TIRANË - Ilir Paja, i dënuar me 25 vite burg nga autoritetet italiane për veprën penale të ‘vrasjes së kryer në bashkëpunim’ do e vuajë në Shqipëri dënimin. Procedura e ekstradimit nuk do të vijojë por do të ekzekutohet vendimi në vendin tonë.
Atij i ishte vendosur masa e sigurisë ‘arrest me burg’ me qëllim ekstradimi por prokurori kërkoi zbatimin e vendimit në Shqipëri.
Kjo kërkesë u pranua nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
“Në datë 01.12.2022, prokurori i kërkoi gjykatës që të revokojë masën e sigurimit si më sipër caktuar dhe të caktojë të njëjtën masë, për efekt të njohjes së vendimit penal të huaj dhe zbatimit të tij në Republikën e Shqipërisë.
Me vendimin nr. 1010 Akti, datë 03.12.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e pranoi kërkesën e prokurorit dhe i caktoi shtetasit I.P. masën e sigurimit “arrest në burg”, për qëllime të njohjes dhe ekzekutimit në Shqipëri të vendimit të gjykatës së huaj.
Mbi bazën e ankimit të shtetasit shqiptar I. P., Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga gjyqtari Z. Genti Shala, me vendimin nr. 1108, të datës 22.12.2022, vendosi të miratojë vendimin e gjykatës së shkallës së pare”, njoftoi Gjykata e Apelit Tiranë.