Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestrimin e 9 apartamenteve në Durrës, të regjistruara në emër të një 22 vjeçari, me emrin Arlind Kalaja, pas kërkesës së prokurorisë.

Sekuestrimi u vendos pas dyshimeve se pasuritë në emër të 22-vjeçarit rrjedhin nga aktivitete kriminale të babait të tij, Fatmir Kalaja. Të dy personat babë e bir, tashmë janë në hetim për akuzën e pastrimit të parave.

Fillimisht hetimi nisi nga Prokuroria e Durrësit, në Prill 2016, pas dyshimeve për pastrim parash. Fatmir Kalaja dhe djali i tij, u zbuluan se kishin qarkulluar shuma të mëdha parash në llogaritë e tyre bankare. 

Por pas veprimeve të para në Durrës, hetimi iu përcoll Prokurorisë për Krime të Rënda, që po kryen tashmë veprimet. Sipas hetimit, i dyshuari Fatmir Kalaja është hetuar në Itali, për vjedhje, vrasje me dashje e vepra të tjera penale.

Por dyshimet janë se ai mund të jetë marrë edhe me aktivitete prej të cilave ai ka mundur të fitojë sasi të konsiderueshme parash të cilat i ka investuar në pasuri të patundshme në qytetin e Durrësit. Ndër to janë edhe 9 apartamentet e sekuestruara me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. 

Hetuesit dyshojnë se këto 9 apartamente që sipas kontratave përkatëse arrijnë në rreth 260 mijë euro, janë fituar nga Arlind Kalaja, si rezultat i përfshirjes së tij në aktivitetin e pastrimit të parave.
 
Blerja e apartamente ka ndodhur në një kohë shumë të shkurtër brenda dy muajve të vitit 2014. Por po ashtu apartamentet e blera nga Kalaja, janë përftuar me gjysmën e çmimit dhe se dyshohet se vlera e tyre mund të jetë shumë më e madhe. 

I hetuari Kalaja, sipas prokurorisë nuk ka patur asnjë aktivitet ekonomik në Shqipëri, por po ashtu ai ishte vetëm 20 vjeç në kohën e përfitimit të pasurive. 

Kjo ka shtuar dyshimet mbi burimin e të ardhurave të të dyshuarit babait të tij, ndërsa ende nuk dihet origjina e saktë e parave. Në këto kushte është vendosur edhe sekuestrimi i këtyre pasurive, ndërsa tashmë pritet të vijojë edhe procesi penal ndaj dy personave babë e bir.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com