Gjatë fjalës së tij, Klosi shtoi se, Partia Socialiste është një parti e re, jo vetëm nga mosha e saj, por nga mentaliteti dhe nga mendja e hapur, veçanërisht ndaj rinisë. Ajo, shtoi Klosi, lindi në vitin kur rinia u ngrit për liri e demokraci dhe rinia ka qenë gjithmonë energjia e saj.
Klosi theksoi se, të rinjtë janë garancia që PS është në rrugën e drejtë, që Shqipëria është në rrugën e drejtë të integrimit europian.
Ja fjala e plotë e Ministrit Klosi
The best- You arë the best
Nuk gjeta dot epitet më të mirë për t’ju komplimentuar ju të gjithë që jeni sot në këtë sallë, veçse duke ju thënë: Ju jeni më të Mirët.
Jeni më të mirët sepse titullin fantastik “Student i ekselencës” e keni fituar vetë, vetëm me djersën tuaj, me punë të përditshme, me orë të gjata studimi e me sakrifica të mëdha, duke përmbushur me shumë dinjitet një nga detyrat e para që shoqëria ju ngarkoi, atë të studimit dhe përgatitjes për t’u bërë drejtuesit më të rinj të gjeneratës suaj.
Do doja shumë t’ju përgëzoja edhe për dy zgjedhje të rëndësishme që jeni duke bërë sot; nuk di të them se cila nga të dyja është më e rëndësishmja, por di që të dyja janë shumë të mira.
Për zgjedhjen e parë, që do shumë guxim dhe largpamësi, pra që vendosët të merreni me politikë, me të vetmin mekanizëm demokratik me të cilin shoqëria demokratike mundet të ndryshojë gjërat për mirë.
Mund të diskutohet, a është politika sistemi më i mirë, i cili garanton vendimet më të mira në interes të publikut? Edhe kjo është një nga sfidat e gjeneratës suaj!
Mirëpo, a kemi një sistem tjetër, përveçse nëpërmjet politikes, që të na ofrojë një bazë procedurale demokratike, përmes së cilës merren vendime, pavarësisht mospajtimeve në qëndrime.
E njoh shumë mirë debatin e ditës dhe e pranoj me bindje faktin që mund të quhem “jashtë trendit” popullor po t’ju them se marrja me politikë kërkon dhe është një VIRTYT.
Gjithçka mund të thuhet për ata që merren me politikë, po unë do doja t’ju siguroja që në këto vite të karrierës sime politike kam njohur shumë e shumë, me dhjetëra politikanë a administratorë të lartë publikë të virtytshëm, që përpiqen me shumë forcë për të marrë vendime të ndershme dhe reforma të vërteta, të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve të këtij vendi. Dhe ju garantoj që Partia Socialiste ka shumë të tillë.
Ndaj merreni seriozisht ëndrrën tuaj, ndjehuni krenarë që vendosët të merreni me politikë.
Dhe së dyti, ju përgëzoj pa masë që zgjodhët Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Më të mirët zgjodhën më të mirën forcë politike.
Më të mirët zgjodhën më të mirin, më të mirët zgjodhën Edi Ramën!
I nderuar kryetar i PS,
Të nderuar të rinj ekselentë,
Është nder i madh për mua që si ministër i Rinisë dhe sekretar Organizativ i PS-së, t’i bëj me dije kryetarit të PS, që Ju me vullnetin tuaj të lirë keni vendosur të jeni pjesë aktive e PS, të jeni anëtarë të saj.
Ju falënderoj për këtë zgjedhje. Gjithashtu, ju inkurajoj ta lidhni karrierën tuaj edhe me ambiciet për të qenë protagonistë në zhvillimet për demokratizimin e mëtejshëm të PS, për injektimin e një gjaku të ri jetëdhënës, që do ta vitalizojë akoma më shumë Partinë Socialiste.
Partia Socialiste është një parti e re, jo vetëm nga mosha e saj, por nga mentaliteti dhe nga mendja e hapur, veçanërisht ndaj rinisë. Ajo lindi në vitin kur rinia u ngrit për liri e demokraci dhe rinia ka qenë gjithmonë energjia e saj.
Jam frymëzuar shumë që atëherë dhe tani është bindja ime që, PS është dhe do të mbetet “the best”, sepse jo vetëm që mbështet dhe mbështetet nga rinia, por është ekstremisht e orientuar që më të mirët të jenë pjesë vitale e saj.
Partia Socialiste në strukturat e saj, si pjesë të rëndësishme ka edhe Forumin Eurosocialist, si fidanishte e ripërtëritjes së strukturave dhe organeve drejtuese dhe garancia e ripërtëritjes së anëtarësisë së partisë, ndaj do doja shumë që edhe nga kjo sallë t’i uroja FRESSH-it përvjetorin e tij të 24-t.
Të nderuar miq,
Sot jemi para një akti të ri pasurues të CV së Partisë Socialiste, aktit të hyrjes në radhët e saj të një grupi me vajza dhe djem të rinj, ekselentë e mendjehapur, për të cilët ka kaq shumë nevojë politika në përgjithësi e politika shqiptare në veçanti. Vlerat që ne shohim tek ju përputhen plotësisht me ADN-në e Partisë Socialiste.
Vetëm një politikë inteligjente si kjo e PS, që kujdeset në mënyrë të veçantë për pasurimin e saj me të rinj “the best”-ët e rinisë shqiptare, demonstron se ajo bën gjithë kujdesin për t’i siguruar vendit politikanë e drejtues të ardhshëm të Shqipërisë europiane.
Sot, ju po bëni aktin e zgjedhjes suaj për të qenë militantë aktivë, profesionistë e mendjehapur, për t’i shërbyer me gjithë kapacitetet tuaja PS dhe vendit jo vetëm tani, por veçanërisht në të ardhmen e afërt, kur Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Ju jeni garancia që PS është në rrugën e drejtë, që Shqipëria është në rrugën e drejtë të integrimit europian.
Kudo në botën demokratike, pjesëmarrja e rinisë në politikë është konsideruar në momente kyçe të historisë, me rëndësi epokale apo iluminuese. Mjafton të sjellim në kujtese rolin historik të emancipimit dhe transformimit rrënjësor që solli në politikën amerikane presidenti Kenedi, më i riu president i SHBA-së. Ai jo vetëm që e përkrahu lëvizjen e Martin Luter Kingut për të drejtat qytetarë në SHBA, por solli një standard të ri emancipues në gjithë demokracitë.
Iluminizmi europian dhe në vazhdimësi Rilindja shqiptare, janë gjithashtu lëvizje të njerëzve të ekselencës për të transformuar Europën në një Demokraci Perëndimore dhe Shqipërinë në një vend të pavarur me orientim europian.
I solla këto dy momente në vëmendjen tuaj për një arsye fare të thjeshtë: Sot, Shqipëria është në një moment historik – të bëhet anëtare e familjes së madhe demokratike europiane.
Ju keni fatin të jeni aktorë dhe faktorë të garancisë së suksesit në këtë moment historik.
Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj, dhe ju ftoj të jepni gjithë kontributin tuaj në pasurimin e vlerave të Partisë Socialiste.
Sepse ju jeni më të mirët!
Dhe më të mirët gjithmonë kanë zgjedhur Partinë Socialiste.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)