TIRANË- Këshilli i Ministriave ka vendosur në dispozicion të Agjëncisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave një sipërfaqë prej 25 mijë hektarë tokë, tokë shtetërore, e cila do të përdoret për kompensimin fizik të ish-pronarëve.
 
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar vendimi që kjo sipërfaqe toke të kalojë në fondin e kompensimit fizik të ish-pronarëve, në dispozicion të AKKP. Kjo sipërfaqe toke në pronësi shtetërore, u është dhënë në përdorin njësive të qeverisjes vendore, ndërkohë që sipas këtij vendimi agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronës, AKKP dhe ZRPP do të identifikojnë dhe vlresojnë këtë sipërfaqe tokë.

Më pas lista për sipërfaqen e tokës në përdorim të njësive vendore që do të kalojë në fondin e kompensimit fizik për ish-pronarët në dispozicion të AKKP, duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave.


VENDIMI I QEVERISË
 
 IDENTIFIKIMIN E SIPËRFAQES SË TOKËS PREJ 25 000 HA, NË PRONËSI SHTETËRORE, DHËNË NË PËRDORIM NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE, E CILA DO TË KALOJË NË FONDIN E KOMPENSIMIT FIZIK, NË DISPOZICION TË AGJENCISË  SË KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 12, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, të shkronjës “b”, të nenit 14, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “c”, të nenit 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, të ministrit të Drejtësisë e të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
 
1.  Në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të kalojë një sipërfaqe toke prej 25 000 (njëzet e pesë mijë) ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim njësive të qeverisjes vendore.
2.  Ngarkohen Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronës, drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, pranë këshillave të qarqeve, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të identifikojnë dhe të vlerësojnë sipërfaqen e tokës, e cila do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

3.  Lista për sipërfaqen e tokës në përdorim të njësive të qeverisjes vendore, që do të kalojë në fondin e kompensimit fizik, në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duhet t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave pas përfundimit të saj.

4.   Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Redaksia online
(es/esh/shqiptarja.com)