Për të garuar më 23 maj për kreun e Partisë Demokratike, ka disa kritere. Si fillim duhet të jesh prej 6 muaj anëtar i partisë, ndërsa më pas Kryesia shqyrton dhe miraton kandidaturat duke e shoqëruar me arsyetimin përkatës, shpjegon Ina Zhupa në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv.
Tashmë tri persona që kanë shprehur ambicien për të marrë kryesimin e partisë, dihen: Sali Berisha, që e ka konfirmuar prej kohësh, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu. Ervin Salianji nuk ka dhënë ende një përgjigje përfundimtare, por s’e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit.
Megjithatë, Flamur Noka thotë se Salianji është i përjashtuar prej kandidimit, diçka që gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku, e shpjegon me një udhëzim të partisë. Në këndvështrimin e saj, nëse Salianji do të garonte përballë Berishës, do ta bënte më dinjitoze edhe fitoren e këtij të fundit.
“Noka i është referuar ripërtëritjes së listave të PD dhe që ndodhi përgjatë muajve të fundit dhe sipas një udhëzimi të nxjerrë nga PD në janar të këtij viti, përcaktohej qartë cilët do të jenë rastet specifike që do të trajtohen për ata që do të duhet të hiqen nga lista e anëtarësisë. Një prej tyre ishte pika ku ishte punuar kundër interesave të PD ose pë rata njerëz që kishin shkelur Kodin e Etikës. Këtu mund të kapë në njëfarë forme PD Salianjin sepse Noka dhe Berisha e kanë akuzuar se ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për të organizuar foltoret. Saliaji i ka mohuar këto akuza dhe s’kishte pse të hiqej nga anëtarësia e PD dhe as mos të pranohej si kandidat sepse kjo do ta bënte garën shumë më dinjitoze. Një figurë si Ervin Salianji që nuk ka beteja të humbura, në Korçë ka korrur rezultat të mirë, bashkinë e Kavajës, ia çoi fitoren në duar Berishës, kështu që të pasurit Salianjin në parti dhe përballë Berishës, do e bënte shumë më dinjitoze edhe fitoren e Berishës nëse ai do të fitonte përballë Salianjit”, tha Maloku.
Ndërkohë, PD duket e shpërndarë në disa drejtime: zgjedhjet e brendshme, Kuvendi Kombëtar më 6 qershor, protesta, takime me ndërkombëtarët. Deputetja Ina Zhupa mendon se s’ka kuptim të qëndrojnë në vend dhe kjo është mënyra e duhur.
“Ne jemi PD. Nga njëra anë do të protestojmë, nga njëra anë do të takojmë ndërkombëtarët. Sot lideri i PD është në forumin e partive popullore europiane, ne sot vazhdojmë takime për protestën, në struktura vazhdojnë elementët për përpunimin e fundit të listave dhe organizimeve ku ka kryesi e kryetarë sepse është parti vitale, me resurse të jashtëzakonshme dhe mund të ecim në disa drejtime”, tha Zhupa.
Por gazetarja Maloku vuri në dukje se PD nuk po shfrytëzon momentet e favorshme duke shfaqur standarde të dyfishta.
“Si ka mundësi që në momentet kur PD ka në dorë kauza kaq të forta, nuk di të rreshtohet në anën e duhur të historisë? Kemi një PD që thotë për herë të parë parlamenti u kthye në bunker të korrupsionit, nuk u miratua kërkesa e SPAK-ut. Del Berisha 2 ditë më vonë, nga SPAK thotë SKAP. Reaguan ndërkombëtarët të gjithë në bllok kundër vendimit që mori parlamenti ndaj Belinda Ballukut, del Berisha një javë më vonë dhe sulmon ambasadorin e BE, Silvio Gonzatos dhe thotë shkon në Bruksel si ambasador i Ramës. Gjëra që ka në favor PD në disa momente shumë kyçe, i zhbën. Nuk di ta kapë momentin dhe ta shfrytëzojë në favor të vetes. Duket sikur është jo e moralshme në politikë të përdorësh dy standarde”, theksoi gazetarja.
Sipas saj, PD ka nevojë për “figura të reja” dhe “besueshmëri”, fjalë të cilat mbështeten plotësisht nga Zhupa.
Danjela Maloku: Duhen figura të reja, duhen figura që krijojnë besueshmëri që shkojnë dhe takojnë qytetarin. PD do të duhet të ndryshojë dhe nuk e themi vetëm për PD, por në këndvështrimin tim, një opozitë shumë e fortë, e moralshme, me figura frymëzuese është më afër qytetarin dhe mund ta bindë.
Ina Zhupa: Jam dakord që PD nuk është perfekte, ka nevojë për zgjedhje, prandaj po i bën, ka nevojë për rinovim.
Danjela Maloku: Ka nevojë, por një zë kundër që i doli Berishës pas humbjes së zgjedhjeve, një Ervin Salianji që nisi takime, u përjashtua.
Ina Zhupa: Grupet kriminale kanë ndikuar zgjedhjet.
Sa për protestat e dhunshme të PD me molotovë, Zhupa tha se janë figurative dhe çdo formë është e pranueshme.
“Format janë të gjitha të pranueshme sepse asgjë nuk ka qenë me qëllim prishjen e rendit demokratik. Asgjë nuk ka qenë me qëllim cenimin e jetës së policisë. Gjithçka ka qenë figurative. Edhe kur goditet me molotovë apo mjete piroteknike, goditet një godinë që është simbol i korrupsionit në Shqipëri siç është kryeministria”, tha Zhupa.
Ajo refuzoi të përshkruante strategjinë që do të ndiqet më 22 mars, por përshkallëzimi i mundshëm nuk është jashtë mundësive.
“Nuk kemi përjashtuar asnjë skenar, por çdo gjë është në kohën e duhur. Nëse skenari s’i shërben stategjisë që kemi, nuk vlen”, tha Zhupa duke i ftuar të gjithë në protestën e 22 marsit pasi qeveria “është bërë pengesë për drejtësinë dhe integrimin europian”.
Protestat e dhunshme të PD me molotovë, sipas Ina Zhupës, janë figurative dhe çdo formë është e pranueshme. Gjatë një bisede në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, ajo u shpreh se qëllimi s’është cenimi i rendit demokratik ose jetës së policëve.
“Format janë të gjitha të pranueshme sepse asgjë nuk ka qenë me qëllim prishjen e rendit demokratik. Asgjë nuk ka qenë me qëllim cenimin e jetës së policisë. Gjithçka ka qenë figurative. Edhe kur goditet me molotovë apo mjete piroteknike, goditet një godinë që është simbol i korrupsionit në Shqipëri siç është kryeministria”, tha Zhupa.
Ajo refuzoi të përshkruante strategjinë që do të ndiqet më 22 mars, por asnjë mundësi përshkallëzimi nuk përjashtohet.
“Nuk kemi përjashtuar asnjë skenar, por çdo gjë është në kohën e duhur. Nëse skenari s’i shërben stategjisë që kemi, nuk vlen”, tha Zhupa duke i ftuar të gjithë në protestën e 22 marsit pasi qeveria “është bërë pengesë për drejtësinë dhe integrimin europian”.
Komente












