Vrasja e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali në Shkodër vijon të mos ketë asnjë autor të arrestuar. Gjatë kësaj të hënë policia dhe prokuroria e Shkodrës kanë zhvilluar një analizë, ku kanë administruar një sërë provash materiale në vendngjarje dhe jo vetëm. Gjatë analizës është dalë në përfundimin se në vrasjen e Astrit dhe Brahim Bilalit, janë përdorur tre armë, ku njëra prej tyre një pistoletë ka qënë e viktimës Astrit Bilalit, i cili sipas burimeve të prokurorisë ka qëlluar plot 10 herë në drejtim të autorëve të vrasjes por pa mundur të shënjestrojë asnjërin prej tyre.

Kjo për shkak se Astrit Bilali ka qënë i plagosur dhe nuk ka qënë në gjendje për të reaguar shpejt dhe saktë. Ndërkohë dy armë të tjera të tipit kallashnikov kanë qenë të autorëve të krimit, të cilët sipas burimeve të prokurorisë dhe policisë së Shkodrës, kanë qëlluar plot 21 herë në drejtim të dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali.  Makina tip “Benz” me targa AA 369 RV, e cila është përdorur nga autorët e vrasjes rezulton të jetë e vjedhur.

Një burim i tha gazetës “Shqiptarja.com” se automjeti që është përdorur në vrasje ishte i vjedhur në Shkodër dy muaj më parë. Ky automjet ishte kallëzuar në polici nga pronari në muajin Janar 2019, por policia nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e makinës. Mjeti është gjendur ditën e djeshme i djegur në një rrugicë të lagjes në Shkodrës dhe me këtë mjet autorët janë larguar sapo kanë ekzekutuar dy vëllezërit Bilali. Më shpresën e gjetjes të ndonjë prove ekspertët e policisë kriminale kanë bërë kqyrjen e makinës, por deri tanimë ende nuk dihet nëse janë gjendur të dhëna që i shërbejnë hetimit. Gjatë analizimit të kësaj vrasje hetuesit thonë se autorët kanë përdorur të njëjtë skemë që për ta ka rezultuar e suksesshme, duke përdorur makinë të vjedhur, automatikë dhe më pas kanë djegur mjetin duke lënë në vendgjarje shumë pak prova.

Një skemë e tillë ka qënë efikase për shumë atentate në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë, ku pjesa më e madhe e ngjarjeve është e pazbuluar nga policia dhe prokuroria. Vrasja e dy vëllezërve ka tërhequr të gjithë vëmëndjen e Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, ndërkohë çështja po hetohet nga tre prokurorë të Prokurorisë së Shkodër, të cilët po bashkëpunojnë me 10 oficerë të policisë me qëllim zbardhjen e autorëve të krimit të rëndë. Kjo ngjarje e përsëritur në Shkodër, solli njëherësh dhe shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Policisë Shkodër Vehbi Bushati, i cili u zëvendësia menjëherë nga një drejtues i lartë policie Niko Brahimaj.