25 vjet FRESSH, Rama: PS më
e madhe në zgjedhjet e qershorit

25 vjet FRESSH, Rama: PS më<br />e madhe në zgjedhjet e qershorit
Forumi Rinor Socialist feston sot 25 vjetorin e krijimit të tij. Në Pallatin e Kongreseve, me qëllim vlerësimin e kontribuuesve ndër vite dhe shpalljen e objektivave të mëtejshme po mbahet kongresi i FRESSH-it në të cilin marrin pjesë përfaqësues të strukturave të forumit nga e gjithë Shqipëria.

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e të rinjve në Partinë Socialiste dhe është shprehur se edhe falë tyre PS në zgjedhjet e ardhshme do të jetë më shumë se në qershorin e 2013-ës.
 
“Faleminderit të gjithëve që jeni akoma këtu. Testi i parë i punës do jetë nëse do jenë në sallë në fund aq sa erdhën në fillim sepse nga eksperienca salla në fund është gjysma e atyre që janë në fillim. Kjo tregon që  ju nuk jeni këtu sot për kuriozitet, për figurantë, po si përfaqësues të një FRESSH-i që është në transformim. Jam i bindur që në 18 qershor PS do jetë më shumë se në qershorin e 2013-ës.
 
Ka shumë njerëz që mendojnë se mjafton të thuash s’më intereson politika dhe shpëtojnë, por në fakt sa më pak njerëzit të merren me politikën aq më shumë janë të detyruar të paguajnë kostot e politikës që vetëm përmes pjesëmarrjes mund të bëhet më e mirë për njerëzit. Të merresh me politikë nuk do të thotë të braktisësh ëndrrat por do të thotë të japësh kontribut që politika të bëhet më e mirë për të gjithë”,
u shpreh Rama.

Rama u shpreh se nuk është e drejtë që njerëzit të distancohen nga politik dhe t’i mendojnë të gjithë politikanët njëlloj pasi, një votë mund të bëjë shumë ndryshime. 
 
“Me Partinë Socialiste po bëhen të mundura gjëra që përpara nuk dukeshin të mundura. U bë reforma në arsim, për të cilën thuhej nuk bëhet, u shpërndan hipotekat për mijëra familje. Nëse vota nuk do ishte për Partinë Socialiste nuk do ishin bërë mijëra legalizime, por vetëm 1 mijë apo 2 mijë, teksa do vijonte informaliteti. 

Nëse sot Shqipëria ka hyrë në rrugën e rritjes ekonomike dhe nëse sot vendi është në kushtet kur rrit rrogat dhe nuk rrit borxhin, ka apo jo rëndësi vota dhe nëse sot do të ishin në qeveri ata që rrënuan Shqipërinë, borxhi do ishte më i lartë dhe 97% e shqiptarëve do të vuanin taksën e sheshtë. Ka rëndësi a shkon apo shkon në votime sepse po të mos votohej PS kjo këto reforma s’do ndodhin.

Që politika të bëjë shumë mirë duhet që shumë njerëz të merren me të dhe që të shkojë shumë mirë në Shqipëri duhet që sa më shumë njerëz të votojnë PS. Nëse 13 vjet më parë në arsimin profesional Shqipëria kishte vetëm 3000 vetë, tani kemi më shumë diploma me vlerë.

E parafytyroni dot sikur në Tiranë të vazhdonte të ishte në zyrën e kryetarit të baskisë ai që ishte më parë,  edhe do të ishte edhe tani duke fjetur. S’është njësoj të votosh një kryetar bashkie që tani është në gjumë ose një kryetar që i fillon takimet në 6 e 30 të mëngjesit”,
tha kreu i socialistëve.
 
Kryeministri Rama dhe se Partia Socialiste ka të metat e saj, por vendi që të ecë përpara nuk ka rrugë tjetër. 
 
“Edhe PS ka të meta dhe bën gabime, por është zgjedhja e qartë mes të ardhmes dhe të shkuarës. Kush shikon nga e ardhmja nuk ka zgjedhje tjetër veç PS. Kush ka në dorë një votë ka në dorë të përcaktojë nëse prindërit e tij do paguajnë më pak taksa apo nëse do kthehen me taksën e sheshtë në kurriz.

Falë votës për PS gjeneratat e ardhshme nuk paguan më siç kemi bërë ne për kostot, e viteve që shkuan. Shkoni derë më derë e trokisni zëmër në zemër për të bërë të qartë këtë të vërtetë. Është gjëja më e lehtë në botë që vetëm me një vështrim horizontal të gjesh të varfër dhe rrugë që nuk janë më rrugë, por të gjitha këto janë pasojat që ne i paguajmë nga mungesa e reformave të këtyre 20 viteve.

Nëse ju thonë çfarë bëtë ju për rrugën e fshatit tim, kështu ishte kështu është, apo për qendrën shëndetësore e të tjera, përgjigja është e thjeshtë: Ne nuk mundemi t’i zgjedhim këto sepse nuk kemi shkop magjik por ajo që ne po bëjmë dhe do vazhdojmë të bëjmë është që ata që lindin sot nesër të mos kenë arsye të vazhdojnë t’i paguajnë një çmim të papërballueshëm politikës së vjetër të së shkuarës”,
tha Rama.

Rama i kërkoi të rinjve të dalin derë më derë dhe të kërkojnë votat. Gjatë fjalimit të tij ai theksoi se reformat nuk po i ndërmarrin për efekt fushate por për të realizuar kthesën e madhe nga e shkuara.

“Jam i bindur që do të bëjmë më të mirën në mandatin e dytë të Edi Ramës kryeministër”, u shpreh Eljo Hyska, kryetari i FRESSH në fjalën e tij.

Elisa Spiropali në fjalën e saj ka shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në FRESSH Voice dhe është shprehur se FRESSH-i ka prodhuar prodhuar dy kryeministra.
 
“FRESSH-i prodhoi dy kryeministra duke habitur dynjanë. Hapja që Edi Rama i bëri PS ishte ajo që unë dhe shumë të rinj mundëm të bëhemi pjesë për transformimin e Shqipërisë. Kur ideuam FRESSH Voice patëm parasysh faktin që vetëm një talent do të përcaktonte fituesin. FRESSH Voice i kaloi pritshmëritë, një proces i pazakontë kur tani kemi një ekip të zgjedhë si asnjë herë më parë”, u shpreh Spiropali, një nga figurat e Partisë Socialiste që ka drejtuar këtë forum.
  
Në kongresin u prezantua dhe statuti i Forumit Rinor, pas 12 vite mungese të këtij dokumenti. Pavarësisht se kishin marrë ftesë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi themeluesit e FRESSH-it nuk morën pjesë. E vetmja përfaqësuese e LSI-së ishte Floida Kërpaci kryetarja e LRI-së.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës

Universitetet amerikane forcojnë rregullat, shpresojnë të përmbajnë protestat kundër luftës