Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë pasi u kap duke transportuar mbi 158 kilogramë kanabis në makinën e tij.
I riu, i cili identifikohet me emrin Leonardo si i lindur në Itali dhe i rritur në Shqipëri, u ndalua në stacionin me pagesë në veri të Tuluzës pasi kishte rënë në sy për udhëtimet e rregullta mes Francës dhe Spanjës.
Gjatë kontrollit rutinë të BMW-së me të cilën udhëtonte, doganierët gjetën në çanta 54 kilogramë bar kanabisi dhe 104 kilogramë rrëshirë kanabisi.
"Në tregun e shitjes me pakicë, kjo sasi ka një vlerë prej rreth një milion eurosh", tha një zyrtar i doganës.
Për transportimin e kësaj sasie droge, Leonardo do të fitonte rreth 10 mijë euro.
"Kisha nevojë për para për të ndihmuar gjyshen time, e cila është e sëmurë", u tha ai gjyqtarëve përmes përkthyeses.
Por, zbërthimi i celularit të tij konstatoi se ai kishte kryer të paktën edhe dy udhëtime të tjera në mesin e korrikut. Leonardo tha se ato ishin vetëm "udhëtime vëzhgimi". Hetimet paraprake të policisë nuk arritën të provonin më shumë.
Sa i përket transportit të fundit, ai shpjegoi se kishte shkuar fillimisht në Barcelonë, ku një taksi e mori dhe e çoi në Valencia. Më pas u kthye për të marrë ngarkesën. Destinacioni ishte Narbona dhe më pas Tuluza. Në fakt, sipas dosjes, itinerari më pas do të vazhdonte drejt Gjermanisë, ku do të dorëzohej kanabisi.
Analiza e telefonit tregoi kontakte të rregullta me një numër tjetër, që dyshohet se i përkiste drejtuesit të një automjeti pararendës, i cili kishte për detyrë të kontrollonte nëse kishte kontrolle të papritura policore. Të hënën në mbrëmje kur ndodhi arrestimi, ai nuk arriti t'i sinjalizonte doganierët.
Prokurorja nuk kishte dyshime se udhëtimet ishin përsëritur dhe as për përfshirjen e Leonardos.
24-vjeçari u shpall fajtor dhe u dënua me tre vite burg, një gjobë prej 529.300 eurosh (sa vlera me shumicë e kanabisit), ndërsa BMW-ja u konfiskua.
Komente






