Detaje të reja kanë dalë një ditë pas vdekjes së 25-vjeçares britanike Ferne Josephine King, e cila u gjet pa jetë në apartamentin që kishte marrë me qira në Durrës, ku ndodhej edhe vajza e saj 2-vjeçare.
Sipas raportit të parë paraprak të këqyrjes nga mjeku ligjor, në trupin e të resë nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme, ndërsa vdekja ka ardhur nga shkaqe të brendshme. Burime nga Policia e Durrësit bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet se 25-vjeçarja mund të ketë pësuar infarkt, pasi është konstatuar një rrjedhje e vogël gjaku nga hundët.
Megjithatë, shkaku përfundimtar i vdekjes nuk është përcaktuar ende. Për këtë arsye pritet përgjigjja e autopsisë, ndërsa mostrat biologjike janë dërguar edhe për analizë toksikologjike në laboratorin e Tiranës. Vetëm pas përfundimit të këtyre ekzaminimeve do të mund të përcaktohet zyrtarisht shkaku i humbjes së jetës.
25-vjeçarja kishte mbërritur në Durrës vetëm tre ditë më parë për pushime së bashku me vajzën e saj rreth 2 vjeçe. Ajo kishte prenotuar përmes platformës Airbnb një apartament në një pallat pranë Muzeut Arkeologjik, në rrugën "Taulantia", ku do të qëndronte për tre ditë.
Trupi i saj u zbulua rreth mesditës nga pastruesja e apartamentit, e cila kishte shkuar për të kryer pastrimin pas përfundimit të rezervimit. Ajo e gjeti të renë pa shenja jete në shtrat, ndërsa pranë saj ndodhej vajza e vogël, e cila ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Pastruesja njoftoi menjëherë shërbimin e Urgjencës, i cili konfirmoi vdekjen e 25-vjeçares dhe më pas lajmëroi policinë.
Pas ngjarjes, vajza 2-vjeçare është marrë në kujdes nga shërbimi social dhe është dërguar në një qendër sociale në Tiranë, e ngritur për raste të tilla. Ndërkohë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë është njoftuar dhe po merret me procedurat për kontaktimin e familjarëve të 25-vjeçares dhe veprimet e mëtejshme.
Nga hetimet e deritanishme nuk ka të dhëna që ngjarja të jetë e lidhur me veprim kriminal, ndërsa autoritetet po presin rezultatet e ekspertizave mjeko-ligjore për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes.









Komente
Komento