Pas përfundimit të hetimeve SPAK ka dërguar për gjykim dy persona të akuzuar për korrupsion.
Besmir Cani, me detyrë polic bashkiak në Tiranë bëhet me dije se ka marrë 2.4 milionë lekë ryshfet nga Ahmet Mashollari, për shmangien e prishjes së një objekti të ndërtuar pa leje nga ky i fundit.
Besmir Cani, akuzohet për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërkohë Ahmet Mashollari, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal, nr.62 të vitit 2025 ndaj të pandehurve:
Besmir Cani, me detyrë polic bashkiak, Bashkia Tiranë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal;
Ahmet Mashollari, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal.
Pas përfundimit të hetimit paraprak ka rezultuar e provuar se i pandehuri, Besmir Cani, në ushtrim të detyrës së punonjësit të policisë bashkiake, ka marrë një përfitim të parregullt në shumën 2.400.000 lekë, për moskryerjen e veprimeve për një ndërtim pa leje. Këto veprime përfshijnë; mosraportimin, mosvendosjen e gjobës përkatëse si edhe shmangien nga prishja e objektit të ndërtuar pa leje nga i pandehuri, Ahmet Mashollari, i cili është provuar t’i ketë dhënë shumën e parave, punonjësit të policisë bashkiake.
Komente










