23-vjet PS, Rama: Keqardhje që
s'erdhi Basha,jo më sherr politik

23-vjet PS, Rama: Keqardhje që<br />s'erdhi Basha,jo më sherr politik
TIRANE - Në 23-vjetorin e Partisë Socialiste, kreu i kësaj force politike Edi Rama është ndalur tek çështja e integrimit evropian të vendit, duke u shprehur se marrja e statusit të vendit kandidat në qershor do të jetë shtysë drejt një fillimi të ri për vendin. Duke shprehur besim për një vendim pozitiv të vendeve të BE ndaj Shqipërisë, kryeministri Rama tha se mes mazhorancës e opozitës s'duhet të ketë më luftë të ftohtë, tani që vendi synon të jetë pjesë e BE. Ndërkaq, kreu i qeverisë shprehu keqardhje për mungesën në këtë aktivitet festim të kreut të PD-së, duke u shprehur se "do ngrija një dolli për 40-vjetorin e tij".

Kreu i qeverisë ndërkaq, theksoi përpjekjet e bëra nga qeveria shqiptare në realizimin e reformave dhe përmbushjen e rekomandimeve. Fjala e Kryetarit Edi Rama në 23-vjetorin e Partisë Socialiste
 
“Ndarja e re e partive zhvillohet prej mbi dy dekadash mes klasave politikeve, ata që ishin fëmijë kur ra diktatura, sot janë të ndikuar nga helmi i ndasisë. Të shpresojmë se Evropa do jetë e çliruar nga ata që ndikuan në vendimin e padrejtë në dhjetor. Kemi besim të madh se gjërat do të ndryshojnë në Shqipëri në të ardhmen. Ka filluar puna për mbledhjen e fundgushtit në Gjermani me kryeministrat e rajonit. Hollande u shpreh i mbresuar nga puna e bërë për reformën territoriale. Shqipëria ka filluar të bëjë atë që thotë. Ky është vetëm fillimi. Sot urojmë nga zemra që statusi të vijë si shtysa e një fillimi të ri në rrugën e ndarë, por jo të kundërt me opozitën për të futur vendin në BE. Më shumë debate për problemet, dhe me pak sherre dhe debate për integrimin”, tha kryeministri Rama.
 
Këtë qëndrim e ka shprehur kryeministri Rama në aktivitetin e organizuar në ambientet e "Muzeut Kombëtar" për 23-vjetorin e Partisë Socialiste. Lidhur me këtë ditë, kreu i kësaj force politike Edi Rama tha se kjo ditëlindje i gjen në drejtim të vendit. Në fjalën e tij kryeministri tha se “u hap një kapitull i ri premtues bashkimi”, ndërsa theksoi se duhet të vijojnë përpjekjet për të ecur përpara. Por dhe në të njëjtën datë të lindjes së liderit të opozitës Lulzim Basha.
 
“Mbyllim nja kapitull ndarje, dhe hapim një kapitull premtues bashkimi. Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë ne socialistët dhe progresistët. Sot nuk jemi më që të gjithë në njëjtën parti. Kjo ditëlindje na gjen në drejtim të vendit. Do të përpiqemi të gjejmë rrugën e duhur drejt ecjes përpara. Shqipëria u çlirua nga vjedhja e votave”, tha kryeministri Rama.
 
Në këtë përvjetor të 23-të të themelimit, PS ka mbledhur bashkë "Muzeun Kombëtar" gjithë politikën, ku të pranishëm janë edhe përfaqësues nga trupi diplomatik, komunitetet fetare, familjarët e viktimave të 21 Janarit.

Për të gjithë të ftuar të pranishëm në këtë 23-vjetor, u përcollën me video-projektor pamje të ndryshme, për arritjet e PS-së, si dhe për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit. Nga opozita i pranishëm në këtë aktivitet, ishte deputeti Tritan Shehu, ndërsa u vu re mungesa e kreu të PD-së, Lulzim Basha. Ftesë për të marrë pjesë në këtë ceremoni kishte edhe ish-kreu i PS, Fatos Nano, i cili nuk ishte i pranishëm.

Plot 23 vite më parë, u krijua PS, duke sjellë një reformim të thellë jo vetëm tek e majta shqiptare, por dhe në politikën shqiptare.

Ndërkohë që kryetari i PD, njëherësh dhe kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha feston ditën e sotme 40-vjetorin e tij të lindjes. Askush nuk e ka ditur e nuk ka bërë llogarinë se kreu demokrat ka lindur pikërisht në ditën kur është themeluar PS, partia kundërshtare e forcës politike që ai drejton dhe që është i detyruar që në çdo 12 qershor të festojë ditën e tij të lindjes bashkë me PS, të cilën aspiron ta largojë nga pushteti. Lulzim Basha ka lindur më 12 qershor 1974, e pritet ta festojë sot këtë ditë të shënuar që si për ironi të fatit është në të njejtën ditë më atë të forcës kundërshtare.
 
rama

Rama batutë për Bashën: Të gëzuar nëse PD do na nderonte sot
Ndërkaq, nuk ka munguar as batutat e kryeministrit Rama lidhur me këtë datë, pasi edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha feston sot ditëlindjen.

"Do të kishim qenë padyshim të gëzuar sot, nëse të ftuarit tanë të Partisë Demokratike, do të na kishin nderuar me pjesëmarrjen e tyre në këtë festë bashkimi. Dhe pa asnjë dyshim nuk do të kishim ngurruar ta ngrinim një dolli edhe për ditëlindjen e kryetarit të tyre të ri. I cili, ky i riu e kam fjalën, është më i vjetër se partia jonë, po sidoqoftë ka lindur në një datë të shënuar. Shpresoj që kur vitin e ardhshëm, kur ne të bëhemi 24 e ai 41, të jemi së bashku."
 
Integrimi

Rama pjesën më të madhe të fjalës së tij e ka bazuar në sfidën kryesore të vendit për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Duke shprehur besim për një vendim pozitiv të vendeve të BE ndaj Shqipërisë, kryeministri Rama tha se mes mazhorancës e opozitës s'duhet të ketë më luftë të ftohtë, tani që vendi synon të jetë pjesë e BE.” Të shpresojmë se Evropa do jetë e çliruar nga ata që ndikuan në vendimin e padrejtë në dhjetor. Kemi besim të madh se gjërat do të ndryshojnë në Shqipëri në të ardhmen”, u shpreh Rama. Ndërkaq shprehu keqardhjen për mungesën në aktivitet të kryetarit të PD-së. “Nëse do na kishin nderuar me pjesëmarrjen do ishim të gëzuar, do ngrinim një dolli edhe për Bashën, ka lindur në një datë të shënuar, por shpresojmë të jemi sëbashku vitin tjetër”, u shpreh Rama.

Kthesa
Rama tha se do të marrë pjesë në përvjetorin e PD-së nëse do të marrë një ftesë, megjithëse ditëlindja e tij nuk përkon me përvjetorin e kësaj force politike. Ai kërkoi që mes palëve politike ti jepet fund asaj që ai e cilësoi si luftë e ftohtë. “Nuk shkon më asnjë ndarje demokratike, të jetohet mes nesh si një luftë e ftohtë vëllavrasëse në kohë që synojmë ti bashkohemi BE”, u shpreh Rama. 

Mungesat Nano preferon të ndjekë ceremoninë duke parë botërorin
Ish-kryeministri Fatos Nano ka preferuar të ndjek ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror sesa të merrte pjesë në 23-vjetorin e Partisë Socialiste. Në fakt ish-kryetari historic i socialistëve e kishte paralajmëruar mungesën e tij, kur një ditë më parë deklaroi se nuk do të merrte pjesë në festë për shkak se nuk kishte marrë pjesë, ndërkohë që kryeministria konfirmon të kundërtën. Por edhe pse nuk ishte pjesë fizikisht, në insertin në të cilin paraqitej gjithë historia e PS-së në këto 23 vite, figura e tij zinte pjesën kryesore. Një tjetër mungesë që u vu re në mbrëmjen e djeshme ishte ajo e ish-presidentit Rexhep Mejdani. Kohët e fundit, Mejdani ka qenë një ndër kritikët e ashpër të kryeministrit ndërsa djali i tij u shkarkua nga pozicioni që mbante në Drejtorinë e Doganave. Ashtu siç edhe pritej, asnjë prej deputetëve demokrat nuk kanë qenë pjesmarrës në festën e PSsë, ditë e cila përkonte edhe me ditëlindjen e kryetarit të tyre Lulzim Basha.

Meta kthehet në PS, por largohet i pari
Vetëm 15 minuta ka qëndruar në festën e PS-së Ilir Meta. Duke e justifikuar largimin e tij me impenjimet e shumta, kryetari i Kuvendit nuk ka pasur mundësi as ta uroj personalisht në festë Edi Ramën.

Blushi shmang takimet, vjen nga hyrja dytësore
Ben Blushi ka shmangur shtërngimin e duarve në hyrje të festës së PS-së duke ardhur nga hyrja dytësore. Edhe pse ka qenë ndër deputetët më korrektë sa i përket respektimit të orarit, Blushi ka preferuar që të mos hyjë nga tapeti rozë i shtruar për të ftuarit por të vij nga rrugica dytësore.

Tritan Shehu i vetmi PD-ist në festën e PS-së
Ish-deputeti demokrat Tritan Shehu ka qenë i vetmi që ka marrë pjesë në 23-vjetorin e PS-së. I Shoqëruar nga kolegët e tij deputetë, Shehu duket se nuk e ka ndjerë veten aspak në siklet. Veç tij asnjë prej deputetëve demokrat nuk ka qenë pjesë e festës së organizuar nga PS. Ish-deputeti i PD-së ka shkëmbyer batuta përgjatë festës me shumë prej deputetëve socialist ku, si i vetmi demokrat në festë, është vlerësuar maksimalisht për pjesëmarrjen.

Familjarët e viktimave të 21 Janarit në pritje
Familjarët e viktimave të 21 janarit kanë qenë të parët që kanë uruar kryetarin e PS-së Edi Rama. Duke u shprehur mirënjohjen për pjesëmarrjen, Rama i është drejtuar me fjalët “Ju jeni pjesë e familjes tonë të madhe”. Një shtrëngim shumë të ngohtë kryeministri Rama ka pasur edhe me Anën, vajzën e njërit prej viktimave në bulevard Ziver Veizit. Që pas protestës së 21 janarit, familjarët
e katër viktimave në bulevard janë bërë pjesë e të gjitha aktiviteteve të organizuara nga Partia Socialiste. Familjarët e viktimave të 21 janarit janë përshëndetur edhe nga bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama.

Festa
Rama ka qenë nga personat e fundit që erdhi në festën e organizuar në 23-vjetorin e PS-së. Vonesa ka shkaktuar edhe shmangien e një shtrëngimi duarsh me aleatin e mazhorancës Ilir Meta, rikthimi i të cilit në selinë e PS-së ka zgjatur jo më shumë se 15 minuta. Kreu i Kuvendit e ka justifikuar largimin e tij me impenjimet e shumta, ndërkohë që pas tij është larguar edhe kreu i PBDNJ-së Dule.

Në festën e djeshme të PS-së merrnin pjesë ministra, deputetë, ambasadorë përfaqësi e huaj, njerëz të medies dhe familjarë të viktimave të 21 janarit. Në festë kanë marrë pjesë edhe ish-deputetë dhe drejtues të lartë të PS-së si: Servet Pëllumbi, Arben Malaj ndërsa nga aleatët ishin prezent Gjinushi, Milo e Dule. Gjatë mbrëmjes Rama ka qëndruar me deputetin socialist Pandeli Majko, me të cilin ka shkëmbyer edhe batuta për thinjën e flokëve gjatë kohës në të cilën në video-projektor transmetohej një pjesë e historisë së PS-së.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç