22 viktima nga përmbytjet në
Maqedoni, 10 janë shqiptarë

22 viktima nga përmbytjet në<br />Maqedoni, 10 janë shqiptarë
Moti i keq që ka pushtuar disa qytete të Maqedonisë por më shumë goditi kryeqytetin solli përveç dëmeve të mëdha materiale edhe viktima në njerëz, ndërsa qeveria ka shpallur për 15 ditë gjendjen e jashtëzakonshme dhe ditën e nesërme e ka shpallur zi kombëtare.
 
Ministria e Brendshme maqedonase raporton se bilanci i motit të keq është me numër tragjik ku thuhet se 22 persona kanë humbur jetën, ndërsa 10 prej tyre janë shqiptarë. Ndërkohë që burime jo zyrtare theksojnë se bilanci i viktimave mund të shkojë deri në 30 të vdekur.
 
Viktimat janë nga lagjet Hasanbeg, Smilkovc, Stajkovc, Haraçinë dhe Çair të Shkupit, vendbanime këto më të goditura nga moti i keq.
 
Në një lidhje telefonike për Report Tv, gazetari nga Shkupi, Muhamed Zekiri u shpreh se përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në lagjet e banuara nga shqiptarët.
 
Zekiri renditi si shkak të përmbytjeve mungesën e investimeve ndër vite, ndërsa theksoi edhe neglizhencën e autoriteteve maqedonase, të cilat sipas tij ndërhyrë me 6 orë vonesë pas përmbytjeve në lagjet e shqiptarëve. 

"Ndërhyrja ka qenë e vonuar, rreth 5-6 orë me vonesë pasi kishin ndodhur përmbytjet. Një neglizhencë e autoriteteve shtetërore. Në lagjet e banuara nga shqiptarët ka 20 vite ose dhe me shumë që nuk investohet. Pranë lagjes Hasanbeg kalon një kanal i thellë dhe ai ka më shumë se 20 vite që nuk pastrohet. Sa herë ka zgjedhje partitë politike premtojnë se do investojnë, por asgjë s'është bërë", tha Zekiri. 



Lajmet minutë pas minute nga përmbytjet në Maqedoni

Ora 23:30 Maqedonia tjetër mbledhje të jashtëzakonshme
Qeveria maqedonase po zhvillon një tjetër mbledhje të jashtëzakonshme për të vendosur masat që do të marrë për përballimin  e situatës së përmbytjeve, pasi reshjet pritet që të vazhdojnë. 

Ora 20:45 Qeveria maqedonase: Familjeve të viktimave ju ndahet nga 5 mijë euro
Është vendosur që familjeve të viktimave t’u jepet një dëmshpërblim prej 5000 euro, si edhe të ngrihet një komision për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve.
 
 
Ora 20:20 Qeveria: 400 ushtarë në terren për të ndihmuar familjet
Zv. ministri i Mbrojtjes Bekim Maksuti deklaron se “Vazhdon prania në terren nga ana e armatës. Madje, ne ndërmorëm gjitha masat që t’u dilet në ndihmë banorëve, ndihmuam me ujë, mjete sanitare, disa prej tyre edhe të zhvendosen nga pikat kritike.
 
Me pjesëtarë të armatës, pra me automjete speciale ne kemi qenë në terren diku rreth 400 ushtarë përfshirë edhe ditën e sotme që e kemi ndarë me policinë të cilët edhe ata kanë intervenuar në pjesë tjera të caktuara në terren”.

Ora 20:00 Basha: Bashkitë e PD-së të ofrojnë ndihmë
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për përmbytjet në Maqedoni duke u shprehur se bilanci tragjik ka tronditur dhe hidhëruar opinionin.
 
“Përmbytjet në Maqedoni dhe bilanci tragjik i jetëve të humbura mes të cilëve shumë shqiptare kanë tronditur dhe hidhëruar mbarë opinionin publik.
 
Ngushëllimet e mija më të thella për familjet e viktimave. Jemi pranë cdo familje të goditur nga kjo fatkeqësi natyrore në këto orë të vështira për ta”thotë ai.
 
Kreu i opozitës shqiptare i bën thirrje qeverisë së drejtuar nga Rama që të ndihmojë familjet e goditura në Maqedoni.
 
“Partia Demokratike i ka kërkuar bashkive të drejtuara nga ne të bëjnë gjithcka për të ofruar një ndihmë sado modeste në shenjë solidariteti për familjet e goditura. I kërkoj qeverisë shqiptare të bëjë të njëjtën” mbyllet reagimi i Bashës.

Ora 19:20 Shkupi ndanë nga 3 mijë euro për familjet e viktimave
Qyteti i Shkupit pas seancës së sotme që filloi me një minutë heshtje, njëzëri me 29 vota pro vendosi që t’u ndajë ndihmë prej 3 mijë eurove familjeve të viktimave nga përmbytjet e mbrëmshme në Shkup.

Ora 18:20 Rama: Gati për të ndihmuar vëllezërit, motrat dhe fqinjët tanë!
Kryeministri Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook për situatën e përmbytjeve në Maqedoni duke u shprehur se është gati për të ndihmuar për tejkalimin e situatës tragjike që po kalojnë pas përmbytjeve.
 
“Ndjekim me dhimbje e shqetësim zhvillimet tragjike në Maqedoni! Gati për çdo gjë mundemi për të ndihmuar vëllezërit, motrat dhe fqinjët tanë” shkruan kryeministri. 

Ora 17: 55 Përmbytjet, shpallet gjendja e emergjencës për 15 ditë
Qeveria maqedonase ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas përmbytjeve që u morën jetën 22 personave, ndërsa dita e nesërme është shpallur zi kombëtare.

Ora 17: 41 Ilir Meta: Bashkohem me dhimbjen e familjarëve
Kryeparlamentari Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për jetët e humbura nga përmbytjet në Maqedoni.
“Me shqetësim të madh, trishtim të thellë dhe solidaritet të plotë kam ndjekur situatën e pazakontë të krijuar nga reshjet e shiut në Maqedoni dhe veçanërisht në Shkup e Tetovë. Në këto momente dramatike unë bashkoj dhembjen time me të gjithë familjarët e viktimave dhe lutjet e sinqerta për të ndalur me kaq ky bilanc tragjik humbjesh. Ngushëllimet më të thella për ta dhe solidaritet me gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi e tmerrshme natyrore. Në emër të Kuvendit iu përcjell banorëve të zonave dhe autoriteteve zyrtare të Maqedonisë, Shkupit dhe të Tetovës solidaritetin tonë më të thellë", është shprehur Meta. 

Ora 17: 25 Zyrtare: Deri tani 22 viktima nga vërshimet në Maqedoni
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar se deri tani janë regjistruar 22 viktima nga vërshimet në Shkup. D
 
Gjithashtu bëhet e ditur se deri tani, nga rajonet e përmbytjeve janë tërhequr apo zhvendosur mbi 1000 banorë. 

Ora 17: 20 Maqedoni, qeveria pritet të shpallë gjendjen e emergjencës për 15 ditë
Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi në bisedë telefonike me Report Tv për situatën e përmbytjeve në Maqedoni u shpreh se qeveria pritet të shpallë gjendjen e emergjencës për 15 ditët në vijim për shkak të përmbytjeve.
 
“Jemi të angazhuar, pasi sot nesër dhe pasnesër mund të ketë reshjet më të dendura shiu.
 
Në Tetovë nuk ka pasur të evakuuar, një pjesë të brigadës e kemi dërguar në Shkup për të ndihmuar me evakuimin e personave. Qeveria pritet që të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për 15 ditët e ardhshme”deklaroi ajo për Report Tv.

Ora 16: 03 Identifikohen 13 nga 20 viktimat në Maqedoni
1. Bajram Mustafa i lindur më 02.09.1949, rruga “Anton Popov” nr.10
2. Enes Mustafa i lindur më 06.06.2014, rruga “Anton Popov” nr.10
3. Katerina Mitrova e lindur më 14.08.1933, rruga “Konstantin Petkoviq” nr. 31
4. Gjillmez Muharremi i lindur në vitin 1940, rruga “Alija Avdoviq” nr.22
5. Nade Ilievska e lindur në vitin 1955 në rrugën”35” fshati Stajkovcë
6. Bllaga Jovevska e lindur në vitin 1941 nga fshati Smillkovcë
7. Murat Saiti, i lindur në vitin 1957 nga Hasanbegu
8. Zemrije Sinani me vendbanim në rrugën “Alija Avdoviq”
9. Marina Velinovska e lindur në vitin 1977 nga Kriva Pallanka
10. Jovan Velinovski, fëmijë nga Kriva Pallanka
11. Zhaklina Bozhinovska e lindur në vitin 1973 nga Kumanova
12. Furkan Fejzullahu i lindur në vitin 1987 nga Hasanbegu
13. Sasho Mitkovski i lindur në vitin 1971 nga fshati Creshevë

Ora 16: 03 Ministria e Jashtme shqiptare: Gati të ndihmojmë Maqedoninë
 Ministria e Jashtme shqiptare ka reaguar pas përmbytjeve duke u shprehur se ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim situatën e krijuar në Maqedoni, si pasojë e reshjeve të pazakonta, që përmbytën mbrëmjen e djeshme Shkupin dhe Tetovën, duke shkaktuar një numër viktimash dhe dëme të mëdha materiale.
 
Ministri Bushati ka biseduar sot me zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Nikola Poposki, zëvëndës Kryeministrin dhe Ministrin e Integrimit Arbër Ademi, si dhe me Kryetaren e Komunës së Tetovës Teuta Arifi.
 
Në  emër të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama, Ministri Bushati shprehu ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave dhe përcolli solidaritetin e Shqipërisë në këto momente të vështira.
 
"Shprehim gadishmërinë e plotë për të mbështetur autoritetet qendrore dhe vendore të Maqedonisë për tejkalimin e kësaj situate të rëndë humanitare", theksoi Ministri Bushati.

Ora 15: 03 Teuta Arifi inspekton zonat e përmbytura në Tetovë
Përmbytje ka edhe në komunën e Tetovës. Kryetarja Teuta Tarifi ka inspektuar sot zonat e përmbytura.

"Situata për momentin është e qeëtë dhe nën kotroll por sipas parashikimeve edhe gjatë ditëve në vijim priten reshje të shiut, andaj lusim qytetarët që pa nevojë të mos dalin dhe të mos qarkullojnë në rrugët e fshatrave të malësisë", tha ajo.



Ora 15:00 Hashim Thaçi: Jam i tronditur, Kosova e gatshme të ndihmojë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është i tronditur nga humbjet e jetëve dhe pasojat vërshjimeve në Maqedoninë, një natë më parë.

Postimi i Thaçit në Facebook:

“Jam i tronditur nga humbjet e jetëve nga pasojat e rrebeshit të madh të shiut në Maqedoni. Ngushëllime të gjithëve që janë prekur. Institucionet e Kosovës janë të gatshme të ndihmojnë. HTH”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ora 14:27 Kryetari i Shkupit, Trajanovski dëbohet nga banorët e Hasanbegut
Kryetari i qytetit të Shkupit nuk është pritur mirë në Hasanbeg të Shkupit, lagje e cila u godit më shumë nga vërshimet e mbrëmshme. 

Lagjia e Hasanbegut, në periferi të Shkupit është përmbytur thuajse tërësisht, ndërsa banorët të revoltuar nga autoritetet lokale, kanë reaguar të tensionuar për gjendjen pas vërshimeve ku humbën jetën dhjetra njerëz.



Ora 14:21 Ali Ahmeti ngushëllon familjet e viktimave
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në një mesazh ngushëllimi për të gjitha viktimat e rëna mbrëmë nga vërshimet në Shkup duke ju shprehur familjeve ngushëllimet e sinqerta për humbjen e më të dashurve të tyre.

''Më lejoni që të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave nga vërshimet e mbrëmshme në Shkup me të cilët ndaj dhimbjen për humbjen e më të dashurve të tyre'', shprehet Ahmeti në mesazhin dërguar familjeve që humbën familjarët e tyre.

Ndërkohë ai premton se të gjithë të dëmtuarve do ju qëndrojnë pranë për secilën nevojë dhe do i mbështesin tërësisht me gjitha kapacitetet e mundëshme.

''Njëkohësisht siguroj të gjithë të dëmtuarit që do t'ju qëndrojmë pranë për çdo nevojë të tyre dhe do t'i mbështesim tërësisht me të gjitha kapacitetet institucionale dhe njerëzore'', shprehet për fund Ahmeti. 

Ora 14:00 Qeveria Maqedonase mbledhje të jashtëzakonshme
Zv/ministri i mbrojtjes Bekim Maksuti ka paralajmëruar për seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë sot në ora 16.30 pas situatës kritike që përfshiu Shkupin me rrethinë, veçmas fshatrat Hasanbeg, Haraçinë dhe tjera.

Ai me këtë rast thotë se edhe në takimin e sotëm me Qendrën për menaxhim me kriza ku ka qenë i pranishëm ai dhe qeveritarë tjerë shqiptarë janë sjell disa konkluza, veçmas ajo që t’u dilet ndihmë banorëve të prekur nga vërshimet dhe të sanohen dëmet e shkaktuara.

Vazhdon prania në terren nga ana e armatës. Madje, ne ndërmorëm gjitha masat që t’u dilet në ndihmë banorëve, ndihmuam me ujë, mjete sanitare, disa prej tyre edhe të zhvendosen nga pikat kritike. Me pjesëtarë të armatës, pra me automjete speciale ne kemi qenë në terren diku rreth 400 ushtarë përfshirë edhe ditën e sotme që e kemi ndarë me policinë të cilët edhe ata kanë intervenuar në pjesë tjera të caktuara në terren”, ka thënë ai.

Ai thotë se gjëja më mirë e mundshme ka qenë të intervenohet sa më shpejtë e mundur, thotë se prej mbrëmë kanë qenë në terren, ndërsa kanë intervenuar edhe në Tetovë. “Atje nuk ka ndodhur më e keqja, tre fshtra kanë qenë të bllokuar, por mëngjesin e sotëm arritëm që ata tre fshatra t’i zhbllokojmë dhe normalizojmë gjendjen”, ka thënë ai. Si qeveri shton ai, do bëjmë çmos që t’u dilet në ndihmë banorëve dhe të sanohen dëmet. Ai paralajmëron ndihma për banorët e prekur nga vërshimet, si nga Komuna e Gazibës, qyteti i Shkupit si ashtu dhe Komuna e Çairit.

Ora 13: 40 Hahn: BE e gatshme të ndihmojë Maqedoninë
Komisioneri për zgjerim Johannes Hahn i ka shprehur familjarëve në Maqedoni ngushëllimet për jetët e humbura nga përmbytjet e një nate më parë.

hahn

(Postimi i Hahn në Twitter)

Në një postim në rrjetin social Tëitter, Hahn shkruan: Ngushëllimet e mia për familjet e viktimave të të përmbytura në Shkup dhe Tetovë. BE e gatshme për ta ndihmuar.

Ora 11:40 Mediat: 20 të vdekur në lagjen Hasanbeg, 10 janë shqiptarë
"20 të vdekur deri më tani në Hasanbeg, numri vazhdon të rritet". Ky është raporti më i fundit i mediave maqedonase. Nga 20 të vdekur 10 për momentin janë shqiptarë mësohet të jetë shprehur një banor nga Hanbegu. 

Ora 11:10 Evakuohen banorët e lagjeve Hasanbeg dhe Stajkovc



Ora 11:05 Seladin Xhezairi: Përmbytje ka edhe në Tetovë e zona të tjera
Gazetari Seladin Xhezairi u shpreh për Report Tv se përmbytjet kanë prekur edhe zona të tjera në Maqedoni, krahas Shkupit. Ai tha se vërshime ka pasur edhe në Tetovë. Ndërsa theksoi viktima nga përmbytjet janë regjistruar edhe në Malin e Sharrit. Sipas tij, krahas 15 viktimave, ka edhe 6 persona të zhdukur.



Ora 10:30 Gazetari Zekiri: Autoritetet ndërhynë me 6 orë vonesë
Gazetari shqiptar nga Shkupi, Muhamed Zekiri deklaroi gjatë një lidhje telefonike për Report Tv se bilanci i përmbytjeve në Shkup është tragjik, me 15 të vdekur. Ai tha se Shkupi s'ka parë prej vitesh përmbytje të tilla. 

Gazetari Zekiri theksoi gjithashtu se autoritetet maqedonase ndërhynë me vonesë në zonat e përmbytura. "Ndërhyrja ka qenë e vonuar, rreth 5-6 orë me vonesë pasi kishin ndodhur përmbytjet. Një neglizhencë e autoriteteve shtetërore. Lagjet e përmbytura janë ato të banuara nga shqiptarët si Hasanbeg, Haraçinë dhe Çair, lagje në të cilat mungojnë edhe investimet, e për pasojë kemi këtë bilanc tragjik sot", deklaroi Zekiri. 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë