vrasësit, sikur ata kanë zbatuar ligjin. Cilin ligj shkeli Aleksi? Kë po dhunonte Aleksi? Për ne nuk ka asnjë dyshim se kush ishin urdhëruesit dhe autorët e këtij krimi. Do të shkojmë sot tek varri i tij, do e kemi më të vështirë që nga dita kur e varrosëm. Për të sot nuk ka akoma drejtësi. Ne do kërkojmë sa të kemi frymë shpagim dhe drejtësi. Për këtë jetojmë. Është detyrimi ynë i përjetshëm, për dashurinë tonë,” tha e shoqja e Aleksit.

ORA 12: 10 PËRFUNDOJNË HOMAZHET
Janë mbyllur në mënyrë paqësore homazhet e zhvilluara para kryeministrisë. Policia ka nisur të largohet nga kryeministria ndërsa socialistët janë drejtuar drejt Akademise se Arteve ku do të mbahen dhe fjalimet. 

ORA 11: 37 KORTEZHI PARA KRYEMINISTRISË
Mes qytetarëve pjesëmarrës në kortezh të pranishëm janë dhe përfaqësues nga opozita. Kortezhi është ndaluar tek fotografitë e viktimave për të vendosur lule.

ORA 11: 26 KORTEZHI VAZHDON PAQËSISHT DREJT KRYEMINISTRISË 
Kortezhi vazhdon në mënyrë paqësore përgjatë bulevardit. Ndërkohë që forcat e shumta të policisë janë vendosur në kordon para kryeministrisë dhe pranë portës së kryeministrisë. Qytetarët mbajnë në krahë shirita dhe në duar lule. Në sfond dëgjohet muzikë funebre.  

11: 16 POLICIA GARDH PARA KRYEMINISTRISË
Kortezhi prane Galerisë së Arteve, po i afrohet kryeministrise ndërkohë që policia është vendosur kordon para kryeministrisë. Në vendin ku u vranë protestuesit tashmë janë vendosur fotot e Ziver Veizit, Faik Myrtaj, hekuran Dedës dhe Aleks Nikës

11: 08 KORTEZHI NE SHESHIN SKENDERBEJ

Bllokohet qarkullimi i mjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” .Qindra qytetar janë nisur nga selia PS në heshtje dhe me lule drejt bulevardit Dëshmorët e kombit. Në reshtin e parë disa vajza, mbajnë fotot e 4 të vrarëve.

11: 00 NIS KORTEZHI NGA PS, NGA SELIA PS DEL DHE RAMA 
Nga selia PS grumbullimi i qytetarëve kanë nisur të lëvizin për tu drejtuar më pas bulevardit. Janë qindra qytetarë të mbledhur. Pritet nga momenti në moment për të dalë kreu i PS-së nga selia PS, dhe kortezhi do të drejtohet drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”


Ora 10.38 NIS GRUMBULLIMI PARA SELISE PS
Një numër konsiderueshëm mbështetësish të PS-së dhe deputetë të PS-së ndodhen pranë selisë PS në pritje për tju bashkuar protestës homazh që do të zhvillohet para kryeministrisë. Qytetarët mbajnë lule në duar, ndërsa jashtë selisë PS-së janë vendosur dhe pankarta me foton e të vrarëve të cilat do të mbahen nga qytetarët gjatë zhvillimit të homazheve. Ka nisur dhe grumbullimi i njerëzve para kryeministrisë. Ndërsa policia është vendosur në krah të kryeministrisë, pranë piramidës.

Ora 10:09 POLICIA NIS GRUMBULLIMIN PARA KRYEMINISTRISE
Forca të shumta policie kanë nisur të vendosen para kryeministrisë. Një numër i madh forcat e rendit janë vendosur në trotuarin para godinës së kryeministrisë, ndërkohë që lëvizja e makinave nuk është ndërprerë ende. Nga organizatorët e homazheve kanë nisur të vendosen stendat prej druri ku do të jenë fotografitë e 4 të vrarëve. Në bulevard kanë mbërritur dhe mbështetës të parë, ndërsa priten t'i bashkohen homazheve dhe mbështetës nga qytete të tjera si Korça, Elbasani, Fier, e qytete të tjera.

ORA 09: 40 RAMA: KUSH NDJEN NEVOJEN E DREJTESISE TE VIJE NE BULEVARD
Kreu i Partisë Socialiste bën thirrje për qytetarëve ti bashkohen homazheve që do të zhvillohen në orën 11:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për nder të 4 të vrarëve të 21 janarit. “Në 11:00 homazhe për dëshmorët e 21 janarit. Kush prej jush është në Tiranë dhe ndjen nevojën për drejtësi le të vije me nje lule në bulevard.”


BLINDOHET KRYEMINISTRIA
Një plan masash është marrë nga policia e shtetit lidhur me homazhet që do të kryen ditën e sotme përpara kryeministrisë. Duke filluar në orën 08:00 do të grumbullohen një numër i madh i efektivëve të policisë së kryeqytetit të cilët janë afro 800 trupa. Në terren do të jenë dhe persona civilë nga zyra e vrasjeve, zyra Kundër Krimit të Organizuar, Seksioni i Anti-Drogës, të cilët do të jenë në terren për ruajtjen e qetësisë publike. Burimet nga polica bëjnë me dije se janë marrë informacione se homazhet do të zhvillohen në mënyrë paqësore, por për siguri efektivët do të jenë pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, përfshi këtu, jelekt anti-plumb si dhe armatosja e duhur. Përforcime do të ketë dhe nga efektivë policie nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Në rrjeshitin e parë në afërsi të derës së kryemistrisë do të rrjeshtohen Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa pas tyre do të vijojë rrjeshi me forcat RENEA. Të gjashtë komisariatet e qarkut të Tiranës, që përbëjnë në total 2000 efektivë, do të rrethojë zonën e institucionit të kryeministrisë me qëllim mbrojtjen e saj dhe shmangien e ndonjë incidenti nga ana e personave që janë nisur për homazhet e katër viktimave.
(sg/aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK